Zbulimi i sasisë së madhe të drogës në portin turistik të Cartagenas në Kolumbi e që kishte si destinacion portin e Rotterdamit, ka ndodhur vetëm tri ditë pasi mbi 1000 policë në Belgjikë janë përfshirë në një operacion në Bruksel kundër Ndraghetas dhe mafisë shqiptare
Policia kolumbiane ka arritur të konfiskojë në portin turistik të Cartagena de Indias, në veri të Kolumbisë, 2279 kilogramë kokainë. Kontejneri ku u zbulua sasia e madhe e kokainës po shkonte në Holandë dhe droga do shpërndahej në Evropë e Shqipëri. Policia kolumbiane e zbuloi drogën të fshehur në pako, brenda një kontejneri që po shkonte në qytetin holandez të Roterdamit. Zanafilla e zbulimit të sasisë së madhe të drogës ka qenë një seri parregullsish në dokumentacionin e mallit përpara se të dërgohej. Falë kësaj dhe një skaneri që më pas kontrolloi kontejnerin, policia zbuloi pakot e kokainës. Konfiskimi i kokainës u ka shkaktuar humbje afro 100 milionë dollarë trafikantëve të drogës. “Kjo drogë mund të shpërndahej në tregjet e Turqisë, Spanjës, Italisë dhe Shqipërisë”, tha Ricardo Alarcón, drejtor i Njësisë Kundër Drogës në policinë kolumbiane.
Deri më tash, gjatë vitit 2021 autoritetet kolumbiane kanë sekuestruar më shumë se 302 tonë drogë. Zbulimi i sasisë së madhe të drogës në portin turistik të Cartagenas e që kishte si destinacion portin e Rotterdamit, ka ndodhur vetëm tri ditë pasi mbi 1000 policë në Belgjikë janë përfshirë në një operacion në Bruksel kundër grupit Ndragheta dhe mafisë shqiptare, duke kryer kontrolle në mbi 100 shtëpi dhe duke sekuestruar dhjetëra e qindra pasuri, makina luksoze dhe para kesh të cilat dyshohet se janë rezultat i trafikut të kokainës.
Policia ka zhvilluar kontrolle në rajonin e Brukselit, Liezhit dhe Antwerpenit, qytet port në kufi me Holandën ku janë arrestuar 64 persona, e ku shumica ishin shqiptarë, ndërkohë që ka sekuestruar 1 milion euro kesh, 57 automjete dhe mallra të shtrenjta e luksoze.
Banda kishte gjithashtu të gjitha llojet e pajisjeve, si dronë, gjurmues GPS, bllokues dhe motorë shtytës për zhytësit. Mediat belge raportojnë se bëhet fjalë për një operacion të një madhësie që nuk është parë prej kohësh. Kjo, pasi Belgjika është një nga portat hyrëse të kokainës në Evropë dhe se vendi konsiderohet me një risk të lartë të përfshirjes së mafisë. Ndërkohë që tri ditë më parë një operacion antidrogë në Londër ka vënë në pranga një tjetër shqiptar. Ermal Shtrezi me profesion kuzhinier është emri i shqiptarit të arrestuar nga Komanda Speciale e Krimeve të Policisë londineze. Në këtë operacion janë arrestuar 8 persona, mes tyre edhe shqiptari që dyshohet se importonte sasi të mëdha kokaine. Ndaj Ermal Shtrezit me origjinë nga Maqellara e Dibrës u ngritën akuzat për konspiracion në importin e drogës të klasit A dhe posedim të sendeve të përfituara nga krimi.
