Arbëri

Dështon sërish konstituimi i Kuvendit

Ka dështuar për të dytën herë të bëhet konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ka ndërprerë seancën pa e hedhur në votim raportin e Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve, pasi ka thënë se në takimin që e ka zhvilluar me përfaqësuesit e partive politike ka parë që qëndrimet e tyre nuk kanë ndryshuar. Ai ka thënë se seanca do të vazhdojë pas dy ditësh, më 19 prill në orën 12:00. Kundër kësaj ndërprerje është shprehur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokadë. E, ai i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka akuzuar VV-në se po do të blejë kohë në këtë mënyrë meqë nuk e ka shumicën parlamentare. Albulena Haxhiu nga LVV-ja ka këmbëngulur se i kanë votat e mjaftueshme, pavarësisht se gjatë seancës së sotme nuk e vendosën në votim pikën e parë të rendit të ditës.

Ambasadori gjerman: Kuvendi po bllokohet nga taktikat penguese

1 d. më parë / 17 pri 2025 17:48
Jorn Rohde

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka deklaruar se qytetarët kosovarë meritojnë politikanë që prioritet e kanë Kosovën “mbi politikën partiake”.

Ai thënë se nevojitet urgjentisht një bashkëpunim i mirëfilltë për të siguruar formimin dhe funksionimin e një qeverie të qëndrueshme.

“Mbi dy muaj pas zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës mbetet i bllokuar për shkak të taktikave penguese. Qytetarët meritojnë politikanë që prioritet e kanë Kosovën, mbi politikat partiake. Prandaj, e përsëris: Duhet urgjentisht një bashkëpunim i mirëfilltë për të siguruar funksionimin e institucioneve dhe formimin e shpejtë të një qeverie të qëndrueshme”, ka shkruar ai në rrjetin social “Bluesky”.

Kuvendi publikon fotot e takimit të dështuar konsultativ

1 d. më parë / 17 pri 2025 17:19
Kuvendi

Kuvendi i Kosovës ka publikuar pasditen e së enjtes fotografitë e takimit të përfaqësuesve të subjekteve politike gjatë përpjekjes së dytë për konstituim të legjislaturës së nëntë.

Të enjten deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 9 shkurtit u mblodhën për herë të dytë për të konstituuar Kuvendin, por edhe sot kjo nuk u arrit.

Në hapje të seancës, kryesuesi (deputeti më i moshuar), Avni Dehari i ftoi përfaqësuesit e partive për takim konsultativ për raportin e komisionit për verifikim të kuorumit dhe të mandateve të deputetëve.

Takimi u kundërshtua nga partitë e deritashme opozitare që thanë se kjo është shkelje e procedurave.

Pas takimit, Dehari tha se nuk ka parë ndryshime të qëndrimeve të partive nga seanca e parë e dështuar dhe e ndërpreu seancën, që po asht nxiti reagime të deputetëve opozitareë.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblodh sot për të vijuar punimet e seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë, të ndërprerë më 15 prill. Në hapje të saj, kryesuesi Avni Dehari ftoi përfaqësuesit e subjekteve politike për një takim konsultativ përkitazi me raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. Pas takimit kryesuesi Dehari njoftoi deputetët për ndërprerjen e seancës, duke paralajmëruar vazhdimin e saj, të shtunën, në orën 12:00”, thuhet në njoftimin e Kuvendit në Facebook.

Ambasadori britanik: Kosova ka nevojë urgjente për Kuvend dhe Qeveri funksionale

1 d. më parë / 17 pri 2025 16:33
Jonathan Hargreaves

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka deklaruar se Kosova ka nevojë urgjente për një Kuvend dhe Qeveri funksionale, derisa përmendi fakti se kanë kaluar mbi dy muaj prej procesit zgjedhor.

Ai ka shkruar në rrjetin social X se populli i Kosovës ka të drejtë të kërkojnë që liderët e tyre politikë të punojnë së bashku për interesat kombëtare”,

“Më shumë se dy muaj prej kur populli i Kosovës votoi në zgjedhje. Kosova ka nevojë urgjente për një Kuvend dhe qeveri funksionale. Populli ka të drejtë të kërkojë që liderët e tyre politikë të punojnë së bashku për interesat kombëtare”, ka thënë Hargreaves.

