Arbëri

Serbia dhe grupet e mbështetura nga ajo akuzohen për sulmin në Zveçan

Brenda javës, dy sulme me bomba janë kryer ndaj institucioneve në Zveçan. Në mesnatë u sulmua ndërtesa e Komunës, brenda së cilës ndodheshin pjesëtarë të Policisë. Autoritetet lokale bënë përgjegjës grupet kriminale të armatosura, e të mbështetura nga Serbia.

Objekti i Komunës së Zveçanit ka qenë cak i hedhjes së granatës mbrëmjen e 28 nëntorit. Sulmi ndaj tij ndodhi rreth 14 orë pas mbajtjes së seancës solemne në nder të 112-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, të parën të këtij lloji të mbajtur ndonjëherë në komunën e banuar kryesisht me serbë.

Të lënduar nuk pati, por nga shpërthimi u dëmtuan dyer e dritare të ndërtesës së Komunës, e edhe disa vetura të parkuara pranë saj.

Ende nuk janë identifikuar personat që kanë hedhur granatën.

Por, kryetari i Komunës, Ilir Peci, ka shprehur besimin se sulmi është bërë me qëllim të frikësimit të tij dhe të zyrtarëve të tjerë komunalë.

“Edhe zyrtarët, edhe unë si kryetar komune jemi të vendosur deri në ditën e fundit të mandatit tonë t’i vazhdojmë procedurat pa marrë parasysh kërcënimet e sulmet, ne jemi të gatshëm të punojmë në të mirën e të gjithë qytetarëve të Komunës së Zveçanit”, ka thënë ai.

Zveçani dhe tri komunat e tjera të veriut, udhëhiqen nga shqiptarët që fituan në zgjedhjet e bojkotuara nga serbët. Popullata shumicë nuk ua njeh legjitimitetin, e grupe të organizuara kanë sulmuar disa herë institucionet dhe kanë protestuar edhe dhunshëm.

Policia është duke e trajtuar edhe rastin e fundit të sulmit me bombë.

Zëvendësdrejtori Veton Elshani ka thënë se në kohën e sulmit në Komunë dhe pranë saj ka pasur edhe zyrtarë policorë.

“Policia është duke punuar në drejtim të ndriçimit të rastit, deri tani nuk mund të themi diçka tjetër përpos asaj që jemi seriozisht duke u marrë me ta… Janë veprime policore hetimore që zhvillohen lidhur me këtë rast, sikurse me çdo rast tjetër”, ka deklaruar Elshani.

Ky është sulmi i dytë me granata dore në Zveçan, brenda kësaj jave.

Tri ditë më parë, nga persona ende të paidentifikuar, dy granata të tilla janë hedhur në oborrin e stacionit policor në këtë komunë.

Elshani nuk ka hedhur poshtë mundësinë e sulmeve të tjera të ngjashme.

“Në fakt nuk është diçka që ne nuk e kemi paraparë, se ka mundësi të ndodhë diçka e tillë, sikurse kjo që ka ndodhur tash. Ka mundësi të ndodhin edhe rastet e tjera. Sidoqoftë, Policia është me rëndësi se çfarë veprime ndërmerr në lidhje më këto raste”, ka thënë Elshani.

E kryetari Peci konsideron se pas sulmit qëndron Serbia, e cila ka ndikim mbi grupe ilegale që veprojnë në veri.

“Unë jam shumë i vetëdijshëm që këtu janë të gjitha grupet kriminale serbe që drejtpërdrejt menaxhohen nga Serbia dhe arsyeja tjetër, në komunën tonë janë gjetur të gjitha vulat e katër komunave, gjithçka ka filluar dhe mbaruar nga kjo komunë”, ka thënë Peci.

Në Zveçan është mbajtur një nga protestat më të dhunshme në veri në kundërshtim të vendosjes së kryetarëve në ndërtesat komunale. Nga dhuna e protestuesve patën pësuar edhe rreth 90 ushtarë të KFOR-it.