Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), përfundimisht me 31 janarin e vitit 2025, kanë 398 sanksione aktive ndaj individëve, kompanive dhe organizatave nga Ballkani Perëndimor.
Bindshëm, më shumë sanksione kanë të bëjnë me Bosnjë-Hercegovinën (177), pasuar nga Serbia (80), Kosova (60), Maqedonia e Veriut (46), Shqipëria (23) dhe Mali i Zi (11). Një masë ndëshkuese lidhet me një person nga Kroacia.
Zëri i Amerikës ka krijuar bazën e parë hulumtuese të të dhënave që përfshin të gjitha sanksionet e Zyrës për Kontrollin e Pasurive të Huaja të Sekretariatit të Financave të SHBA (OFAC) dhe sanksionet e shqiptuara nga Departamenti i Shtetit gjatë periudhës 2017-2024.
“Sanksionet janë një nga mjetet më të rëndësishme të politikës së jashtme të SHBA-së”, thotë Richard Nephew, ekspert për sanksionet që deri vonë ishte koordinator i Departamentit të Shtetit për luftën globale kundër korrupsionit. “Ato na japin mundësinë të merremi me aktorët armiqësorë dhe të ushtrojmë presion mbi ata për të cilët dëshirojmë të marrin një vendim të caktuar politik”.
John Smith, ish-drejtor i OFAC, thotë se objektivi parësor i sanksioneve amerikane është “të parandalohen dhe ndalen aktivitete të caktuara shqetësuese dhe që individë të ndryshojnë sjelljen e tyre”. Ai shton se është e rëndësishme të përmendet se shumica e sanksioneve amerikane, përfshirë edhe ato për Ballkanin Perëndimor, nuk janë të orientuara kundër shteteve në tërësi, por kundër individëve dhe organizatave.
SHBA-ja ka vendosur sanksione për Ballkanin Perëndimor kryesisht në dy periudha kohore. Midis vitit 2001 dhe 2004, ato u vendosën për shkak të krimeve të luftës, destabilizimit të shteteve dhe rrezikimit të paqes pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Pas një periudhe më të gjatë me vetëm disa sanksione në vit, këto masa politike u bënë sërish aktuale nga viti 2021 dhe kryesisht kanë të bëjnë me korrupsionin, rrezikimin e paqes dhe stabilitetit, si dhe në invazionin e Rusisë në Ukrainë.
Ndër të tjerë, gjatë katër viteve të fundit, janë sanksionuar shumë zyrtarë të lartë, sikurse presidenti i Republikës Sërpska në Bosnjë-Hercegovinë, Milorad Dodik, ministrat në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin dhe Nenad Popoviq, ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, presidenti i dikurshëm i Serbisë dhe Malit të Zi, Svetozar Maroviq, ish-kryeministri i Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, Fadil Novaliq.
“Gjatë disa viteve të kaluara kemi parë shumë aktorë të ndryshëm në Ballkanin Perëndimor, të cilët rrezikojnë stabilitetin e vendeve të rajonit. Ata mund ta bëjnë këtë në mënyra të ndryshme, duke minuar proceset demokratike, duke rrezikuar të drejtat e njeriut ose duke u përfshirë në korrupsion që i rraskapit këto vende”, – thotë Nephew që tash është hulumtues i lartë në Universitetin e Kolumbisë.
Zëri i Amerikës ka verifikuar se sanksionet e tjera për Ballkanin Perëndimor më së shpeshti janë shqiptuar për terrorizëm, krim të organizuar dhe tregti me narkotikë.
Më shumë sanksione të reja për Dodikun dhe bashkëpunëtorët e tij
Që nga luftërat në hapësirën e Jugosllavisë së dikurshme, presidentët e SHBA-së çdo vit rinovojnë gjendjen e jashtëzakonshme për rajonin e Ballkanit Perëndimor, gjë që lehtëson mbajtjen e sanksioneve të vjetra dhe vendosjen e të rejave. Sanksionet gjithashtu shpallen për arsye që paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së, në bazë të akteve ligjore ose dekreteve presidenciale.
Shumica e sanksioneve në bazën e të dhënave të Zërit të Amerikës është shqiptuar nga OFAC – 341 – dhe ato janë kategorizuar në lista të ndryshme. Lista më e madhe është lista “Balkans“, me 152 persona dhe 16 kompani dhe organizata. Ndër të tjera, në të gjenden kriminelët e luftës Radovan Karaxhiq, Veselin Shlivançanin, Milan Martiq dhe Ratko Mladiq, anëtarë të familjes së Slobodan Milosheviqit, si dhe organizata si Lëvizja Çetnike e Ravnagorës dhe AKSH-ja.
