Arbëri

Sekuencimi i zbatimit të marrëveshjes me Serbinë, në “rrugë qorr”

Bashkimi Evropian e Qeveria e Kosovës nuk kanë përgjigje për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes së arritur vitin e shkuar. Dokumentet mbi këtë çështje kanë mbetur drafte, derisa të tilla, deri më tani janë hartuar dhjetëra sosh. Për arritjen e dakordimit mes Kosovës dhe Serbisë mbi planin e sekuencimit, skeptikë janë shprehur njohës të procesit të dialogut

Në fazë të draftimit ka mbetur sekuencimi i zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. 
Korriku, ka qenë hera e fundit kur palës kosovare e asaj serbe u është kërkuar që të ofrojnë propozimet e tyre mbi draftet e diskutuara, e për të cilat zv.kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pati thënë se janë 10 sosh.

Por tash e dy muaj, as nga Bashkimi Evropian e as nga Kosova nuk janë shpalosur hollësi në lidhje me ecurinë e këtij sekuencimi.

Ndërkohë, njohës të procesit të dialogimit, thonë se nuk pritet që zbatimi i marrëveshjes të sekuencohet shpejt. Kjo, sipas tyre, shkaku i proceseve zgjedhore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në Kosovë.

Analisti Seb Bytyqi ka thënë se shkak i dështimit që të arrihet një plan i sekuencimit është edhe mungesa e qasjes nga ndërmjetësuesi. 

“Presioni ka qenë vazhdimisht mbi Kosovën që të filloj me zbatimin e marrëveshjes duke filluar me themelimin e Asociacionit mirëpo nuk ka pasur presion që të arrihet një plan i sekuencimit në mënyrë që të dyja palët të fillojnë me zbatimin e marrëveshjes në të njëjtën kohë”, ka thënë ai.

Sipas tij, arritja e dakordimit për këtë çështje varet edhe nga Përfaqësuesja e Lartë e re e BE-së, Kaja Kallas. 

“Nëse ajo e merr më me urgjencë cështjen e zbatimit të marrëveshjes dhe është më e balancuar në presion te të dyja palët atëherë mund të ketë negociata serioze në arritjen e një plani te sekuencimit mirëpo nuk pres që do të ketë ndonjë përparim para zgjedhjeve nëpër SHBA. Sepse sic e dini Serbia ka një qasje zvarritëse dhe në këtë rast po pret rezultat më të favorshëm për Serbinë që do të ishte zgjedhja e presidentit Trump për këtë arsye nuk mund të pritet ndonjë përparim i shpejt”, ka thënë Bytyqi.

Se zgjedhjet në SHBA e Kosovë do të kenë ndikim në ecurinë e dakordimit për planin e sekuencimit, vlerëson edhe Belgzim Kamberi nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”. Por, sipas tij, problem mbeten edhe mospajtimet mes palëve për nisjen e zbatimit të marrëveshjes.

“Marrë parasysh proceset e ndryshimeve të zyrtarëve të BE-së, edhe ata që kanë të bëjnë me dialogun Kosovë-Serbi, si dhe sidomos zgjedhjet në ShBA dhe Kosovë, mbetet pak e besueshme që të kemi ndonjë përparim të shpejtë në çështjen e planit të sekuencimit. Edhe pse, megjithatë, duket se mospajtimet mbeten ato që kanë qenë: kush fillon i pari me zbatu marrëveshjen”, ka deklaruar ai.

Pasi dorëzuan komentet për planin e sekuencimit, zv.kryeministri Besnik Bislimi, në korrik ka deklaruar se nuk mund të ketë një propozim të radhës pa u dëshmuar se edhe Serbia ka qenë e angazhuar në hartimin e tij. 

“Unë mendoj se nuk mund të dalë një propozim i 11-të për aq kohë sa nuk dëshmohet se ka pasur propozim të Serbisë. Qëndrimi i Serbisë edhe në takimin e fundit ka qenë shumë i qartë: për ne ekziston vetëm obligimi për themelimin e Asociacionit, nuk ka nevojë për nënshkrim dhe nuk ka nevojë të diskutohet për pikat e tjera që do të thotë është e kundërta, komplet e kundërta, e logjikës në dizajnimin në planin e sekuencimit”, pati deklaruar Bislimi në një intervistë për emisionin “60 minuta” në KTV.

Në lidhje me kërkesën e Qeverisë së Kosovës, që palët të njoftohen për përmbajtjen e komenteve që dorëzojnë, nuk janë përgjigjur nga Bashkimi Evropian të martën.