Arbëri

Seancë konstituive me shumë të panjohura

Seanca konstituive dhe numrat

Të martën (sot) në orën 10:00, do të nisë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Në këtë mbledhje deputetët e legjislaturës së nëntë do të bëjnë betimin, derisa në rend dite është edhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Emrin e kandidatit për kryekuvendar nuk e ka bërë ende publik partia më e madhe në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje. Partisë fituese të zgjedhjeve i takon propozimi për emrin e kryetarit të Kuvendit

Në ulëset e Kuvendit, të martën, për herë të parë si deputetë të zgjedhur nga procesi elektoral i 9 shkurtit do të ulen me dhjetëra ligjvënës të rinj.

Seanca konstituive e Kuvendit është caktuar të nisë në orën 10:00. Ajo do të kryesohet nga deputeti më në moshë, i cili do të ndihmohet nga më i riu.

Kryesuesi i seancës, pas hapjes dhe paraqitjes së rendit të ditës, kërkon nga subjektet politike që të caktojnë nga një deputet në Komisionin e Përkohshëm që do të merret me verifikimin e kuorumit dhe të mandateve.

Pas verifikimit deputetët me ftesën e kryesuesit betohen solemnisht.

Më pas në rend të ditës për seancën konstituive është zgjedhja e kryetarit dhe e  nënkryetarëve të Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe ai zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar me zgjedhjen e kryetarit e pesë nënkryetarëve të tij, dy prej të cilëve janë nga komunitetet.

Ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë.

Albin Kurti, kryetar i partisë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka deklaruar se synon që në seancën konstituive të votohet edhe Qeveria e drejtuar nga ai.

Por, deri të hënën, Vetëvendosje e Kurtit nuk e ka të sigurt mbështetjen e 61 deputetëve, aq sa nevojiten së paku për zgjedhjen e kryekuvendarit dhe për votimin e Qeverisë.

Aktualisht nga 61 votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit, Vetëvendosje ka 56 sosh të konfirmuara. 48 nga deputetët e saj dhe tetë të tjerë nga komunitetet joshumicë.

Marrëveshje me Vetëvendosjen për zgjedhjen e kryekuvendarit e edhe të qeverisë ka mohuar se ka kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Në Kuvend partia e Limajt i ka të siguruara tri ulëse.

“Nisma nuk ka marrëveshje me askënd deri më sot dhe është e gatshme dhe do të punojë fort që Kosova t’i ketë institucionet, të mos    shkojë në krizë parlamentare, por ne s`kemi asnjë marrëveshje me asnjë grupim politik”, ka thënë Limaj.

Limaj ka paralajmëruar se zhvillimet në lidhje me bashkëpunimet eventuale do të merren vesh të martën, derisa është shprehur i gatshëm për bashkëpunim me këdo që i ofrohet.

Deklarimet e Limajt për bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje, ndarje të turpshme i ka konsideruar bashkëpunëtori i tij nga koalicioni, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Ne e votojmë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Kuptohet do të bëjmë konsulta të ndërsjella edhe me partitë e tjera opozitare, me PDK-në dhe LDK-në. Po besoj që konstituimi i Kuvendit është interes i të gjithëve e më pastaj pra, sikurse ju e dini, AAK-ja angazhohet dhe punon që qeverinë ta krijojë opozita në rast të pamundësisë ose moskrijimit nga pozita. S’kam komunikim nga intervista e fundit e famshme e z. Limaj. Ka qenë shumë e vështirë, pra krijimi i shumicës nga opozita vetvetiu pozicionimi i tij i hershëm e ka bërë edhe ma të vështirë dhe nëse Nisma e Limaj mbështesin pushtetin kuptohet që ata ndahen nga ne. Po është një ndarje mjaft e turpshme, sepse kemi kërkuar votë për ndryshim dhe sjellja e tyre dhe veprimi i tyre është mjaft i turpshëm. Ju tregova që është një ndarje e turpshme, sepse kemi shkuar në gjithë vendin dhe kemi kërkuar votë për ndryshim”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe nga AAK-ja, nga PDK-ja janë shprehur se nuk do ta votojnë as kryetarin e Kuvendit.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka thënë se ky grup parlamentar nuk do të marrë pjesë në votim derisa nuk ka zgjedhje “të qëndrueshme” për Kosovën. Ai ka bërë thirrje për partitë e tjera politike që t’i mbajnë premtimet dhe mos ta mundësojnë formimin e qeverisë “Kurti 3”.

“E sigurisht zgjedhje e qëndrueshme për Kosovën është zgjedhja e Bedri Hamzës si udhëheqës i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe me të besoj që do të krijohen edhe stabiliteti dhe qëndrueshmëria në vend. Ne i bëjmë thirrje edhe individuale, edhe publike e sigurisht edhe takime me partitë politike që të ketë një qëndrueshmëri në premtimet që kanë bërë në mosdhënien e mundësisë së ‘Kurti 3’ në Kosovë. Sigurisht që në këtë pjesë do të shihet nesër se si do të veprojnë. Nuk ka asnjë dakordim konkret”, ka thënë Lushtaku.

Ndërkohë votë për kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit e edhe për formimin e Qeverisë kanë premtuar një pjesë e komuniteteve joshumicë.

“Ky grup i deputetëve që jemi sot këtu, duke përfshirë edhe ata të KDTP-së, ne jemi për qeverinë Kurti për shkak se ky i ka fituar zgjedhjet edhe ka shumicën e shqiptarëve, edhe tash po i relativizojmë numrat është 42.3 më shumë thuajse sa të gjithë të tjerët bashkë”, ka thënë Elbert Krasniqi, kryetar i Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës. Ai është ministër në detyrë dhe, sipas tij, shtatë vota nga pakicat joserbe janë të konfirmuara tashmë për Qeverinë Kurti 3. Po ashtu, votë për Kurtin ka premtuar edhe deputeti serb, Nenad Rashiq.

“Po nëse ka ndonjë propozim që është i arsyeshëm dhe sikurse e dini edhe ju, rregullat thonë që partia më e madhe, që në këtë rast Vetëvendosja, ka drejtën e propozimit të kryeparlamentarit dhe nuk e shoh ndonjë problem në atë aspekt edhe pse mund të pyesni se a i ka numrat, unë nuk jam përgjegjës sa i përket asaj pune, por gjithqysh jam besimtar në krijimin e një qeverie, me të cilën partia më e madhe, partia politike e cila e ka marrë pothuajse gjysmën e ulëseve të cilat i takojnë komunitetit shqiptar, normalisht se është adresë e duhur për krijimin e institucioneve”, ka thënë ai.

Njëjtë u shpreh edhe Emilja Rexhepi, kryetare e Partisë së Re Demokratike, që është zv.kryeministre në detyrë.

“Nesër votojmë kryetarin e Parlamentit, e shohim tani si është procedura dhe unë besoj që Qeveria Kurti 3 votohet shpejt. Na e dimë kush është, mirëpo duhet me thënë kryeministri”, ka thënë ajo.

Ndryshe nga ta, deputeti Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane është në pritje të propozimit të kryetarit të Kuvendit.

“Për momentin nuk e di a do të votoj a jo, sepse nuk kemi ndonjë propozim, i cili e dimë që do të vijë. Sigurisht që bazohemi edhe në personin edhe në marrëveshjen. Për momentin jemi ashtu siç kemi qenë”, ka thënë Berisha. Ai, Duda Balje dhe Adem Hoxha janë të vetmit nga pakicat joserbe që ende nuk e kanë konfirmuar votën e tyre për Qeverinë Kurti 3.

Regjistrimin të hënën e bënë edhe disa deputetë të Listës Serbe.

Në Kuvend do të jenë 48 deputetë të LVV-së, 24 të PDK-së, 20 të LDK-së, 8 të koalicionit AAK-Nisma dhe 20 të komuniteteve.

Lexo përditësimet tjera
Albin Kurti

Dështon konstituimi i Kuvendit