Ish-komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, deklaroi para Gjykatës Speciale se në Drenicë nuk pati shërbim informativ më 1998. Gjatë dëshmisë së tij në ditën e tretë, ai tha se nuk pati as kontakt me Kadri Veselin, për të cilin Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se e udhëhiqte SHIK-un.
“Me z. Veseli as nuk kisha kontakt, por nuk ishte një shërbim i tillë. Nuk kisha dëgjuar dhe nuk kishte në Zonën Operative të Drenicës”, tha dëshmitari në seancën e mbajtur të mërkurën.
Megjithatë, Selimi theksoi se e ka pasur një problem me Sabit Gecin e Ismet Haxhën, si dhe me disa pjesëtarë të tjerë që prezantoheshin në emër të SHIK-ut.
Selimi u shpreh se u kërkoi këtyre pjesëtarëve të mos prezantoheshin me emër të ndryshëm e as në emër të Zonës Operative të Drenicës, të cilën ai e udhëhiqte.
E tek iu përgjigj pyetjeve të avokatit të Kadri Veselit, Rodney Dixon, ai u shpreh se edhe sot beson se të dy ish-pjesëtarët e UÇK-së nuk ishin pjesë e SHIK-ut, meqë as që kishte SHIK atëkohë.
“Kam dyshuar..., edhe atëherë edhe tash besoj që nuk ka qenë e saktë. Ata vetëm janë thirrur në emra të ndryshëm”, tha Selimi.
E prokurori Matthew Halling i parashtroi pyetje dëshmitarit duke iu referuar një deklarate të dhënë UNMIK-ut më 2003.
“Është një fjali këtu, në të cilën flisni për brigadën në zonën tuaj dhe ju keni thënë, pasi u formua kjo, njësitë e zbulimit që merrnin urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm, ka qenë domethënë një njësit zbulimi që merrte urdhra drejtpërdrejt nga Shtabi i Përgjithshëm, por ne nuk e dinim se kush operonte në këtë njësit dhe gjithmonë kemi pasur problematika me këto njësite. Atëherë a është e vërtetë kjo, që ju gjithmonë keni pasur problematika me këtë njësit”, pyeti prokurori Halling.
Selimi sqaroi se e ka pasur fjalën për një rast dhe jo për diçka që ndodhte vazhdimisht.
“Unë iu kam referuar problematikës e cila ka qenë, këtij procesit i cili në një rast të caktuar ka ndodhur, por a ka qenë problematikë nuk e di, nuk mund të them më shumë. Gjithmonë iu kam referuar këtij rasti për të cilin kam ankesë dhe jam munduar ta sqaroj... Detajet e vogla nuk i kam këqyrur dhe s’u kam dhënë rëndësi, por në çdo aspekt këtë qëndrim e kam mbajtur që ky grup, që Sabit Geci është thirrur në këtë emër dhe në këtë institucion”, tha dëshmitari Selimi.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen lidhur me ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.
ZPS-ja pretendon se kryen ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte: Përndjekje (Pika 1), Burgosje (Pika 2), Akte të tjera çnjerëzore (Pika 4), Torturë (Pika 6), Vrasje e paligjshme (Pika 8), Zhdukje me dhunë (Pika 10), si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu; Arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), Trajtim mizor (Pika 5), Torturë (Pika 7) dhe Vrasje e paligjshme (Pika 9). Shumica e viktimave të krimeve sipas ZPS-së janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.