Arbëri

S’e pret vendimin e organeve të drejtësisë, Peci vendos për lirimin e pronave në Stankaj

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, mori vendim edhe për lirimin e pronave të Institutit të Bujqësisë në Stankaj, ani se për to po zhvillohen procedura nga organet e drejtësisë. Ai e akuzoi Prokurorinë për mungesë të veprimeve rreth rastit. E, në Prokurorinë Themelore në Pejë thanë se që nga viti 2019 ka aktakuza për pronarët që ndërtuan në këto prona dhe se po hetohen pretendimet për tjetërsimin e tyre

Pa pasur vendim nga organet e drejtësisë rreth akuzave për ndërtime në toka të Institutit Bujqësor në Stankaj, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural inicioi një procedurë tjetër administrative për lirimin e këtyre pronave.

Bazuar në praktikat e sistemit të drejtësisë, kur fillon një procedurë penale, ato administrative të institucioneve pezullohen deri në një vendim gjyqësor.

Por ministri i Bujqësisë, Faton Peci, nuk i priti vendimet e këtyre instancave, të cilat i akuzoi për mosveprim.

“Jam në Stankaj të Komunës së Pejës, vendin në të cilin para një viti kam bërë denoncimin publik për njërin nga rasteve më abuzive dhe më flagrante me pronën shtetërore. Bëhet fjalë për ndërtimin e 24 vilave në pronën e Institutit Bujqësor të Kosovës me seli në Pejë. Si ministri, përkundër që kemi marrë të gjitha veprimet administrative, një veprim i tillë nuk është shoqëruar edhe me ndërmarrjen e veprimeve nga instancat e drejtësisë, në këtë rast nga prokuroria e shtetit. Si duket, pritja jonë ka qenë e kotë andaj si Ministër, sot kam marr vendim për lirimin e të gjitha objekteve nga pronat që janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme. Pres nga mekanizmat ekzekutivë dhe instancat shtetërore që ky vendim që ka baza ligjore të implementohet ditëve në vijim”, ka deklaruar Peci në një video të publikuar në rrjetet sociale.

Nga Prokuroria në Pejë bënë të ditur për KOHËN se që nga viti 2019 kanë ngritur aktakuza ndaj personave që kanë ndërtuar në këto prona.

“Në secilën aktakuzë të ngritur, prokurori i Shtetit i ka propozuar Gjykatës që të bëhet rrënimi i atyre objekteve, pasi të shpallen fajtor të pandehurit. Për rrënimin e atyre objekteve i drejtoheni Gjykatës kompetente. Po ashtu, procesi hetimor për pronat në fjalë është duke vazhduar, siç e kam bërë të ditur disa herë në media këtë çështje. Ministri në fjalë ka reaguar disa herë, po ne hetimet nuk mund t’i bëjmë publike siç kërkon ministri përkatës”, ka thënë Shkodran Nikçi, zëdhënës i kësaj prokurorie.

Brenda një dekade, rreth 100 hektarë tokë e prona të Institutit të Bujqësisë janë tjetërsuar. Sipas drejtorit të Institutit, Fehmi Geci, tjetërsimet kanë ndodhur me vendime të lëshuara gjatë viteve ‘90.

“Ministria apo zotëri Peci nuk i merr për bazë ndikimet e periudhës së masave të dhunshme, të cilat gjatë asaj kohe janë nxjerrë kontrata për shitjen e objekteve të Institutit Bujqësor, pasi i kemi realisht ato kontrata, janë nën pretekstin e privatizimin e pronave shoqërore, ndërsa në 93-n i kanë lidhur kontratat për shitblerjen dhe kanë konfirmuar aneks-kontratat për pagesa të objekteve dhe kryesisht ata janë kanë ish-punëtorë të Institutit Bujqësorë të Kosovës me kombësi serbe, malazeze e boshnjake”, ka thënë Geci.

Vitin e shkuar ministri Peci pati kërkuar hetime nga Prokuroria për tjetërsim të pronave dhe për ndërtim të rreth 25 vilave në Joshanicë të Pejës, respektivisht në Stankaj. Ai pati përmendur edhe uzurpime të tjera në pronat e Institutit.