Arbëri

Serbë të Graçanicës e shohin të pakuptimtë shkuarjen në protestat në Beograd

Në prag të protestës masive të së shtunës në Beograd, serbë nga Mitrovica e Veriut u nisën me autobusë drejt kryeqytetit të Serbisë, në mbështetje të presidentit të këtij vendi, Aleksandër Vuçiq. Ndryshe prej tyre, në Graçanicë disa qytetarë serbë thanë se shkuarjen në Beograd e shohin si të pakuptimtë

Mëngjesin e së premtes, autobusë me qytetarë e studentë serbë nga Mitrovica e Veriut u nisën drejt Beogradit për t’i dalë në mbështetje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në prag të protestës masive të paralajmëruar për të shtunën.

Disa prej tyre, të mbledhur në Parkun e Pionierit, i thanë Radios Evropa e Lirë se gjenden aty për ta mbështetur Vuçiqin që, sipas tyre, u qëndroi përherë përkrah dhe se udhëtimin drejt Beogradit e bënë vullnetarisht e pa presion. Por opozita serbe në Kosovë ka paralajmëruar se Lista Serbe po organizon serbë nga Kosova për të krijuar “mur njerëzor” në mbrojtje të Vuçiqit nga “revolucioni me ngjyra”.

E udhëtimin në Beograd për ta përkrahur Vuçiqin disa qytetarë serbë në Graçanicë e kualifikuan të pakuptimtë.

“Vetëm të shkojnë dhe të bëjnë shaka. Kot të shkoj. Unë nuk kam asgjë me Vuçiqin. E as nuk më intereson më”, ka thënë një qytetar.

“Jo është e keqe, por është keq edhe të shkosh kundër Vuçiqit, a kupton? Unë nuk shkoj askund. Këtu kam qenë dhe kam punuar dhe tani jam në pension, nuk më intereson. Kurrë, unë nuk shkoj askund. Këtu kam lindur, këtu do të mbetem. Faleminderit Beogradit, por këtu është zemra ime”, ka shtuar një tjetër.

Pati edhe prej atyre që dolën në përkrahje të studentëve e kundër opozitës në Serbi.

“E tash më duhet të flas ndryshe. Më vjen keq që po mbahen të tilla procese, sepse në interes të vendit, në interes të shtetit, kjo nuk është në rregull. Unë jam për t’i mbështetur studentët, ngase ata janë shpresa jonë, krenaria jonë, por jo edhe opozitën, jam kundër opozitës”, u shpreh një qytetar.

Në Listën Serbe e në presidencën e Serbisë nuk treguan për REL-in se kush qëndron prapa organizimit të shkuarjes së serbëve nga Kosova në Beograd.

Në periudhën e zhvillimit të protestave anti-qeveri në Serbi, në Mitrovicë të Veriut janë mbajtur disa herë tubime në mbështetje të studentëve që prej muajsh kanë protestuar në kërkim të llogaridhënies për vdekjen e 15 personave nga shembja e strehës në stacionin e porsarenovuar hekurudhor në Novi-Sad.

Protesta e së shtunës së 15 marsit në Beograd është paralajmëruar të jetë më e madhja deri më tani kundër qeverisë së Vuçiqit.