Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë për KP se greva në arsim do të vazhdojë.
Duke iu përgjigjur ofertës së qeverisë, ai ka thënë se SBASHK-u s’është i kënaqur me propozimin për rritje 10 për qind.
“Oferta e Qeverisë është minimale. Disa sektorë nuk janë përfshirë fare, e disa të tjerë i bie që kanë rritje vetëm 10%. Dihet kërkesa jonë”, ka thënë ai. “Dihet, grevë do të ketë”.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, e Shkencës dhe e Kulturës me shumë gjasë nuk do ta pranojë ofertën e kryeministrit Ramush Haradinaj, për ngritjen e pagave.
Kjo, pasi sipas sindikalistëve, oferta e Qeverisë nënkupton ngritje të pagave vetëm për 10 për qind, derisa ata insistojnë që kjo ngritje të arrijë në 30 për qind të koeficienteve të punëtorëve të arsimit.
Ymer Ymeri, menaxheri për Financa në SBASHK, ka konfirmuar për Kohën Ditore, se brenda pak minutash do të mblidhet Këshilli Drejtues i SBASHK-ut, ku do të merret vendimi përfundimtar rreth pranimit ose jo të ofertës.
“Ngritja prej 10 për qind është shumë e vogël në krahasim me atë që ne po e kërkojmë, dhe në bazë të deklarimeve që i morëm deri tash nga anëtarët e Këshillit, oferta ka gjasa do të refuzohet”, ka thënë ai, duke shtuar se vendimi përfundimtar do të merret së shpejti.