Arbëri

“Secili duhet të bëjë pjesën e vet të punës”, mesazhi nga samiti i liderëve rajonalë dhe të BE-së

samiti rajonal Mali i Zi

Foto: Associated Press

(E përditësuar 13:50) - Plani i Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor paraqet një sinjal të qartë të përkushtimit të Bashkimit Evropian (BE) për transformimin ekonomik dhe demokratik të këtyre vendeve, tha kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së që po mbahet në Kotorr.

Këshilli i BE-së miratoi një plan prej 6 miliardë eurosh për t’i mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor me qëllim të përshpejtimit të reformave dhe rritjes ekonomike, nga të cilat dy miliardë euro janë grante dhe katër miliardë euro kredi të favorshme të garantuara nga BE-ja.

Nga kjo shumë, 2 miliardë do të jenë grante dhe 4 miliardë kredi të buta, që do t’i japë BE-ja.

Në samitin e organizuar nga Spajiq, përveç liderëve të rajonit, marrin pjesë edhe Komisionari Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelji dhe ndihmëssekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien.

Në këtë samit, Kosova përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti.

Samiti po organizohet nën sloganin: “Një rajon, vizion i përbashkët”.

Mesazhe për liderët rajonalë nga BE-ja dhe SHBA-ja

O'Brien tha se prioriteti i Planit të Rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor është krijimi i një tregu të vetëm të qarkullimit të parasë, zvogëlimi i kostove, lehtësimi i lëvizjes së tregut dhe krijimi i më shumë vendeve të punës:

“Mesazhet e Planit janë që për çdo pjesëmarrës, mesazhi është i qartë – bëje punën tënde dhe mos kërko nga dikush tjetër të bëjë diçka më parë, për të bërë tënden”.

Varhelji tha se Plani i Rritjes nuk është më një draft, por një udhërrëfyes, i cili është i dobishëm për rajonin përpara se të anëtarësohet në BE:

“Për shkak të Planit të Rritjes dhe intensitetit të ndihmës nga plani ekonomik dhe investues, agjenda e reformave dhe ndihmës financiare shtesë deri në vitin 2027, Ballkani do të jetë gati, ose mund të jetë gati, ose mund të bëhet gati për t'u anëtarësuar në BE”.

Çfarë thonë liderët rajonalë?

Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Krishto, tha se vendi ra dakord për 110 reforma nga 113 që ishin propozuar fillimisht nga BE-ja.

“Rruga evropiane është synimi kryesor i politikës së jashtme, për të cilën ka një konsensus në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha Kristo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar përkushtimin e tij për reformat që duhet të bëhen për të zbatuar Planin.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

 

"Është koha që rajoni të bëhet pjesë e portofolit digjital të Evropës. Individualisht, ne të gjithë u përfshimë dhe synojmë të jemi gati deri në vitin 2027".

Ai theksoi bashkëpunimin në fushën e migracionit, trafikimit të qenieve njerëzore, "jo vetëm midis rajoneve, por edhe midis rajoneve dhe BE-së".

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se Plani i Rritjes do të sjellë rezultate të mira në rajon:

“Ne vlerësojmë dhe jemi mirënjohës për paratë, por më të rëndësishme se paratë, janë reformat strukturore që duhet të zbatojmë dhe këtë e vlerësojmë shumë.

Ai tha se është i bindur se vendet e rajonit nuk do të hyjnë në BE para Ukrainës.

"Inteligjenca ime më thotë se do të jetë kështu. E di që BE-ja është shumë e njohur në vendet tuaja. Jo aq shumë në të miat".

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, konfirmoi se janë të përkushtuar për reformat evropiane, duke vlerësuar se për suksesin e formimit të tregut të përbashkët, është i nevojshëm zhbllokimi i Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore.

Samiti organizohet nën sloganin "Një rajon, vizion i përbashkët".

Në samit marrin pjesë edhe përfaqësues të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Evropiane të Investimeve, Bankës Botërore, Aleancës Atlantike, komunitetit të energjisë dhe transportit, Fondacionit të Shoqërisë së Hapur etj.

Një ditë para samitit, më 15 maj, u mbajt takimi i ministrave të çështjeve evropiane dhe financave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësuesve të Komisionit Evropian dhe organizatave partnere, ku mori pjesë Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisioni Evropian, Gert Jan Koopman.

