Liderët serbë, në Serbi dhe Republika Srpska, e kanë paraqitur si fitore të tyre votimin në New-York. Sa që, nëpër rrugët e Beogradit dhe të komunave të veriut të Kosovës, të banuara kryesisht me serbë, kanë dalë qytetarë me makina e flamujt të Serbisë. Politikanët serbë, në prononcimet e tyre, i mblodhën votat kundër dhe ato abstenim, që dolën më shumë se ato për – 84 – dhe sipas tyre, kjo është fitore për ta
Edhe pse Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e ka miratuar të enjten rezolutën që e shpall 11 korrikun ditë ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, në Serbi kjo është paraqitur si fitore e tyre.
84 shtete votuan për, 19 ishin kundër e 68 abstenuan.
Por, liderët serbë, në Serbi dhe Republika Srpska, e kanë paraqitur si fitore të tyre votimin në New-York.
Sa që, nëpër rrugët e Beogradit kanë dalë qytetarë me makina e flamujt të Serbisë.
Festë pati edhe në komunat veriore të Kosovës, të banuara kryesisht me serbë. Edhe në këto, qytetarë serbë me vetura e flamuj, parakaluan rrugëve të qyteteve.
Sipas presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, një votim i tillë s’do të konsiderohej i suksesshëm në asnjë parlament. Ai i është referuar numrit të votave kundër dhe atyre abstenim, që janë më shumë se votat pro.
“Shikojeni, më shumë se dy të tretat e banorëve të globit ishin në anën tonë. Dua të falënderoj Kinën, Rusinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. I përkulen Bin Zayedit”, ka thënë ai.
Po ashtu, bëri edhe një matematikë të tij, pse rezoluta “ishte e pasuksesshme për Serbinë”.
Në fakt, për kalim të rezolutës, nevojitej shumica e thjeshtë e vendeve të pranishme në sallë jatë votimit.
“Rezultati ishte ky. 84 shtete votuan për rezolutën. Në asnjë parlament kombëtar kjo s’do të kishte sukses. Është i vetmi vend në botë që një dokument i tillë kalon”, ka thënë Vuçiq pas votimit, përcjell “B92”.
Edhe presidenti i Republika Sërspkas në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, e ka cilësuar “të dështuar” rezolutën.
“Afro 100 shtete nuk votuan, ose ishin kundër ose abstenuan. Kjo është rezolutë e dështuar dhe do të thotë që OKB-ja nuk e ka mbështetur”, ka shkruar ai në Twitter.
Ngjashëm si Vuçiqi e Dodiku kanë vepruar edhe mediume të shumta, që njihen për mbështetje të pushtetit në Serbi. Shumë prej tyre e kanë cilësuar votimin si të dështuar.
Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së janë 193 shtete anëtare.
Më 11 korrik 1995, forcat serbe vranë mbi 8000 burra e djem boshnjakë në Srebrenicë, të gjithë civil.
Krimi u njoh si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, në vitin 2007.