Arbëri

Serbët paraqesin kërkesë për peticion për shkarkim të kryetarëve në katër komunat në veri

Veriu

Serbët në katër komunat në veri të Kosovës kanë formuar grupet nismëtare, të cilat të martën kanë paraqitur kërkesa te kryesuesit e kuvendeve komunale në Mitrovicë të Veriut, Zubin-Potok, Zveçan dhe Leposaviq, për inicim të peticionit për shkarkim të kryetarëve.

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanjin, ia ka konfirmuar KOHËS se tre persona kanë shkuar për ta paraqitur kërkesën por se ai nuk i ka pranuar në takim pasi që nuk ka qenë i njoftuar paraprakisht.

Ai ka thënë se nga informatat që ka kërkesa për shkarkim të kryetarit bazohet në pretendimet e tyre për “mospunën e kryetarëve dhe vendimeve të njëanshme të tyre”.

Uglanjin ka vlerësuar se veprimet e këtij grupi, kanë për qëllim, siç ka thënë ai, nxitjen e tensioneve të reja.

Lidhur me këtë kryetari i Komunës së Zubin-Potok-ut, Izmir Zeqiri, ka thënë për KOHËN se ka marrë informata nga kabineti i tij se tre qytetarë kanë shkuar për t’u interesuar për ta iniciuar peticionin.

Ai ka thënë se rekomandimet që u janë dhënë atyre janë që kjo duhet të shkojë përmes kuvendeve komunale dhe bazuar në Udhëzimin administrativ.

Zeqiri ka thënë se nuk e di nëse ky grup ka kontaktuar kryesuesin e Kuvendit komunal.

Sipas Udhëzimit administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, këto grupe përveç kryesuesve të kuvendeve komunale, duhet të njoftojnë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

KQZ-ja e ka konfirmuar për KOHËN, se ka pranuar katër emaila në të cilat është bashkangjitur formulari për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarëve të komunave. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se kjo do të trajtohet nga Komisioni.

“Mund t’iu konfirmoj se gjatë ditës së sotme, kemi pranuar katër e-maile, tri prej të cilave kanë të bashkëngjitur të plotësuar formularin për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Në këtë fazë, mund t’iu them se këto shkresa do të trajtohen dhe do t’iu informojmë për këtë”, është shprehur ai.

Sipas Udhëzimit pas pranimit të kërkesës, jo më vonë se pesë ditë, kryesuesi i kuvendit komunal e shqyrton atë dhe e regjistron grupin nismëtar si palë të autorizuar. Nëse kjo nuk bëhet brenda afatit, atëherë grupi nismëtar mund të kërkojë nga KQZ-ja të shqyrtojë kërkesën dhe ta regjistrojë si palë të autorizuar.

Jo më vonë se pesë ditë nga regjistrimi, grupi nismëtar duhet të paraqesë te kryesuesi i kuvendit komunal dokumentacionin e nevojshëm ku përfshihen lista e nënshkrimeve dhe autorizimi nga kuvendi komunal për shfrytëzimin e hapësirës publike për mbledhjen e nënshkrimeve.

Më pas KQZ-ja, jo më vonë se pesë ditë nga pranimi i kërkesës, njofton kryesuesin e kuvendit komunal, grupin nismëtar për numrin e tërësishëm të votuesve në komunën përkatëse dhe për numrin e nënshkrimeve që kërkohen.

Grupi nismëtar ka afat prej 30 ditësh që të mbledhë nënshkrimet fizikisht. Afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë.

Më pas nënshkrimet dorëzohen te kryesuesi i kuvendit komunal dhe KQZ-ja. Pas kësaj, institucioni i zgjedhjeve verifikon nënshkrimet dhe nëse nuk janë aq sa kërkohen – 20 për qind e votuesve – nismëtarët e kërkesës kanë afat prej 10 ditësh për të përmbushur këtë kuotë.

Nëse KQZ-ja më pas konfirmon se janë mbledhur nënshkrimet e duhura, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Votimi organizohet nga KQZ-ja.

https://mapl.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/09/02-619-4-2023.pdf?fbclid=IwAR2f9V4216iUGgz9WLbB1izBRqRLnLNwT6TRZ74_V0aPlx16A4z9fM3Qg18