Arbëri

Serbët protestojnë kundër dëmtimit të ikonave fetare, kërkojnë reagim të ndërkombëtarëve

Pas dëmtimit të disa ikonave fetare, një grup serbësh kanë protestuar në Zubin-Potok. Ata nuk e kanë akuzuar dikë për aktin porse kanë thënë se autoritetet do të duhej që të ndërmerrnin veprime. Ndërkaq, një aktivist politik nga veriu ka kërkuar që të hetohen policët të cilët, sipas tij, kanë qenë në patrullim gjatë kohës së dëmtimit të objekteve

Qytetarë serbë kanë protestuar të premten në Zubin-Potok, pas dëmtimit të disa ikonave fetare. Ata kanë marshuar nga stacioni policor i kësaj komune e deri te Kisha për ta shprehur revoltën e tyre ndaj këtyre veprimeve. 

Protestuesit kanë kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë presion mbi Kosovën, pasi që kanë thënë se sulmi ka ndodhur derisa Policia e Kosovës ka bërë patrullime ndërsa organet e rendit nuk kanë ndërmarrë veprime.

“Kërkojmë nga Policia që të hetojë dhe të tregojë kush e bëri këtë. Policia duhet t’i gjejë”, ka thënë një qytetar serb, i cili ka marrë pjesë në protestë.

E një tjetër, Aleksandër Peroviq, është shprehur se Policia e Kosovës duhet që t’i ruajë objektet e tyre fetare dhe jo pompat e benzinës, të cilat i ka mbyllur për shkak të operimit pa licencë.

“Ka ndodhur edhe përpara disa herë dhe janë raportuar në Polici, në të cilën nuk kemi besim. Prandaj, edhe para ndërtesës së tyre kemi shprehur pakënaqësinë që më në fund të marrin pjesë në ruajtjen e këtyre faltoreve dhe jo të pompave të benzinës dhe lokacioneve të tjera të parëndësishme”, ka thënë Peroviq.

E politikani serb, Aleksandër Arsenijeviq, i cili ka thënë se nuk ka marrë pjesë në protestën e së premtes në cilësinë e organizatorit, ka kërkuar që të hetohen policët të cilët “kanë qenë në patrullim gjatë kohës së dëmtimit të objekteve”.

“Të ushtrohet trysni mbi bashkësinë ndërkombëtare, te organet e Kosovës dhe që përbrenda organeve të Kosovës të shihet nëse këta policë, të cilët më 25 gusht patrulluan aty, i kanë shenjat patrulluese, që ata të merren në pyetje, që të hetohen të gjitha rrethanat dhe që t’i jepet një porosi e qartë bashkësisë ndërkombëtare dhe të gjithë të tjerëve që të mos përsëritet 17 marsi i 2004-s”, ka theksuar Arsenijeviq.

Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë për rajonin e veriut, ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar. Ai ka theksuar se për rastin Policia është informuar nëpërmjet mediave.

“Policia e Kosovës është informuar nga mediat që para disa ditëve, diku përafërsisht një javë, ka ndodhur një dëmtim i një vendi fetar që shërben për lutje në një fshat në Zubin Potok. Sipas informacioneve që i kemi dëgjuar në media, sipas fshatarëve, ka pasur policë që ata i kanë parë dhe se ka mundësi që ato dëmtime janë bërë nga zyrtarë policorë, nga policë në uniformë”, ka thënë Elshani.
Ai ka konfirmuar Inspektorati Policor (IPK) është njoftuar për pretendimet e qytetarëve se Policia ka mundur të jetë e përfshirë në këtë rast.

“Një raport final i Policisë është punuar dhe është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës. Në fakt Inspektorati Policor i Kosovës është informuar prej fillimit nga ana jonë, por tash vendoset nga Inspektorati i Policisë se a do ta hetojnë ata rastin apo do t’u ndihmojmë e asistojmë edhe ne”, ka shtuar Elshani.

Gjatë protestës, qytetarët serbë kanë bërë lutje dhe kanë ndezur qirinj pranë Kishës në Zubin-Potok.