Arbëri

Serbët e Kosovës me autobusë e vetura mësynë qendrat e votimit në Serbi

Serbë të Kosovës me vetura e autobusë kanë mësyrë komunat më të afërta të fqinjit verior, për të votuar në referendumin e organizuar nga Beogradi zyrtar, e i cili u ndalua të zhvillohet në Kosovë. Për ndalesën, qytetarë të veriut shprehën pakënaqësinë edhe me protesta. Incidente nuk pati, e kolona të gjata u krijuan në pikë kalimet kufitare me Serbinë.

Sa herë Serbia ka organizuar zgjedhje a referendume në Kosovë, kjo shkollë e Mitrovicës Veriore kthehet në qendër kryesore të votimit për banorët e komunës kryesore të banuar me serbë.

Të dielën ajo qëndroi e mbyllur.

Prishtina zyrtare, për herë të parë pas luftës, brenda territorit shtetëror nuk e lejoi zhvillimin e një referendumi që Serbia e organizoi për ndryshime kushtetuese.

Prandaj, disa nga serbët e Kosovës gjetën forma alternative për të votuar.

Në shenjë proteste, në qendër të Mitrovicës Veriore u improvizua një vendvotim.

“Unë i pyes OSBE-në dhe Brukselin pse nuk e kanë lejuar që serbët e Republikës së Serbisë të mos votojnë në referendum, sepse Kosova është territor i Serbisë”, ka thënë Dragomir Erakoviq.

Këtu pati dy protesta gjatë ditës.

E stacioni i autobusëve u kthye në pikëtakim për serbët që në mënyrë të organizuar udhëtuan për të votuar në komunat më të afërta të Serbisë.

Dhjetëra autobusë mësynë pikat kufitare. Ishin kryesisht të kompanive që për pronarë kanë shqiptarët.

Rrugës nuk u penguan. Njësia Speciale e Policisë ishte e pozicionuar në dalje të Mitrovicës dhe nuk u pa gjatë gjithë rrugës deri në Jarinje.

Të tjerë serbë të irrituar me vendimin e Qeverisë së Kosovës, mësynë vendvotimet me vetura.

“Fatkeqësisht po shkoj për të votuar në Rashkë, për shkak se më është mohuar e drejta për të votuar dhe vlerësoj se me këtë veprim jodemokratik dhe joevropian ndaj serbëve askujt nuk do t’i sjellë asgjë mirë, as serbëve e as shqiptarëve”, ka thënë një serbe nga veriu i Kosovës.

Pati shumë qytetarë që, prapa kamerave, thanë që nuk do të votojnë dhe se po udhëtojnë për qëllime të tjera – qoftë për shkollim apo për në qendra të skijimit.

Në Jarinje, sikur edhe në Merdar e Bërnjak, autobusë dhe vetura pritën në kolonë për rreth një orë derisa mund të kalonin për në Serbi.

E, pritja për të hyrë në Kosovë pas votimit, ishte diçka më e vogël.

“Kemi qenë në votim. Ka shkuar gjithçka mirë. Megjithatë, ka gjithmonë probleme në vendkalim. Unë jam këtu shpesh dhe e kërkojnë listën me emra dhe letërnjoftimet. Shikojeni çfarë kaosi është shkaktuar”, ka thënë një tjetër qytetar.

KFOR-i dhe EULEX-i monitoruan.

Ndërkaq, në veri e komuna gjithandej Kosovës incidente nuk u shënua gjatë ditës kur Kosova nuk lejoi që brenda territorit të organizohet referendumi i Serbisë, në të cilin serbët duhet të deklarohen nëse janë për ose kundër ndryshimeve kushtetuese që lidhen me gjyqësorin.

Qetë ishte edhe në komunën që vlon nga pakënaqësitë, sa herë ka fërkime politike Kosovë-Serbi.