Në muajt e kaluar, në Shkup dhe Tiranë janë mbajtur takime ministrore dhe samite rajonale të liderëve të Ballkanit Perëndimor. /REL


Kurti porosit BE-në: Veproni sipas progresit demokratik dhe reformave të vendeve të rajonit

Kryeministri Albin Kurti ka porositur Bashkimit Evropian (BE) që të monitorojë progresin në Ballkanin Perëndimor për sa i përket progresit demokratik dhe reformave të BE-së, dhe më pas të bazojë politikat e saj mbi ato të dhëna.

Kurti të enjten po merr pjesë në Samitin liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, ku po diskutohet edhe plani i rritjes për këtë rajon.

Sipas kryeministrit Kurti, plani zhvillimor i BE-së paraqet mundësi për ta çuar përpara integrimin e Kosovës në tregun unik evropian.

“Nëse ka një porosi që dëshiroj t’i bëhet BE-së është të kontrollojë progresin demokratik dhe reformat e BE-së në rajon dhe të veprojë sipas atyre të dhënave. Për Kosovën, plani zhvillimor i BE-së paraqet mundësi për ta çuar përpara integrimin tonë në tregun unik evropian duke përshpejtuar reformat që kanë të bëjnë me demokratizimin e sundimit të ligjit dhe të drejtat e njeriut”, ka thënë ai.

Kryeministri e përshëndeti miratimin e Planit të Reformës dhe Rritjes nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Evropës, duke e cilësuar atë si një kapitull të ri që duhet të udhëhiqet nga meritokracia dhe vlerat. Gjithashtu, mirëpriti punën në Planin e Ri të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2025-2028 dhe synimin për ta miratuar atë në Samitin e sivjetmë të Procesit të Berlinit.

Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri ka thënëse marrëdhëniet e mira fqinjësore me njohje de facto dhe de jure janë të rëndësishme për paqen, sigurinë dhe integrimin, teksa i kërkoi edhe një herë Serbisë që t’ia dorëzojë Kosovës Millan Radoiçiqin dhe grupin e tij përgjegjës për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, me 24 shtator të vitit të kaluar. Radoiçiqi vazhdon të jetë i lirë në Serbi, edhe pse ka marrë përgjegjësinë e sulmit.

Në fund,  ai bëri thirrje që rajoni i Ballkanit Perëndimor të bëhet pjesë e Autoritetit evropian kundër pastrimit të parave - "EU Anti-Money Laundering Authority" (AMLA), me qëllim të rritjes së integritetit financiar dhe bashkëpunimit në luftimin e krimeve financiare. Kurse sa i përket CEFTA-s, ai theksoi se duhet të sigurohet përfaqësim dhe trajtim i barabartë për të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.


Sekretari amerikan për Rajonin, James O’Brien, në Samitin e Ballkanin Perëndimor të BE, që po mbahet në Kotor të Malit të Zi, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin planin zhvillimor që ka të bëjë me 18 milionë njerëz për një të ardhme më të mirë për qytetarët e vendeve të tyre.

O’Brien theksoi po ashtu se kjo është diçka që SHBA-ja beson se është vitale për t’u ndihmuar të gjithëve në këtë rajon për t’i përmbushur potencialet e veta.

“SHBA-ja e mbështet Planin Zhvillimor, por kjo ka të bëjë me 18 milionë njerëz që krijojnë një të ardhme më të mirë për qytetarët e tyre dhe vendet e tyre. Kjo ka të bëjë me lirinë, sigurinë, me lirinë klasike të Bashkimit Evropian për shërbime dhe kapitale për të lëvizur nëpër kufij. Këtë vit, vendet që i përmbushin këto reforma do t’i bashkohen tregut unik evropian me çmime më të ulëta, ndoshta në 7 për qind. Secilën herë dikush që dërgon para përmes bankës do të ketë shpenzime më të vogla të huazimit. Kjo ka të bëjë me përfitime për qytetarët e rajonit dhe bashkimin me tregun unik evropian, diçka që Shtetet e Bashkua të Amerikës besojnë që është vitale për t’u ndihmuar të gjithë në këtë rajon dhe për t’i përmbushur potencialet e veta”, ka thënë O’Brien.

Më tej tha se ndjehet i ngazëllyer ta shohë edhe lansimin zyrtar të kësaj nisme dhe mundësinë e vendeve për të filluar të afrojnë liri për gjithë.