Të gjitha sanksionet në listën “Balkans“ – përveç Milorad Dodikut – janë shqiptuar në periudhën 2001-2004.
Dodiku është sanksionuar për herë të parë në janar të vitit 2017 për shkak të obstruksionit të Marrëveshjes Paqësore të Dejtonit, dhe ishte edhe i pari zyrtar nga Bosnjë-Hercegovina i sanksionuar në bazë të dekretit “EO 14033“ në janar të vitit 2022. Atëherë, si arsye u përmendën minimi i institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës, puna për krijimin e institucioneve paralele në Republikën Sërpska, aktivitete korruptive dhe retorika etno-nacionaliste.
Përfshirë Dodikun, në listën “EO 14033“ të OFAC janë gjithsej 76 persona fizikë dhe juridikë, kryesisht nga Bosnjë-Hercegovina, dhe kryesisht bashkëpunëtorë të Dodikut dhe anëtarë të familjes së tij. Mes tyre janë anëtarja e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq, fëmijët e Dodikut, Igori dhe Gorica, si dhe një varg individësh dhe kompanish të lidhur me ta.
Sanksionet në këtë listë janë vendosur në bazë të dekretit ekzekutiv me të njëjtin emër, me të cilin presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Joe Biden, zgjeroi autorizimet për sanksionim në Ballkanin Perëndimor. Përveç rrezikimit të stabilitetit dhe marrëveshjeve të paqes, si shkas potencial për masat ndëshkuese amerikane për herë të parë është përmendur “korrupsioni i përhapur“.
Në një konferencë për medie më 23 janar 2025, Dodiku deklaroi se sanksionet e SHBA-së janë treguar si të pasuksesshme dhe të pakuptimta. Prapë se prapë, ngjarjet nga 12 muajt e kaluar nuk shkojnë plotësisht në favor të këtij pohimi.
Pasi autoritetet amerikane në mars të vitit 2024 paralajmëruan bankat në Bosnjë-Hercegovinë që të mos punojnë me individët dhe kompanitë të sanksionuara, bankat filluan t’ua mbyllin llogaritë. Një nga pasojat është se zyrtarët, madje as Dodiku, nuk mundën t’i marrin më pagat e tyre.
“Një pjesë e qëllimit tonë është që të paralajmërojmë bankat se ka aktorë të këqij dhe se duhet të jenë të shqetësuara për këtë, se rrezikojnë që edhe vetë t’u ekspozohen (sanksioneve)“, – shpjegon Nephew.
“Shumë prej këtyre bankave ndoshta nuk kanë mendim për një individ të caktuar, por kanë mendim për mundësinë e tyre për të pasur akses në sistemin financiar amerikan. Kjo është fuqi që mund ta përdorim.”
Smith, i cili tash është partner në zyrën e avokatisë Morrison Forester, i ngarkuar për sigurinë kombëtare, thotë se kjo është një praktikë e shpeshtë:
“Edhe gjatë kohës sime në OFAC, do të udhëtonim anembanë botës dhe do t’u rekomandonim bankave dhe kompanive të tjera prestigjioze që të mos bëjnë biznes me ata që janë sanksionuar.”
Në përpjekje për të shmangur masat ndëshkuese, në Republikën Srpska janë hapur firma të reja me emra të ndryshëm, por me një strukturë pronësie të ngjashme ose të njëjtë me ato që janë nën sanksione. Mirëpo, autoritetet amerikane kanë zbuluar aktivisht këto përpjekje dhe kanë vendosur sanksione të reja.
Gorica Dodik më 18 janar 2025 në rrjetin ”X“ publikoi se e mbyll restorantin Agape, pasi llogaritë i janë shuar, për çka të punësuarve nuk është e mundur t’u paguhen rrogat.
Kompania Agape u sanksionua në tetor të vitit 2023, ndërsa OFAC në dhjetor të vitit 2024 futi në listë edhe kompaninë Best Service, duke thënë se “është regjistruar në të njëjtën adresë si dhe Agape dhe se, sikur Agape, operon në sektorin e shërbimeve të restoranteve dhe ushqimit në RS”.
“Pasojat janë të shumëfishta. Kemi një numër të madh firmash ku njerëzit kanë humbur punën, të cilat kanë ndërprerë punën pikërisht për shkak të faktit që u janë mbyllur llogaritë,“ – thotë Ivana Korajliq, drejtoreshë ekzekutive e organizatës Transparency International Bosnjë-Hercegovinë.
