Vizitorët në parkun arkeologjik “Ulpiana” nuk ka kush t’i informojë për historikun, pasi nuk ka ciceronë të angazhuar. Po kështu, vetëm në dy nga 17 komplekset memoriale ka të tillë. Ky realitet ka bërë që agjencitë turistike të angazhojnë vetë ciceronë. Aktualisht, asnjë nga ciceronët që veprojnë në Kosovë nuk ka licencë
Prishtinë, 13 mars - Vetëm përmes pllakës së vendosur në hyrje të parkut arkeologjik “Ulpiana”, vizitorët mund të informohen për historikun e këtij vendi.
Por pyetjeve të vizitorëve nuk mund t’u përgjigjet askush. Në Parkun Arkeologjik nuk ka një ciceron.
Arkeologia e parkut, Zana Rama, thotë se angazhojnë ciceronë vetëm në raste të veçanta.
“Kontraktimi i ciceronëve bëhet vetëm në raste specifike kur ka ndonjë kërkesë shumë specifike, e pastaj Instituti i Arkeologjisë gjen dikë”, ka thënë Zana Rama.
Mungesa e udhërrëfyesve në institucionet kulturore po u shkakton probleme edhe agjencive turistike.
"Është e vërtetë që për çdo park që e kemi, se nuk është vetëm një, kemi mungesë që nuk ka guida apo ciceronë që e bëjnë shpjegimin për atë pjesë. Por kemi probleme edhe në Muzeun e Kosovës, nuk ka ciceronë, na patjetër duhet me pasë ciceronin tonë, me i dërguar me grup të caktuar për ta shpjeguar mënyrën”, ka deklaruar Arsim Rexhepi, drejtor i “Balkan Destination”.
e njëjtë e kanë edhe komplekset memoriale. Nga 17 sosh, vetëm në dy prej tyre ka ciceronë.
"E nevojshme kishte me qenë që në memorialët të kemi ciceronë edhe pse ndoshta nuk është e domosdoshme për të gjitha këto, por janë disa komplekse që do të duhet patjetër të kemi ciceronë si për shembull në Prekaz, aty kemi vetëm dy, por vetëm dy ciceronë janë ekstrem të pamjaftueshëm”, ka thënë Bislim Zogaj, drejtor në Agjencinë e Menaxhimit të Komplekseve Memoriale.
Ciceronët që operojnë në vend nuk janë të licencuar, për shkak të mungesës së infrastrukturës ligjore. Sipas kryetarit të Unionit të Turizmit të Kosovës, kjo mund të çojë deri në shtrembërimin e fakteve.
"Të gjithë këta ciceronë që punojnë, që janë të trajnuar nga institucionet e ndryshme nga organizatat ndërkombëtare nga komunat e ndryshme, janë duke funksionuar dhe janë duke punuar, por nuk kanë licencë”, u shpreh Baki Hoti, kryetar i Unionit të Turizmit të Kosovës.
Për rregullimin e infrastrukturës ligjore për udhërrëfyesit, Ministria e Tregtisë ka draftuar Projektligjin për turizmin, i cili akoma nuk është miratuar në Kuvend.