Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, e ka akuzuar ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, se ka gënjyer gjatë fjalimit në Këshill të Sigurimit.
Duke iu përgjigjur në Këshill, Selakoviq tha se Gërvalla fillimisht gënjeu kur tha se Kosova është vend demokratik, e po ashtu tha se gënjeu kur bëhet fjalë për regjistrim të automjeteve. E gjatë kundërpërgjigjes përmendi edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryekuvendarin Kadri Veseli që janë në Hagë, duke u akuzuar për krime lufte.
“Gënjeshtër brutale tha se 90 për qind e targave të veturave serbe janë riregjistruar. Janë 9000 vetura në veri të Kosovës e M. Vetëm dy prej tyre janë riregjistruar. A është 90 për qind kjo? Është shembulli më i mirë i gënjeshtrës brutale”, tha Selakoviq. “Folët se si po e përgatit Vuçiqi agresionin, por nuk po tregoni se çfarë po bën Prishtina. Prishtina e Albin Kurti po ndërtojnë bazën e re për njësinë speciale në veri të Kosovës. Cila është arsyeja për këtë? A nuk është përgatitje për agresion kjo, për të dëbuar ata serbë që kanë mbetur në Kosovë e M? Kur flisni për krime mos harroni të përmendni para këtij organi të nderuar, ku është ish-presidenti i juaj, Hashim Thaçi, ku është Kadri Veseli, çfarë po bëjnë në paraburgim në Hagë? Nuk po luajnë letra aty. Janë aty për t’u dënuar, për t’u proceduar, e besoj për t’u dënuar për krimet e tmerrshme që kanë kryer ndaj serbëve e joshqiptarëve tjerë në Kosovë e M”.
Po ashtu Selakoviq ka përmendur edhe çështjen e shtëpisë së Xhafer Devës.
“Thatë se z. Vuçiq po promovon ideologji naziste me të ashtuquajturën Botë Serbe, por kurrë se kemi dëgjuar Vuçiqin të thotë këtë. E them unë kush ka ideologji të tillë. Qeveria e Kosovës ka përgatitur projekt për renovim të shtëpisë së Xhafer Devës. Ju them se kush është Xhafer Deva. Bashkëpunëtor nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është përgatitur renovimi i shtëpisë së tij në Mitrovicë. E kanë mashtruar edhe BE-në për të mbështetur projektin”, tha Selakoviq, ndërsa ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se po mendon për bashkimin me Shqipërinë.
Në fund të fjalimit Selakoviq ka akuzuar Kosovën për mosrespektim të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, duke thënë se ka 3470 ditë që nuk është themeluar Asociacioni i komunave me shumicë serbe.