Një rast për pengim të tubimit zgjedhor përmes kanosjes në veri, është lajmëruar tek autoritetet. Një person që sipas burimeve të KOHËS i takon Listës Serbe dyshohet se ka kanosur oponentët politikë duke ua penguar tubimin zgjedhor. E, analistë politikë në këtë pjesë, kanë shprehur drojë për blerje të votave dhe për votim të organizuar
Serbë në veri kanë shprehur drojën për blerje të votave dhe votim të organizuar në zgjedhjet parlamentare që këtë të diel organizohen në Kosovë, ndonëse fushata e zhvilluar deri tash është vlerësuar si më e qetë në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021.
Por, një rast është paraqitur para organeve shtetërore për kanosje me qëllim të pengimit të fushatës, i kanë thënë KOHËS burime në Prokurorinë e Shtetit.
Siç thanë këto burime, dyshohet se një mbështetës i Listës Serbe, subjekt ky që vazhdimisht është mbështetur nga Beogradi zyrtar, i ka kërcënuar anëtarët e një partie tjetër serbe.
Këto burime i thanë KOHËS se rasti nuk është i pari i paraqitur, pasi partitë e vogla serbe, kanë lajmëruar organet për telefonata të dyshimta që kanë marrë si presion ndaj atyre që nuk i shërbejnë Listës Serbe.
Në javën e fundit të fushatës zgjedhore, kjo parti i ka marrë 4.000 euro gjobë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa për deklaratat e prijësve të saj, të cilët në një tubim në Zubin-Potok i quajtën partitë e tjera “tradhtare”.
Por përtej këtij diskursi, sipas analistit politik Ognjen Gogiq, paraja është mjeti me të cilin Serbia synon ta sigurojë mbështetjen e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka paralajmëruar ndihma për të papunët, e ky paralajmërim sipas Gogiqit është mjet i ndikimit.
“Ashiqare që këto me pako financiare u japin ryshfet njerëzve (votuesve), pra, meqë është e qartë përmes medieve dhe njerëzve në terren se paratë janë të kushtëzuara me mbështetjen për Listës Serbe. Ky është mesazhi. Pra edhe pavarësisht zgjedhjeve, kur kemi aksione të Policisë së Kosovës që mbyll institucionet serbe në veri të Kosovës, shumë njerëz e kritikojnë presidentin Vuçiq. Pra ‘pse s’po bën gjë për t’i mbrojtur serbët’, ‘pse po rri dhe e lë këtë të ndodhë’. E në të vërtetë ideja e vetme që iu ra në mend është epo mirë: t’i derdhim ca para”, ka thënë analisti Gogiq.
Përfaqësues të partive serbe kanë akuzuar njëra-tjetrën për blerje votash në këtë fushatë zgjedhore.
Kandidati për deputet Nenad Radosavleviq, ka thënë se fushata zgjedhore, pavarësisht pengesave po shkon më qetë sesa në vitin 2021.
E shqetësimi më i madh i kandidatit Radosavleviq nga Iniciativa Qytetare “Drejtësia Popullore” (Gradjanska Inicijativa “Narodna Pravda”), është nga ndikimi që vjen nga Serbia.
“Jam duke u bërë merak, se do të ketë autobusë me njerëz prej Serbisë që vijnë për të votuar këtu në Kosovë, që i përgatisin atje në Serbi për të ardhur në Kosovë. Të drejtën t’ju them, nuk do të kisha dashur që kjo të ndodhë. Nuk do të duhej të ishte ashtu, do të duhej të ishte garë zgjedhore e ndershme... Janë të varfër dhe jetojnë në mjerim... Shpresoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosë që ata njerëz të mos i sjellin këtu. S’ka nevojë të vijnë këtu, sepse atyre kjo jeta jonë në këtë vend nuk u intereson fare”, ka thënë Radosavleviq.
Për zgjedhjet e 9 shkurtit garojnë gjashtë subjekte politike serbe.
Prej që është formuar Lista Serbe, thuajse në të gjitha zgjedhjet parlamentare ajo ka marrë të dhjetë vendet e rezervuara në Kuvend për komunitetin serb. Ndërkaq, në zgjedhjet lokale, ka qeverisur gati me të gjitha komunat me shumicë serbe.
Lista Serbe është certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit, ani se gjatë kohës sa ka mbajtur pozitën e nënkryetarit të këtij subjekti politik, Milan Radoiçiq ka organizuar dhe udhëhequr sulmin terrorist në Banjskë, e për të cilin e ka marrë edhe vet përgjegjësinë.
Në fillim të fushatës, përfaqësues të koalicionit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” (DnV), konstatuan se Qeveria e Serbisë ka marrë vendim që të ndajë mjete financiare për serbët e Kosovës, në mënyrë që të ndikojë në bindjet e tyre politike për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Gjatë prezantimit të raportit mbi dy javët e fushatës elektorale, Violeta Haxholli nga ky koalicion, e ka kualifikuar veprimin e Serbisë si ndërhyrje të drejtpërdrejtë në zgjedhjet e Kosovës.
“Një nga zhvillimet kryesore të kësaj jave është vendimi i Qeverisë së Serbisë për të dhënë nga 170 euro për rreth 5 mijë serbë në Kosovë, i cili në vlerësimin tonë përbën një ndërhyje të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor të Kosovës dhe paraqet një përpjekje të hapur për të influencuar vullnetin qytetar të komunitetit serb, duke përdorur ndihmën financiare si mjet për të ndikuar në përcaktimin e votuesve”, ka thënë Haxholli.
Edhe Misioni Monitorues i BE-së në Kosovë, në raportin e tij të vitit 2021, ka konstatuar se Lista Serbe “ka monopolizuar jetën politike në mesin e serbëve të Kosovës” dhe se ka pasur raste të frikësimit dhe presionit ndaj votuesve nga kandidatë dhe aktivistë të Listës Serbe.