Komisioni për Mbikëqyrje dhe Financa nuk e ka shqyrtuar raportin e shpenzimeve të Kuvendit për vitin 2018, për shkak se sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi ka thënë se nuk mund të raportojë para se të miratohet raporti në Komisionin për Buxhet dhe Financa.
Në këtë mënyrë, siç ka thënë sekretari, ka vendosur Kryesia e Kuvendit.
Mirëpo, ky arsyetim është kundërshtuar nga deputetët e opozitës. Kryetari i komisionit, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se kanë të drejtë që në çdo fazë të projekteve dhe për çfarëdo shpenzimi të Kuvendit, të kërkojnë llogari, raporton Koha Ditore.
“Çka nëse raporti nuk kalon në Komision për Buxhet dhe Financa? Ky nuk është draft-raport, por është raport përfundimtar. Kjo që po bëni ju është refuzim për raportim”, ka thënë Selmanaj.
Mbledhja ka përfunduar pa raportimin Krasniqit, përkundër vërejtjeve të deputetëve.