Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se Qeveria Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kanë qëndrim armiqësor ndaj SBASHK-ut dhe sindikatave, duke shtuar se kanë tentuar t’ia shuajnë sindikatave zërin arsimor.
Ai ka thënë para protestuesve të mërkurën se SBASHK-u nuk shuhet dot “sepse është unitet i kalitur nëpër vite e dekada.
“Qeveria Kurti dhe në këtë rast ministrja Nagavci kanë vazhduar me qasje të gabuar dhe me qëndrimin deri armiqësor ndaj SBASHK-ut dhe sindikatave. U munduan ta shuajnë SBASHK-un që të heshtin zërin tonë arsimor dhe të mos dëgjohen kërkesat e tyre legjitime, por SBASHK-u nuk shuhet dot sepse është unitet i kalitur nëpër vite e dekada, bazuar në respektin dhe besimin e anëtarësisë ndaj udhëheqësve e veprimtarëve sindikalë. Ministrja Nagavci asnjëherë s'u bë zëri i punëtorëve në arsim dhe asnjëherë nuk foli në Qeveri e nuk kërkoi të debatohej për kërkesat legjitime të punëtorëve të arsimit. Ajo u mundua ta mohojë e zhvlerësojë njëanshëm kontratën kolektive të arsimit dhe deklaronte se do të bisedohet për kontratën e re”, ka thënë Jasharaj.
Ai ka shtuar se Nagavci ka mashtruar, duke mos pranuar dialog e negocim me mësimdhënësit.
“Ajo nuk do dialog e as negocim e mos të harrojë Nagavci se duke qenë kundër kontratës kolektive të arsimit është kundër punëtorëve të arsimit”, tha Jasharaj.
(Përditësuar 13:00) - Protestuesit: Ministre, duke qenë kundër kontratës kolektive, ti je kundër punëtorëve të arsimit
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka kërkuar rritje të pagave dhe kontratë kolektive për mësimdhënësit.
Protestuesit po qëndrojnë para objektit të Ministrisë së Arsimit, duke i bërë thirrje ministres Nagavci që t'iu dalë në përkrahje.
Në njërën pankartë thuhej: “Ministre, duke qenë kundër kontratës kolektive, ti je kundër punëtorëve të arsimit”
SBASHK-u proteston, kërkon rritje pagash e kontratën kolektive
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) do të protestojë sot (e mërkurë, 4 dhjetor), në kërkim të rritjes së pagave dhe zbatim të vendimit për kontratën kolektive. E nëse institucionet nuk reflektojnë, drejtues të SBASHK-ut s’i kanë përjashtuar as grevat.
Protesta para objektit të Qeverisë do të mbahet me fillim prej orës 12:30.
Një ditë më parë, drejtues të kësaj sindikate janë takuar edhe me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci. Por sipas SBASHK-ut takimi rezultoi pa marrëveshje.
Para dy vjetësh, Ministria e Arsimit ka shkëputur kontratën kolektive me SBASHK-un, me arsyetimin se në kohën kur është nënshkruar, ministri i Qeverisë ishte në detyrë dhe ka pasur mungesë legjitimiteti.
Sindikata ka nënshkruar tri kontrata kolektive me pushtetin qendror.
Një në vitin 2014, 2017 dhe tjetra më 2021. Këto kontrata iu mundësojnë mësimdhënësve mbulimin e shpenzimeve për udhëtim, kompensim të shujtës dhe shpërblim jubilar.
Implikimet financiare të këtyre kontratave kanë rënduar kuletën e komunave, pasi asnjëherë në përpilimin e buxhetit vjetor nuk është planifikuar kostoja e detyrimeve që dalin nga kontrata kolektive.
Për mosarritjen e përmbushjes së këtyre detyrimeve, mësimdhënësit kanë paditur komunat, të cilat raste i kanë fituar në gjykatë. Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës, niveli lokal është dëmtuar mbi 120 milionë euro nga paditë e mësimdhënësve.
Për herë të fundit, mësimdhënësit kanë mbajtur grevë në fillim të vitit shkollor 2022-2023, për një muaj.
Së fundi, Qeveria ka vendosur të rrisë sasinë e koeficienteve të pagave për sektorin publik, duke nisur nga 1 janari, e ku përfshihen edhe mësimdhënësit.