Arbëri

Sejdiu i kërkon Prokurorisë ta trajtojë me seriozitet dyshimin për keqpërdorim të 166 mijë € nga Bahri Rexha

Bahri Sejdiu

Këshilli i Bashkësisë Islame të Prishtinës ka reaguar pas dyshimeve të raportuara se ish-arkëtari i tij, Bahri Rexha, ka përvetësuar rreth 166 mijë euro.

Kryetari i KBI-së në Prishtinë, Bahri Sejdiu, ka kërkuar nga Prokuroria që ta trajtojë çështjen me seriozitet dhe të merren të gjitha masat e nevojshme, derisa ka shtuar se Rexha po tenton ta cenojë imazhin dhe integritetin e këtij institucioni. 

Ai ka thënë se është ngritur kallëzim penal ndaj Rexhës për, siç ka thënë, veprimet e tij. 

“Çdo mjet financiar i besimtarëve administrohet në mënyrë të ligjshme dhe ne nuk do të lejojmë asnjë keqpërdorim të fondeve apo dëmtim të interesave të besimtarëve tanë. Këshilli i Bashkësisë Islame të Prishtinë fton organet kompetente që ta trajtojnë çështjen me seriozitet në mënyrë që e vërteta të dalë në pah dhe të merren masat e nevojshme. Çdo deklaratë e bërë nga ish-arkëtari Rexha është e pabazuar”, ka thënë ai në konferencën për medie të mbajtur një ditë pas raportimit. 

Sipas tij, janë prekur fondet e lidhura me BIK-un, por jo vitrat.

"Janë fonde që janë direkt të lidhura me BIK-un, por i sigurojmë qytetarët që vitrat nuk janë prekur. Është keqpërdorur besimi pasi në fillim i kemi besuar", ka shtuar Sejdiu.

Nga viti 2020 deri më 2022 parat e BIK dyshohet të jenë tërhequr nga arka “cash” pa mbulesë, e përmes llogarive bankare të kenë shkuar në llogari të ndryshme, herë me përshkrim të arsyes e herë pa të.

Personit që po i drejtohet gishti t’i ketë përvetësuar qindra mijëra euro është Bahri Rexha, ish-arkëtar i Bashkësisë Islame për Prishtinë.

Një ditë më parë në emisionin  "Betimi për Drejtësi" që transmetohet në KTV, ishte treguar se si Rexha dyshohet se nga viti 2020 deri më 2022 parat e BIK-ut i ka tërhequr nga arka “cash” pa mbulesë, e përmes llogarive bankare të kenë shkuar në llogari të ndryshme, herë me përshkrim të arsyes e herë pa të.

Rexha ka mohuar t’i këtë përvetësuar këto para. Ai arsyetohet se çdo faturë e ka vulën dhe nënshkrimin e eprorit të tij, kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë, Hetem Sopjani.