Arbëri

Serbët e arrestuar në rastin “Ivanoviq” më 17 dhjetor dalin para gjykatës

Tre serbët e arrestuar në muajin nëntor, të dyshuar për vrasjen e ish-liderit serb, Oliver Ivanoviq, do të dalin të hënën para Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Burime të gazetës “Koha Ditore”, brenda gjykatës, kanë bërë të ditur se trupi gjykues pritet të vendosë përmes seancës edhe njëherë rreth masës së paraburgimit, pas kthimit në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

“Edhe njëherë do të ftohet Prokuroria Speciale për të ofruar provat, mbi të cilat e mbështet kërkesën për masën e paraburgimit ndaj Marko Rosiqit, Nedeljo Spasojeviq dhe Dragisa Mirkovic. Seanca do të mbahet më 17 dhjetor”, kanë thënë këto burime.

Masa e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve është caktuar nga Gjykata e shkallës e parë më datën 24 nëntor.

Mirëpo, me datën 6 dhjetor Gjykata e Apelit e ka anuluar këtë vendim. I ka kërkuar shkallës së parë që ta shqyrtojë edhe njëherë masën, me arsyetimin se “nuk ka dhënë arsye të qarta lidhur me faktet vendimtare, përkitazi me dyshimin e bazuar së të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat janë duke u hetuar, ashtu siç kërkohet me Kodin e Procedurës Penale”.

“Gjykata Themelore duhet t’i kërkojë prokurorisë që kërkesës për caktimin e paraburgimit, t’ia bashkëngjisë të gjitha provat në të cilat thirret ajo e që kanë të bëjnë sidomos me dyshimin e bazuar. Gjykata pasi të vlerësojë dhe të paraqes konkludimet e saja për secilën provë, të merr vendim për heqjen ose caktimin e masës së paraburgimit, duke dhënë arsye të qarta dhe konkrete për secilën bazë ligjore”, thuhet në vendimin e Apelit.

Për detajet e këtij rasti, “Koha Ditore” ka shkruar javë më parë. Marko Rosiq, Nedeljo Spasojeviq dhe Dragisha Mirkoviq, sipas shkresave të prokurorisë dhe gjykatës, të cilat i posedon gazeta, besohet të kenë bashkëpunuar ngushtë rreth vrasjes së Ivanoviqit. Ata po dyshohen për tri vepra penale: vrasje e rëndë, zbulim i fshehtësisë zyrtare, si dhe armëmbajtje pa leje.

I dyshuari kryesor në mesin e të arrestuarve, Spasojeviq, është hetues në Policinë e Kosovës. Ai dyshohet se ka bashkëpunuar me vrasësin, i cili ende “mbetet i panjohur”. Këtë, prokuroria beson se e ka bërë, duke i mënjanuar pengesat, duke ua lehtësuar të dyshuarve ikjen nga vendi i ngjarjes me veturë zyrtare të policisë.

Po ashtu, ai dyshohet se u ka ndihmuar që ta lëvizin edhe automjetin me të cilin është kryer vrasja dhe iu ka lehtësuar të dyshuarve ikjen, së bashku edhe me dy policët e tjerë, të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes.