Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë nisur seancën e sotme me një minutë heshtje në nder të policit Afrim Bunjaku të vrarë në Banjskë.
Pas një konsultimi me grupet parlamentare është vendosur që seanca të mos nis me deklarime e pyetje parlamentare por deputetët të propozojnë një projektrezolutë lidhur me dënimin e sulmit terrorist.
Ky propozim është miratuar.
Të dielën e 24 shtatorit nga sulmues të armatosur në Banjskë të Zveçanit ka mbetur i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe janë plagosur tre të tjerë, njëri prej tyre me armë zjarri. Edhe tre sulmues janë vrarë nga aksioni pasues i Policisë së Kosovës, ndërkaq tetë janë arrestuar. Deri tash tre janë dërguar në paraburgim e katër janë liruar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.
