Ali Sefaj nga grupi “Asnjëcentmëshumë” ka thënë se pret protestë masive nesër, më 5 prill, nga ora 15:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në shenjë kundërshtimi ndaj propozimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Sipas Sefajt, protesta nuk ka karakter politik, por është një reagim qytetar për mirëqenien publike, kundër një vendimi të cilin ai e cilëson të padrejtë dhe të pakuptimtë, veçanërisht në kushtet kur importi është i ulët dhe çmimet në tregjet ndërkombëtare janë më të lira kur po shkojmë drejt verës.
“Presim protestë masive dhe dinjitoze. Kjo është vetëm protesta e parë. Nuk do të ndalemi derisa ZRRE-ja të tërhiqet dhe ta largojë nga rendi i ditës për së paku gjashtë muaj deri në një vit propozimin për shtrenjtim. Më pas, duhet të diskutohet me të gjitha palët e përfshira e që vendimi të mos jetë në favor vetëm të një operatori, por të të gjithëve”, ka thënë Sefaj në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai gjithashtu kritikoi mënyrën se si po e bën ZRRE-ja konsultimin publik, duke thënë se dokumentin për të hyrat maksimale të lejuara, ku qytetarët bazohen për të dhënë komente, e kanë vendosur në një link ku është vështirë për t’u gjetur.
“Linku ku është publikuar dokumenti është i vështirë për t’u gjetur. Pastaj, qytetarët nuk kanë mundësi të bëjnë komente pa ditur çfarë të kontestojnë. Afati për të bërë komente nuk ka qenë 15, por vetëm 14 ditë – një shkelje ligjore. Për më keq, në dy ditët e fundit, faqja ka rënë dhe qytetarët nuk kanë mundur të dërgojnë komente”, shtoi ai.
Sefaj theksoi se Kosova mbulon mbi 85 për qind të nevojave të saj për rrymë, duke vënë në pikëpyetje nevojën për shtrenjtim për shkak të importit. Ai solli në vëmendje edhe çmimin e shitjes së energjisë nga KEK për operatorët privatë:
“KEK-u ia shet energjinë KEDS-it për 29.50 euro për megavat, ndërsa në tarifën e shtrenjtë, KEDS-i e shet atë për 145 euro – pesë herë më shumë. Gjema një shtet evropian që funksionon në këtë mënyrë”, ka deklaruar aktivisti.
ZRRE-ja më 11 prill pritet të marrë vendim ose jo për shtrenjtimin e rrymës për 15 për qind.