Arbëri

Sektori publik vazhdon të jetë më i preferuar për punësim sesa ai privat

Rreth 320 mijë të punësuar janë në sektorin privat, e 81 mijë në atë publik, që vazhdon të jetë më i preferuar nga punëkërkuesit. Sipas njohësve të çështjeve ekonomike, janë disa arsye pse qytetarët pëlqejnë sektorin publik për punësim, por thonë se vetëm sektori privat mund ta zhvillojë ekonominë e vendit

Sektori privat është punëdhënësi më i madh në Kosovë, por mbetet nën hijen e sektorit publik kur bëhet fjalë për preferencën e punëkërkuesve.

Njohësit e çështjeve ekonomike numërojnë disa arsye pse punëkërkuesit synojnë sektorin publik, e mes tyre është edhe trajtimi më i mirë i punëtorëve.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna ka thënë se edhe paga luan rol të madh, pasi aktualisht ajo mesatare në publik është 713 euro e në privat, 520 euro.

“Janë disa arsye pse në Kosovë është më i kërkuar sektori publik sesa ai privat. E para është se në sektorin publik, i gjithë stafi ka një llogaridhënie më të vogël, sesa në sektorin privat dhe niveli i përgjegjësisë në sektorin publik është më i vogël sesa në sektorin privat, kuptohet që në sektorin privat kërkesat janë më të mëdha, përgjegjësia është më e madhe, llogaridhënia më e madhe dhe më pas është çështja e mesatares së pagës, ku dallon në këta dy sektorë, në sektorin publik paga mesatare është 713 euro, kurse në sektorin privat 520”, ka thënë Rafuna.

Në sektorin privat aktualisht ka paga edhe nën atë që lejon ligji. Punonjëset teknike të Kuvendit, që janë të angazhuara nga privati, marrin 275 euro në muaj, teksa paga minimale e lejuar është 350 euro. Me kërkesën për rritje të pagave janë edhe në grevë tash e 9 javë.

Pagë nën minimale marrin edhe punëtorët teknikë në Spitalin Rajonal të Gjilanit – rreth 320 euro në muaj. E për punë të njëjtë, ata që janë angazhuar në sektorin publik marrin 550 euro në muaj.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Fidan Qerimi, vlerëson se rritja e pagës në sektorin privat do të ndikonte në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Pa dyshim që ndikimi është i madh në zhvillim ekonomik të vendit. Në Kosovë, zakonisht është një produktivitet i ulët dhe do të ndikojë pozitivisht në rritjen e produktivitetit. Rritja e produktivitetit ndikon në fitimin e kompanive dhe në këtë mënyrë, do të ketë një zhvillim të mirë, në zhvillimin ekonomik”, është shprehur Qerimi.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 320 mijë janë të punësuar në sektorin privat, teksa në atë publik 81 mijë veta.

Buxheti i Kosovës për vitin 2025 është paraparë të jetë 3.6 miliardë euro. Nga kjo shumë, 916 milionë euro janë parashikuar për kategorinë paga dhe shtesa.

Në bazë të të dhënave të Agjencisë së Statistikave, shkalla e papunësisë në Kosovë është 10.7 për qind.