“Ajo që do të thosha si një efekt pozitiv që mund ta presim vetëm në afat të gjatë është se regjimi i korruptuar do ta ketë gjithnjë e më të vështirë të sigurojë dëgjueshmërinë e kolegëve të vet partiakë, të cilët me siguri do të duhet të mendojnë më mirë kur hyjnë në “deal”-e të caktuara ose kur marrin vendime të caktuara, se vërtet nuk mund të jenë të mbrojtur në këtë aspekt, që nuk do të përballen me sanksione dhe nuk do të vuajnë pasoja të tilla siç është pamundësia për të pasur një llogari bankare dhe pamundësia e veprimtarisë financiare,“ shton Korajliq.
Sanksionet e Departamentit të Shtetit dhe ndalesa e hyrjes në SHBA
Përveç listës “Balkans“ dhe “EO-14033“, numri më i madh i atyre nga Ballkani Perëndimor që ka sanksionuar OFAC ndodhet në listat “GLOMAG“ (52) dhe “Russia-EO 14024“ (18).
Sanksionet GLOMAG vendosen për shkak të rrezikimit të të drejtave të njeriut, korrupsionit dhe krimit, në bazë të Ligjit Magnitski, të quajtur sipas avokatit Sergej Magnitski, i cili vdiq në një burg rus pasi hulumtoi mashtrimet potenciale tatimore. Në këtë listë ndodhen kompani dhe individë nga Serbia dhe Kosova.
Për shembull, në dhjetor 2021 u sanksionua Zvonko Veselinoviq, për të cilin Sekretariati i Financave tha se ishte lider i grupit të organizuar kriminal dhe “një nga personat më të korruptuar në Kosovë“. Po në të njëjtën listë u fut atëherë edhe Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ndaj të cilit autoritetet kosovare më 2024 ngritën akuza për terrorizëm dhe rrezikim të rendit kushtetues të Kosovës, për sulmin ndaj policisë në Banjskë.
Smith thotë se korrupsioni si arsye për sanksione filloi të përmendet pikërisht gjatë periudhës së miratimit të Ligjit Magnitski, më 2012, “kur qeveria e kuptoi se, nëse keni korrupsion, kjo shpesh çon në shumë shqetësime të tjera të ndërlidhura, shpesh atje ku keni zyrtarë ose ata që janë të lidhur me zyrtarët që vjedhin resurse nga shteti ose abuzojnë padrejtësisht me pozitat e tyre“.
Sipas tij, një tjetër arsye pse korrupsioni po shfrytëzohet gjithnjë e më shumë si shkak për sanksione është se është më e lehtë për t’u provuar, sepse e rregullojnë ligjet: “Shumica e vendeve nuk lejojnë që të vidhni fondet publike ose të keqpërdorni pozitat tuaja, kështu që njerëzit e kanë më lehtë të kuptojnë se çfarë janë këto sanksione“.
Sanksionet nga lista “Russia-EO 14024“ u shqiptuan për shkak të pushtimit rus në Ukrainë dhe mbështetjes së aktiviteteve të dëmshme të Rusisë kundër SHBA-së dhe partnerëve të saj, përfshirë ndihmën për industrinë ushtarake ruse dhe shkeljen e së drejtës ndërkombëtare.
Emri më i zëshëm në këtë listë është Industria e Naftës e Serbisë (NIS), e cila u fut më 10 janar 2025 si një degë e Gazpromneftit. NIS kërkoi nga OFAC, në fillim të shkurtit, një shtyrje të sanksioneve për 90 ditë.
Ndonjëherë sanksione vendosin paralelisht edhe OFAC-i, edhe Departamenti i Shtetit, për shembull në rastet e ish-drejtorit të Agjencisë Informative dhe të Sigurisë së Bosnjë-Hercegovinës, Osman Mehmedagiq, ose ish-drejtorit të shërbimit sekret të Maqedonisë së Veriut, Sasho Mijalkov.
Për dallim nga masat e OFAC-it, të cilat kryesisht lidhen me ndalimin e aktiviteteve ekonomike dhe financiare dhe bllokimin e pasurive, Departamenti i Shtetit, zyrtarëve të sanksionuar dhe anëtarëve të familjeve të tyre ua ndalon hyrjen në SHBA, në bazë të Nenit 7031(c) të Ligjit për ndarjen e Buxhetit për Departamentin e Shtetit.
Në bazën e të dhënave të Zërit të Amerikës janë përfshirë gjithsej 57 masa të tilla të Departamentit të Shtetit.
Nephew shpjegon se të dyja institucionet amerikane që vendosin sanksione për Ballkanin Perëndimor, ndjekin një proces të ngjashëm. Kjo përfshin mbledhjen e informacioneve, dëshmimin e rasteve, verifikimin nëse sanksionet mund të shqiptohen në përputhje me dispozitat amerikane, konsultimet me segmente të tjera të qeverisë dhe shqyrtimin e llojit të sanksioneve, si dhe në fund marrjen e vendimit.
Sipas fjalëve të tij, procesi ndonjëherë mund të jetë i shpejtë – si në rastin e vendosjes së sanksioneve për familjen Gadafi në Libi, që zgjati rreth 12 orë – e ndonjëherë mund të zgjasë shumë më tepër “për shkak se është më e vështirë të gjenden prova, ka mospajtim me bazën ligjore”, ose për arsye të tjera.
“Nuk e di nëse ekziston një mesatare e përkryer, por mendoj se gjithmonë mund të supozoni se do të duhen të paktën disa muaj, tre apo katër muaj, ose diçka e tillë,“ – thotë Nephew.
Sa janë efikase sanksionet
Gjatë vendosjes së sanksioneve, në arsyetime si pasoja përmenden më së shpeshti ndalimi i hyrjes në SHBA, bllokimi i pasurive dhe bizneseve në SHBA, si dhe ndalimi i veprimtarisë me kompani dhe shtetas amerikanë.
Duke pasur parasysh se të sanksionuarit nga Ballkani Perëndimor të shpeshtën nuk kanë pasuri ose interesa financiare në SHBA, kurse në shumë raste vazhdojnë të marrin pjesë në jetën publike, të kandidojnë dhe të fitojnë mijëra vota në zgjedhje, si dhe të mbajnë pozita të rëndësishme, në publik shpesh shtrohet pyetja për efikasitetin e sanksioneve.
Ruggero Scatturo, analist i lartë në Iniciativën Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional, është një ndër autorët e raportit mbi efikasitetin e sanksioneve në Ballkanin Perëndimor, të publikuar në dhjetorin e vitit 2024. Ai thotë për Zërin e Amerikës se ndikimi i sanksioneve nuk është i njëjtë në të gjitha vendet.
Për shembull, thotë Scatturo, në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut ka pasur raste që politikanë dhe parti në pushtet janë distancuar nga individët e sanksionuar për të mbrojtur reputacionin e tyre.
“Për dallim nga kjo, në vende si Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia, definitivisht kemi identifikuar skenarë plotësisht të tjerë, ku individë kanë avancuar deri në pozita të larta ministrore dhe role më të rëndësishme sesa që kishin para se të sanksionoheshin,” – deklaron Scatturo, duke shtuar se kjo kontribuon në perceptimin se sanksionet amerikane kanë efektshmëri të kufizuar.
Aleksandar Vulin u përfshi në listën e OFAC-it “EO 14033” në korrik të vitit 2023, kur ishte shef i Agjencisë për Siguri dhe Informative të Serbisë (BIA), për shkak të “përfshirjes në krim të organizuar transnacional, operacione ilegale në lidhje me narkotikët dhe keqpërdorimit të funksionit publik”. Në nëntor ai dha dorëheqje, duke thënë se ishte një lëshim pe në mënyrë që SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE) të mos e shantazhojnë Serbinë. Megjithatë, në prill të vitit 2024, ai u bë nënkryetar i Qeverisë së Serbisë.
Sa shpesh i përditëson OFAC-i të dhënat?
Ndërtesa e Departamentit të Thesarit të SHBA-së. Fotografi nga arkivi.
Të dhënat e OFAC-it nuk janë gjithmonë të plota dhe të sakta, prandaj disa emra janë shkruar gabim, kurse te shumë sanksione më të vjetra nuk është përmendur shteti, për shembull, shkruan “Serbi dhe Mal i Zi”. Në këto raste, Zëri i Amerikës në bazën e vet ka shtuar të dhëna duke u mbështetur në vendin e lindjes ose në vendin në të cilin individi ose kompania ka zhvilluar aktivitetet për të cilat është sanksionuar.
OFAC-i përkohësisht, por jo edhe rregullisht, i përditëson të dhënat në listat e veta – për shembull, kur një person nga lista vdes, ose kur paraqiten arsye të tjera për heqjen e sanksioneve.
Slobodan Stanković, dikur një nga biznesmenët më të fuqishëm në Bosnjë-Hercegovinë, është sanksionuar në tetor të vitit 2022 për shkak të mbështetje së Milorad Dodikut dhe “lidhjes me korrupsionin”. Ai vdiq në shkurt të vitit pasues dhe pas kësaj OFAC e hoqi nga lista.
Arsye për heqjen nga lista e të sanksionuarve mund të jetë edhe vendimi gjyqësor. Aleksandar Karaxhiq, djali i Radovan Karaxhiqit, është hequr nga lista “Balkans” pasi e paditi OFAC-un.
Skaturo thotë se analiza e tij ka treguar se shumë individë nën sanksione e keqpërdorin këtë dhe “paraqiten si viktima të diskriminimit politik të SHBA-së ose të Mbretërisë së Bashkuar”, ndërsa në vende si BeH, mbështetja publike për të sanksionuarit ndonjëherë edhe rritet, “sidomos kur sanksionet konsideron si politikisht të motivuara ose të padrejta”.
Korajliq përmend se në BeH kryesisht nuk vihet në dyshim arsyeshmëria e sanksioneve për korrupsionin “përveçse në atë pjesë që ka një perceptim të qartë se me këto sanksione nuk janë mbuluar të gjithë ata që do të duhej”, por se me sanksionet për destabilizim dhe mosrespektim të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit manipulohet dhe zyrtarët i paraqesin ato “si sulm kundër gjithë popullit”.
Sipas fjalëve të saj, para se bankat të fillonin t’i mbyllnin llogaritë, sanksionet konsideroheshin një lloj vërejtjeje publike: “Vetëm atëherë kjo u kuptua seriozisht dhe vetëm atëherë dha efekte, nëse jo asgjë tjetër, të paktën si paralajmërim për vendimet e ardhshme që potencialisht mund të marrë çdo bartës i funksionit publik”.
Sanksionet nuk e ndryshuan shumë sjelljen e Dodikut dhe të atyre që e mbështesin. Për shembull, zyrtarët e RS-së vazhduan të shënojnë Ditën e RS-së më 9 janar – edhe pse Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës tashmë dy herë këtë e ka vlerësuar si jokushtetues, arsye kjo për të cilën edhe është vendosur një pjesë e sanksioneve.
“Është më thjesht të thuhet se po përdorim sanksionet për të ndryshuar sjelljen. Nëse impononi sanksione ndaj një personi të përfshirë në terrorizëm, dëshironi që ai të ndalojë të jetë terrorist dhe të merret me terrorizëm,“ – thotë Nephew.
“Me gjasë, ata nuk do ta bëjnë këtë. Pra, ekziston një qëllim tjetër, e ky është që ta vështirësojmë marrjen me terrorizëm.“
Bashkëbiseduesit e Zërit të Amerikës thonë se një nga pasojat e sanksioneve amerikane do të duhej të jetë edhe reagimi i institucioneve lokale, të cilat potencialisht do të zhvillonin hetime mbi të dhënat nga arsyetimi i sanksioneve. Në praktikë, kjo ndodh rrallë.
Në shtator të vitit 2024, Transparency International BeH ka paraqitur padi kundër Prokurorisë së BeH për shkak të mosdhënies së informacioneve nëse kjo prokurori ka hetuar të dhënat e OFAC-it për përfshirje të zyrtarëve në korrupsion.
“Në fund, individët shpesh mund të veprojnë pa u merakosur për pasojat juridike ose madje edhe të reputacionit,“ thotë Skaturo.
“Sanksionet mund të sjellin njëfarë forme të ndryshimit të sjelljes, por suksesi i tyre vërtet është i kufizuar nga dinamika politike lokale.“
Nephew thotë se ndonjëherë është e rëndësishme të cilësosh “disa nga këta individë si aktorë të korruptuar“. Ai shton se në Shqipëri ka pasur raste kur autoritetet kanë zhvilluar hetime për individë të sanksionuar dhe se kjo tregon se një masë e tillë ndëshkuese amerikane “ndoshta nuk ka pasoja të mëdha financiare për aktorin e keq, ama se mund të ketë një ndikim shumë më të gjerë në një vend të caktuar dhe në sistemin e drejtësisë.“
Bashkëbiseduesit e Zërit të Amerikës janë dakord se sanksionet amerikane do të ishin më efikase kur ato do t’i vendoste Bashkimi Evropian ku zyrtarë dhe kompani kanë pasuri dhe interesa financiare , por edhe udhëtojnë shumë më shpesh nëpër vendet evropiane.
Megjithatë, deri tani, anëtarët e BE-së nuk janë dakorduar për sanksionet për Ballkanin Perëndimor. Për shembull, Hungaria dhe kryeministri i saj Viktor Orban janë kundër sanksioneve për Dodikun, edhe pse Parlamenti Evropian e ka propozuar këtë.
Departamenti i Shtetit dhe OFAC-i nuk iu përgjigjën pyetjeve të Zërit të Amerikës në lidhje me efikasitetin e sanksioneve.
(Përktheu: KDP)