KDI: Kryeministri dhe ministrat në detyrë duhet të japin dorëheqje formale për të zhbllokuar Kuvendin

1 d. më parë / 17 pri 2025 14:23
Kuvendi i Kosoves

Photo: Driton Paçarada

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shprehur shqetësimin për dështimin e përsëritur të Kuvendit në miratimin e raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve, një hap kyç për konstituimin e legjislaturës së re.

Në një reagim publik pasi të enjten dështoi për të dytën herë seanca konstituive, KDI-ja thekson se mosdorëheqja formale e kryeministrit dhe ministrave në detyrë, të cilët janë zgjedhur si deputetë, përbën jo vetëm shkelje të parimeve të ndarjes së pushteteve, por edhe pengesë të drejtpërdrejtë në procesin e votimit të raportit të Komisionit. Kjo, sipas KDI-së, po e paralizon funksionalitetin institucional të Kuvendit.

“Ligji është i qartë. Anëtarët e ekzekutivit duhet të japin dorëheqje para certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Kushtetuta ndalon ushtrimin e funksioneve të papajtueshme me mandatin e deputetit. Kjo nuk është çështje teknike apo e interpretimeve procedurale, por një shkelje e normave demokratike”, thuhet në deklaratë.

KDI kritikoi edhe mënyrën se si kryesuesi i seancës, deputeti Avni Dehari, e mbylli seancën konstituive sot pa hedhur në votim raportin dhe pa përmbyllur asnjë pikë të rendit të ditës, veprim që konsiderohet në kundërshtim me Rregulloren dhe praktikat parlamentare.

“Ky ngërç institucional, i shkaktuar nga mungesa e dorëheqjeve formale, është dëshmi e mungesës së vullnetit për të respektuar ligjin dhe për të lejuar funksionimin normal të institucioneve”, vlerësoi KDI.

Instituti i bën thirrje kryeministrit dhe ministrave në detyrë që të respektojnë obligimin ligjor për dorëheqje, në mënyrë që Kuvendi të mund të përfundojë seancën konstituive dhe të fillojë punën e tij.

“Institucionet nuk mund të konstituohen duke anashkaluar ligjin. Çdo zvarritje e mëtejshme është papërgjegjësi politike dhe cenon besimin e qytetarëve në procesin demokratik”, përfundon deklarata.

Te VV-ja insistojnë se kanë dhënë dorëheqje sipas procedurave, teksa opozita thotë se kjo s'ka ndodhur siç e parasheh Ligji për Qeverinë.

Çitaku akuzon LVV-në për uzurpim të Kuvendit: Dehari me urdhra të partisë i devijoi procedurat

1 d. më parë / 17 pri 2025 14:19
Vlora Citaku

Foto: Arkiv

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për uzurpim të Kuvendit. 
Sipas saj partia që ka fituar shumicën në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. E ka pamundësuar zhvillimin e seancës sipas Rregullores së Kuvendit. 

“Sot, Kuvendi i Republikës u uzurpua. LVV e shndërroi skenën parlamentare në teatër partie, duke pamundësuar zhvillimin e seancës sipas rregullores së punës. Rendi i ditës ishte i qartë: votimi i raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve. Asnjë paqartësi, asnjë arsye për zvarritje. Për miratimin e këtij raporti kërkohet shumicë e thjeshtë, jo konsensus. Jo manovra politike. Jo skenarë të porositur nga lart”, ka shkruar Çitaku në Facebook, pasi që kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ka ndërprerë seancën pa e hedhur në votim raportin e Komisionit për verifikim të mandateve. 

“Por kryesuesi i seancës, në përputhje me urdhrat e krerëve të partisë, devijoi nga procedura ligjore dhe ftoi për “konsultime”, një tentativë e qartë për të shtyrë procesin. Kjo është jo vetëm shkelje e rregullores, por një dhunim i vullnetit demokratik dhe institucional. Kjo është marrëzi”, ka shkruar tutje Çitaku. 

