Senatori amerikan, Chris Murphy, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të angazhohen për shtensionimin e situatës në komunat në veri, nëpërmjet organizimit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Murphy thekson se një sërë masash si, mbajtja e zgjedhjeve të reja në komunat e banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, tërheqja e njësive speciale dhe lirimi i të arrestuarve, do të çojnë në uljen e tensioneve.
Ai gjithashtu theksoi se Serbia duhet t’i inkurajojë banorët serbë të marrin pjesë në zgjedhje dhe të mos ndërhyjë në procesin zgjedhor.
“Nëse hyjmë në rrugën e shtensionimit, duke tërhequr njësitë speciale të policisë dhe duke organizuar zgjedhjeve të reja, mendoj që kemi një mundësi që gradualisht ta kthejmë dialogun në drejtimin e duhur,” deklaroi Murphy.
Senatori Murphy theksoi se do të preferonte që SHBA-të të merrnin një rol më aktiv në shtensionimin e situatës në rajon.
“Dua që ta konfirmojmë sa më parë ndihmëssekretarin e ri për Evropën, (James O’Brien) pjesërisht për shkak se i emëruari i Presidentit Biden për këtë pozitë ka një përvojë të gjatë në rajon. Shumë shpejt do të kemi një zyrtar të lartë të Departamentit të Shtetit të konfirmuar që e njeh Kosovën, e njeh Serbinë, e njeh rajonin dhe do të mund të mbështes përpjekjet e ambasadës tonë si dhe punën që po bën zoti Escobar. Kemi një mundësi reale që SHBA-të të shtojnë angazhimin pasi i emëruari i ri i presidentit Biden është emër i njohur dhe me përvojë në rajon”, u shpreh ai.
Murphy u pyet edhe për vendimin e SHBA-së për të sanksionuar shefin e zbulimit të Serbisë Aleksandar Vulin, zyrtar pro-rus i Serbisë, i afërt me Presidentin serb Vuçiq.
“Nëse Serbia me të vërtetë e do një të ardhme si pjesë e Evropës, nuk mund ta ketë shefin e zbulimit të angazhuar në koordinim të hapur me rusët në këtë kohë. Dhe ua kemi bërë të qartë jo vetëm Serbisë, por të gjithë miqve tanë, se do të ketë pasoja nëse vendosin të mos ju bashkohen sanksioneve, nëse janë pjesë e aktiviteteve sekrete me rusët. Ne duam që Serbia të jetë pjesë e lëvizjes euro-atlantike, duam që ata të kenë të ardhme evropiane:”, tha ai.
Murphy tha se është në interesin e Serbisë që të dërgojë mesazhin se agresioni rus në Ukrainë nuk mund të tolerohet.