Arbëri

Sekuestrohet ushqim nga kompleksi “Rajska Banja” në Banjskë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka sekuestruar ushqimin që ka qenë brenda kompleksit “Rajska Banja”, në Banjskë të Zveçanit.

Ky kompleks nga dje u mor nën kontroll nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. AKP-në e ka asistuar Policia e Kosovës.

Të mërkurën në një konferencë për media, ministri i Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se destinacioni final i kompleksit do të përcaktohet në ndërkohë. Ai ka shtuar se në këtë kompleks është investuar jashtëligjshëm e se ai do të menaxhohet nga MPB-ja.

Gjatë ditës, ka vazhduar verifikimi i pronës në “Rajska Banja”.

Në një përgjigje të AUV-it thuhet se me kërkesë të stacionit të policisë në veri, inspektorët kanë dalë për kontroll në kompleksin në Banjskë.

“Kishte produkte dhe nënprodukte të mishit, të vendosura ne frigorifer brenda kuzhinave. Këtë sasi të produkteve mungonte dokumentacioni për origjinën e produkteve, disa prej tyre nuk kishin etiketa të deklaracionit mbi datat e prodhimit dhe të skadencës. Si të tilla ekipi inspektues ka vlerësuar se nuk përmbushin kriteret ligjore për konsum. Andaj me procesverbal ka vendosur se të njëjtat duhet të asgjësohen. Në momentin që krijohen kushtet teknike dhe logjistike inspektorati do të dalë së bashku me policinë të bëj asgjësimin e tyre. Mishrat kanë qenë te vendosura në disa frigoriferë të ndryshme të cilat kanë qenë pa mbikëqyrje të temperaturave dhe sasia totale do të dihet kur ata të zhvendosen për asgjësim”, është thënë nga AUV-i.

VIDEO: