Arbëri

Sarrazin: Dhamë garanci që të lejohet kalimi i mallrave serbe

Manuel Sarrazin

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se i kanë dhënë garanci Qeverisë së Kosovës që të lejojë lëvizjen e mallrave serbe, por në të njëjtën kohë, shtoi se nuk i neglizhojnë shqetësimet e sigurisë, sidomos pas Banjskës.

Nga 8 tetori, kamionët me mallra serbe mund të kalojnë vetëm në pikën kufitare të Merdarit – 15 muaj pasi Qeveria e Kosovës vendosi për ndalimin e tyre “shkaku i çështjeve sigurisë”.

Në një intervistë për "Atlantic Council" të premten, emisari gjerman ka thënë se kanë dhënë garanci që Kosova të lejojë qarkullimin e mallrave serbe derisa të sigurohen skanerët. Por ka theksuar se nuk i neglizhojnë as shqetësimet e sigurisë pas asaj që ndodhi në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, ku u vra polici Afrim Bunjaku.

Sarrazini bëri të ditur se Gjermania, Komisioni Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’ia dhurojnë nga një skaner Kosovës. Megjithatë, u shpreh se nuk është e lehtë të blihen skaner të tillë pasi “ka procedura”.

I pyetur për një afat kohor se kur mund të vijnë skanerët, Sarrazini nuk dha përgjigje konkrete.

Emisari është i vetëdijshëm që situata në pikat kufitare Kosovë - Serbi nuk është perfekte, por ka thënë se po kontribuojnë që situata të përmirësohet. 

Qeveria e Kosovës ka thënë se posa të vijnë skanerët, do të hapen të gjitha pikat kufitare me Serbinë për qarkullim të mallrave. 

Sarrazini ishte një nga më të angazhuarit për ta shtyrë Kosovën ta heqë ndalesën për mallrat serbe, rrjedhimisht ta zhbllokonte CEFTA-n (Tregun e Përbashkë Rajonal) e të merrte pjesë në takimin e 15 tetorit në kuadër të Procesit të Berlinit me emrin Republika e Kosovës dhe jo më me UNMIK. Paraprakisht, Sarrazin e kishte paralajmëruar Qeverinë se Procesi i Berlinit mund të vazhdojë tutje pa Kosovën.

Emisari gjerman në intervistë deklaroi se Qeveria në Prishtinë po i befason me vendime të pakoordinuara në veri, saqë sipas tij, po vështirëson lobimin për Kosovën në institucionet evropiane.

Ai falënderoi liderët e Kosovës dhe Serbisë për, siç thotë, kompromisin që bën për CEFTA-n.