Arbëri

Sarrazin: Sorenseni do t’i vë theks të ri dialogut Kosovë-Serbi

Manuel Sarrazin

I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se emisari i ri i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen do t’i vë theks të ri dialogut, si dhe do të përpiqet të arrijë përparim në afrimin e dy vendeve. 

Ai ka shtuar se me Sorensenin do të punojnë ngushtë në javët dhe muajt e ardhshëm. 

“Më parë, Gjermania dhe unë personalisht, kishim për detyrë të mbështesnim punën e institucioneve evropiane dhe kryenegociatorit të BE-së. Ne do të punojmë ngushtë së bashku në javët dhe muajt e ardhshëm. Kjo sigurisht do të vlejë për qeverinë e re gjermane. Sepse Gjermania mbështet qasjen evropiane ndaj dialogut dhe njerëzit që e udhëheqin atë”, ka shtuar Sarrazini në një intervistë dhënë “DW-së”. 

Derisa ka thënë se Sorenseni është personi i duhur për postin që e ka marrë, Sarrazini ka deklaruar se është koha që të punohet më shumë drejt zgjidhjes përfundimtare. 

“Shpresoj se tani puna thelbësore për zgjidhjet do të fillojë përsëri. Është koha për të punuar shumë për të gjetur zgjidhje konkrete. Unë besoj se z.Sorensen është personi i duhur për këtë detyrë”, është shprehur ai.

Sarrazini ka shtuar se pret që Qeveria e re në Kosovë të formohet sa më shpejt dhe të angazhohet në dialog.

“Duhet të presim dhe të shohim se si do të zhvillohet situata politike në Republikën e Kosovës. Do të ishte e dëshirueshme që një qeveri të formohej sa më shpejt dhe qeveria e re të angazhohej aktivisht në dialog. Natyrisht, këtë e presim edhe nga Serbia. Megjithatë, nuk na takon neve të vendosim se si do të vazhdojë procesi i formimit të qeverisë në Republikën e Kosovës. Ky është një vendim i marrë nga Kosova”, ka theksuar ai.