Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, javën e ardhshme do të jetë sërish në Kosovë.
Sarrazin do të marrë pjesë në Forumin e dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar më 2-3 tetor në Prishtinë. Pos Sarrazinit pjesëmarrës do të jetë edhe anëtari i Bundestagut të Gjermanisë, Peter Beyer, ka njoftuar Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare.
“Së bashku me ekonomistë të shquar nga Kosova dhe Gjermania, ata do të diskutojnë zhvillimet gjeopolitike dhe ndikimin e tyre në ekonominë globale, rajonale, dhe marrëdhëniet gjermano-kosovare. Ky forum do të mbledhë mbi 700 të ftuar nga Kosova dhe Gjermania, përfshirë zyrtarë të lartë nga të dyja vendet. Përfaqësues të nivelit të lartë nga Ministria Federale për Çështje Ekonomike dhe Veprim Klimatik (BMËK), së bashku me përfaqësues ekzekutivë të kompanive të mëdha gjermane, do të jenë pjesë e paneleve që do të diskutojnë zgjidhjet për energjinë, teknologjinë dhe industrinë”, u tha nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare.
Forumi i parë Ekonomik Gjermano-Kosovar u mbajt në vitin 2022, ndërsa solli një investim prej 20 milionë eurosh në sektorin e prodhimit në Kosovë.