“Ermal Shtrezi 39 vjeç akuzohet për komplot për importimin e drogës së klasit A dhe posedim të pasurisë kriminale”, përcjellin mediat britanike akuzën ndaj tij. Operacioni kishte për qëllim shënjestrimin e personave të cilët dyshohet se janë të përfshirë në importimin dhe shpërndarjen e drogës së klasit A në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitet e fundit, fuqia dhe ndikimi i mafisë shqiptare kanë shkuar deri në Amerikën e Jugut, në Ekuador e Kolumbi , ku kanë lënë një gjurmë gjaku rreth qytetit port të Guayaquil të Ekuadorit . Midis vendeve prodhuese të kokainës, Perusë dhe Kolumbisë, Ekuadori shërben si një tubacion i madh droge për në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, e ndryshe nga vendet fqinje, në Ekuador nuk ka mafi të mëdha të drogës. Aty ka banda, por u mungon sofistikimi i nevojshëm për të operuar rrjetet e trafikimit shumëkombësh. Bandat, megjithatë, janë treguar të dobishme për trafikantët ndërkombëtarë, mes tyre dhe shqiptarët, që kërkojnë një pjesë “të tortës”. Prej të paktën 5 vjetësh, mes Shqipërisë dhe Ekuadorit e Kolumbisë ekziston një linjë e konsoliduar e trafikut të drogës. Kapja e sasisë rekord prej 613 kilogramë kokaine në Durrës pak kohë më parë vetëm sa nxori në pah fuqinë e grupeve kriminale që qëndrojnë pas ngarkesave të tilla me vlerë dhjetëra miliona euro. Nga eksportues të kanabisit, tashmë grupet kriminale shqiptare kanë arritur të krijojnë lidhje të drejtpërdrejta me grosistët e Amerikës Latine, duke u kthyer në furnizues për vende të Bashkimit Evropian. EUROPOL-i ka renditur Shqipërinë të parën në Evropë për trafikun e kokainës. Nisur nga rastet e përsëritura të kapjes së sasive të konsiderueshme të drogës në Portin e Durrësit në kontejnerë që vijnë nga Ekuadori e Kolumbia, por edhe 400 kilogramë drogë e llojit kokainë e kapur në mesin e muajit maj në Lipjan, e cila kishte kaluar transit nëpër Shqipëri dhe që u sekuestrua në brendësinë e një kamioni që transportonte mish nga Amerika Latine, tregojnë se Shqipëria është kthyer në “autostradë” të lëvizjes së sasive të mëdha të drogës, ndërkohë që Porti i Durrësit është kthyer në një linjë fikse të tonelatave të kokainës nga Amerika Latine, më konkretisht nga Ekuadori e Kolumbia.
Duke filluar nga viti 2012, grupet shqiptare të trafikut të kokainës kanë zhvilluar ndikim shumë të madh në portet kryesore si në Amerikën e Jugut ashtu edhe në Evropë dhe gjithashtu ishin të angazhuara në shpërndarje në Gjermani, Suedi, Mbretërinë e Bashkuar dhe madje edhe Australi. Ky është përfundimi që ka arritur EUROPOL-i në një raport prej 27 faqesh të publikuar së fundmi. Sipas EUROPOL-it, në periudhën 2018 – 2020 shqiptarët përbëjnë pjesën më të madhe të personave të arrestuar në Evropë në aksione ku është kapur kokainë. Në vend të dytë janë shtetasit nga Brazili dhe më pas kolumbianët. Shtrirja e aktivitetit tyre ka arritur në përmasa të frikshme ku shqiptarët kanë kaluar nga ndërmjetës në trafikun e drogës, në porositës e shpërndarës dhe janë bërë drejtues të rrjeteve të mëdha kriminale. Në raportin e EUROPOL-it thuhet se Belgjika dhe Holanda janë “portat” e kokainës në Evropë. Raporti citon burime të autoriteteve belge dhe holandeze të cilat vënë në dukje se grupet shqiptare kanë zgjeruar rolin e tyre në sigurimin e kokainës dhe lidhjen e kontakteve në Amerikën e Jugut. Trafiku i kokainës në Evropë është shtuar dhe po ashtu grupet kriminale që e drejtojnë atë dhe kjo si pasojë e fragmentimit të karteleve të drogës në Amerikën Latine. Raporti thekson se grupet shqiptare të trafikut të kokainës kanë vendosur kontakte të drejtpërdrejta me shpërndarës në Amerikën Latine dhe tashmë kanë rrjetet e tyre të shpërndarjes me shumicë në Evropë. Që nga viti 2010, Italia, Gjermania dhe Belgjika i kanë identifikuar vazhdimisht shqiptarët në mesin e dhjetë kombësive të para të individëve të proceduar për veprat penale të trafikut të kokainës, por vitet e fundit një rol i tillë është raportuar edhe nga Austria, Bullgaria, Greqia dhe Zvicra. Që nga viti 2018, Italia ka identifikuar grupet shqiptare si më aktivet ndër grupet e huaja në trafikun e drogave. Autoritetet gjermane vlerësuan se 29 nga 31 grupet e dominuara nga shqiptarët, të zbuluara në vitin 2019, merren me trafik droge. Ky është numri i dytë më i lartë pas gjermanëve. Shtetasit me kombësi shqiptare janë gjithashtu të dytët, pas gjermanëve, për veprat penale të lidhura me kokainën. Greqia raportoi se, që nga viti 2017, trafikantët shqiptarë po zgjeroheshin gjithnjë e më shumë në tregtinë e paligjshme të kokainës dhe po punonin me trafikantë në Amerikën Latine për të importuar sasi të konsiderueshme në territorin grek, me qëllim shpërndarjen e saj më tej. Ndër grupet kriminale të përfshira në trafikun e drogën, shtetasit shqiptarë janë të dytët pas grekëve në Greqi.