Ajo në postimin e saj ka paraqitur edhe një “skenar të vazhdimit të seancës konstiuive”, ku parashihej që Dehari ta hidhte në votim raportin e Komisionit për verifikim të mandateve. 

Haxhiu: I kemi votat

1 d. më parë / 17 pri 2025 13:47
haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka këmbëngulur se i kanë votat e mjaftueshme për formimin e institucioneve, por ka theksuar se është e domosdoshme që të zhvillohen konsultime për të gjetur një zgjidhje lidhur me bllokimin e procesit të konstituimit në Kuvendin e Kosovës.

Duke folur pas ndërprerjes së seancës nga kryesuesi të enjten, Haxhiu theksoi se mungesa e konsensusit në takimin konsultativ ka penguar përparimin e procesit.

“Letra që presidentja i ka drejtuar kryesuesit kërkon të gjendet zgjidhje për të mos u bllokuar konstituimi, dhe për ta gjetur këtë zgjidhje duhen konsultime. Pa konsultime, s’mund të ketë zgjidhje”, ka thënë ajo.

Sipas Haxhiut, Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të kontribuojë në çdo zgjidhje të mundshme.

“Si parti politike, duam ta korrigjojmë vendimin e gabuar të Kuvendit. Kemi vullnet që ai gabim të korrigjohet, por duhet të shohim se cila është mënyra më e përshtatshme,” ka thënë ajo, pas siç thotë ajo, një situatë e tillë nuk është e paraparë as në Rregulloren e Kuvendit, as në Kushtetutë apo në ndonjë ligj tjetër.

Ajo nënvizoi se deputetët e VV-së janë të gatshëm të kryejnë detyrat e tyre dhe të ofrojnë zgjidhje, duke lënë të hapur mundësinë që raportin ta hartojë ose komisioni ekzistues ose ndonjë komision i ri, “por mund të ketë edhe propozime të tjera”.

Kryesuesi Avni Dehari e mbylli seancën e sotme konstituive pa hedhur fare në votim pikën e parë të rendit të ditës, raportin e Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve. Është hera e dytë që dështon seanca konstituive. Kuvendi do të mblidhet të shtunën në orën 12:00.

Herën e parë, raporti i Komisionit mori vetëm 52 vota. Por Haxhiu po këmbëngul që VV-ja i ka votat e mjaftueshme, që janë së paku 61 për të zgjedhur kryeparlamentarin dhe kryeministrin. 

Kadrijaj e AAK-së: Raporti për verifikim të mandateve duhej të hidhej në votim

1 d. më parë / 17 pri 2025 13:43
Time Kadrijaj

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e zgjedhur e AAK-së, Time Kadrijaj, pas ndërprerjes së vazhdimit të seancës konstituive ka thënë se kanë pritur që seanca të vazhdojë. 

“Ne pritem që të ketë votim ndërsa krejt rastësisht konstatoi sa deputetë janë prezentë dhe pas konstatimit tregoi që meqenëse s’ka pas konsensus ... Kjo është antikushtetuese antiligjore. Ai është dashtë që këtë raport sot ta hedhë në votim. Nuk e kanë asnjë arsye”, ka theksuar Kadrijaj. 
 

Krasniqi: VV-ja s'e ka shumicën, prandaj po do që të blejë kohë

1 d. më parë / 17 pri 2025 13:37
memli krasniqi

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po e zvarritë mbarëvajtjen e seancës konstituive me qëllim të pazareve politike.

Pasi seanca konstituive u ndërpre dhe do të vazhdojë më 19 prill, Krasniqi para mediave ka theksuar se VV-ja po mundohet të blejë kohë për t’i bërë numrat e nevojshëm për formimin e institucioneve.

“Këta nuk kanë shumicë parlamentare e meqenëse nuk kanë po duan me ble kohë.. me i bo pazaret”, ka thënë ai.

Abdixhiku: Kryesuesi ndërpreu seancën pa të drejtë, edhe pse kishte kuorum

1 d. më parë / 17 pri 2025 13:35
bad

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, e ndërpreu seancën pa të drejtë dhe kundër Rregullores së Kuvendit.

Sipas Abdixhikut, seanca nuk duhej ndërprerë pasi kishte kuorum të mjaftueshëm për votim dhe duhej të vazhdohej me pikën e parë të rendit të ditës, miratimin e Raportit për Verifikimin e Mandateve.

“Qytetarët e kanë shumë qartë kush janë bllokuesit e vërtetë. Kryesuesi që rastis të jetë më i vjetri në moshë, rastisi të jetë nga partia e parë, veproi kundër Rregullores së Kuvendit, kundër praktikës kushtetuese, pa të drejtë ndërpriti seancën e sotme ndonëse kishte kuorum të mjaftueshëm, ndonëse kishte kushte për votimin... Është për keqardhje kjo praktikë bllokuese për institucionin më të lartë. Kjo është shkelje e rëndë, praktikë e rëndë, është sjellje e mbrapshtë politike”, u shpreh Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së ka thënë se do të mblidhen pas 48 orëve dhe do t'i shprehin në Kuvend këto shkelje. 

Kryesuesi Avni Dehari e mbylli seancën e sotme konstituive pa hedhur fare në votim pikën e parë të rendit të ditës, raportin e Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve. Është hera e dytë që dështon seanca konstituive. Kuvendi do të mblidhet të shtunën në orën 12:00.

Dështon sërish konstituimi i Kuvendit

1 d. më parë / 17 pri 2025 13:27
Kuvendi

Ka dështuar për të dytën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës.   

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ka ndërprerë seancën pa e hedhur në votim raportin e Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve, pasi ka thënë se në takim me përfaqësuesit e partive nuk pati konsensus. Ndërkaq, seancën e radhës e ka paralajmëruar për të shtunën në orën 12:00.

“Pati përfaqësues që i braktisën takimin. Nuk pati konsensus. Seanca do të vazhdojë brenda 48 orëve në orën 12:00, 19 prill. Me shpresë që deri atëherë të ketë pajtueshmëri”.

Krasniqi: Për ta votuar raportin për verifikim të mandateve do të duhej të ndryshonin rrethanat

1 d. më parë / 17 pri 2025 12:30
memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se nuk kanë ndryshuar qëndrimet sa i përket votimit të raportit për verifikimin e mandateve të deputetëve Ai ka theksuar se një gjë e tillë do të ndodhte nëse do të kishin ndryshuar rrethanat.

Kështu u shpreh ai para nisjes së vazhdimit të seancës konstituive.

"Është seanca e njëjtë por vazhdimi i seancës ka kuptim me ndryshu ndonjë qëndrim apo një vendim, kur ndryshojnë rrethanat dhe konteksti. Por në mungesë të ndryshimit të rrethanave, konteksti edhe vendimet dhe qëndrimet vazhdojnë me qenë të njëjta", ka deklaruar ai.

Haxhiu: Opozita, përgjegjëse për bllokimin e konstituimit të Kuvendit

1 d. më parë / 17 pri 2025 12:52
Albulena Haxhiu

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka akuzuar partitë opozitare për bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke deklaruar se pengesat vijnë nga kërkesat dhe veprimet e tyre në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Në një deklaratë për media, Haxhiu ka thënë se Rregullorja nuk lejon debat gjatë seancës konstituive, dhe për këtë arsye nuk mund të ketë diskutime mes partive politike brenda saj, duke iu përgjigjur LDK-së e cila pretendon se ftesa e kryesuesit Avni Dehari për konsultë gjatë seancë konstituive është jashtë procedurave.

“Ne e kemi përshëndetur ftesën e kryesuesit të seancës. AAK-ja tha se le të vazhdojmë aty ku kemi mbetur, por kjo nuk është e mundur pa e miratuar më parë Raportin për Verifikimin e Mandateve të deputetëve”, ka thënë Haxhiu, e cila ishte pjesë e mbledhjes së thirrur nga Dehari për konsulta.

Sipas Haxhiut, befasia tjetër ishte qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila kërkoi sërish dorëheqjen e ministrave në detyrë. Ajo sqaroi se dorëheqjet janë dhënë para mbajtjes së seancës konstituive të martën dhe se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është njoftuar për këtë para certifikimit të rezultateve.

“Ka një tendencë të qartë për ta bllokuar konstituimin e Kuvendit. Për këtë, përgjegjësia bie mbi partitë opozitare”, theksoi ministrja në detyrë.

