Arbëri

Serbët i kthehen kërcënimit të përhershëm për largim nga institucionet e destabilizim të veriut

Serbët në Kosovë, vazhdojnë të kërcënojnë me largim nga të gjitha institucionet e Kosovës, duke dhënë edhe një afat kohor prej 45 ditësh.

Burime brenda Qeverisë, i kanë thënë KTV-së se për këtë çështje, ka pasur takime edhe Këshilli i Sigurisë së Kosovës, pasi kishte paralajmërime edhe për përkeqësim të situatës në veri të vendit.

Një anëtar i kabinetit qeveritar, që nuk ka dashur të flasë publikisht, ka thënë se ka pasur paralajmërim me skenarin për të dalë prej institucioneve, Policisë e gjykatave të Kosovës.

Zyra e Kryeministrit Ramush Haradinaj, përmes një përgjigjeje elektronike, ka thënë se retorika kërcënuese e Beogradit nuk i kontribuon paqes në rajon.

Qeveria thotë se, në vazhdimësi, i ka ftuar serbët që të vazhdojnë punën në institucione të Kosovës, e të mos bëhen instrument i politikës së Beogradit.

“Situata në veri është e qetë. Serbët e Kosovës janë pjesë e pandashme e institucioneve tona. Retorika kërcënuese e Beogradit nuk i ndihmon paqes në rajon. Në vazhdimësi, ne si Qeveri, i kemi ftuar serbët e Kosovës ta vazhdojnë punën në institucionet e vendit, e të mos bëhen instrument i politikës agresive të Beogradit”, thuhet në përgjigjen nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Ndërkaq, deputeti Rexhep Selimi, që është edhe pjesë e Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, thotë se serbët janë duke kërcënuar me largim edhe nga Policia, me qëllim të krijimit të një entiteti politik e gjeografik brenda Kosovës.

Televizioni ka pyetur edhe Zyrën e Presidentit, Hashim Thaçi, për të marrë një qëndrim të tyre, por nuk kanë kthyer përgjigje.

Për këtë çështje, institucionet e Kosovës kanë diskutuar edhe me partnerët ndërkombëtarë.

Se kishte një skenar për destabilizim të vendit, e kishte paralajmëruar edhe shefi Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Shpend Maxhuni, gjatë raportimit në komisionin parlamentar për këtë agjenci.

Kreu i këtij komisioni, Faton Topalli, kishte deklaruar se Maxhuni kishte njoftuar që ekzistojnë tendenca për destabilizim të sigurisë së Kosovës nga Serbia.

Në lidhje me këtë, sipas Topallit, kreu i AKI-së ka thënë t’i ketë njoftuar edhe krerët e shtetit.