VIDEO:

Dehari fton për konsulta partitë, opozita thotë se kryesuesi nuk e ka këtë mandat

1 d. më parë / 17 pri 2025 12:33
Kuvendi

Përfaqësuesit e partive politike parlamente janë ftuar për konsulta në një sallë për të diskutuar se si do të procedohet tutje me seancën konstituive të Kuvendit të enjten.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka thënë se konsulta po bëhet që të mos ketë ndonjë shkelje procedurale.

Por opozita ka thënë se kryesuesi nuk e ka këtë mandat dhe nuk mund të mbledhë partitë për çfarëdo raporti.

Doarsa Kica-Xhelili nga LDK-ja ka thënë se po marrin pjesë në takimin e Deharit vetëm për ta adresuar këtë problem. 

“E vetmja gjë e paprecedentë mbetet mënyra se si vazhdojnë të sillen këta (VV) me Rregulloren e Kuvendit e ligjet. Kjo që sapo bëri kryesuesi është rast i paprecedentë dhe nuk përkon me asnjë procedurë. Në këtë fazë nuk ka të drejtë që të ftojë akterët për shkak se po flasim për një çështje procedurale”, ka thënë deputetja e LDK-së.

VIDEO:

Gashi i LDK-së: VV-ja është mobilizuar, sot bëhet betimi i deputetëve

1 d. më parë / 17 pri 2025 12:17
Arben Gashi, LDK

Photo: Driton Paçarada

Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës pret që sot, 17 prill, të kalojë raporti për verifikimin e mandateve të deputetëve në Kuvend. Kjo do të ndodhë sipas tij, pasi parti në pushtet është mobilizuar për ta bërë një gjë të tillë sot.

“Çështja është politike, mendoj se do hedhet në votim dhe besoj që janë mobilizuar dhe e kalojnë raportin dhe sot bëhet betimi. Pastaj a do të zgjedhet kryetari, trupat tjera, a do të përfundohet konstituimi i Kuvendit apo do të fillojë menjëherë procesi i formimit të qeverisë janë çështje të shumicës, të numrave”, ka thënë ai.

Abdixhiku: S’po themi që qeverinë ta lëmë pa zot shtëpie, por dorëheqjet duhet të jepen

1 d. më parë / 17 pri 2025 11:52
Lumir Abdixhiku

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka insistuar se kryeministri e ministrat nuk mund të betohen si deputetë as sot, pa i dhënë dorëheqjet nga pozitat zyrtare.

Para nisjes së seancës konstituive, Abdixhiku ka thënë se Qeveria e Avdullah Hotit ka vepruar sipas procedurave katër vjet më parë, se ai e ministrat e zgjedhur deputetë kishin dhënë dorëheqje.

“4 vjet më parë në Kuvend kryeministri Hoti e ministri Zemaj nuk kishin ardhur në seancën konstituive për betim, shikoni janë incizimet, kishin ardhur në seancën pasuese pasi kanë dorëzuar  detyrat. Është rregull demokratik. Nuk po themi që qeveria të mbetet pa zot, po themi që këta individë që i kanë këto funksione s’mund t’i ushtrojnë ato. Fundja mund edhe të qëndrojnë në Qeveri, të mos vijnë në seancë, është çështje procedurale kushtetuese. Qëndrimi i LDK-së mbetet i njëjtë”, ka thënë ai.

Adem Hoxha i bashkohet GP të AAK-së

1 d. më parë / 17 pri 2025 11:34
Adem Hoxha-Ramush Haradinaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha, ka kaluar në grupin parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka konfirmuar këtë dhe ka thënë se janë të hapur për përfaqësues të komuniteteve të tjera.  

AAK-ja kishte mbetur me pesë deputetë. Sipas Rregullores së Kuvendit, që një grup parlamentar duhet të formohet duhet të ketë së paku gjashtë deputetë. Me aderimin e Hoxhës, AAK-ja pritet të ketë grup parlamentar të vetin.

Më 3 prill, Hoxha u pati takuar edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në ndërtesën e Qeverisë, për të diskutuar rreth formimit të institucioneve të reja.