Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se prona e ish-hotelit “Vicianu” në Vushtrri, do të mbetet vetëm pronë publike.
Në vitin 2011, Ministria e Drejtësisë kishte anuluar kontratën e ish-drejtuesve të këtij institucioni, që pronën publike ia kiishin dhënë në shfrytëzim një personi privat.
MD-ja kishte vlerësuar se prona prej 2 hektarë, 12 ari e 17 metra katrorë, ishte dhënë pa asnjë bazë ligjore. Rasti ishte dërguar fillimisht në Themelore, që i dha të drejtë MD-së, ndërsa të drejtë i dha edhe Gjykata e Apelit, ka thënë Sallahu.
“Jam shumë i lumtur të ju njoftoj se ky vendim është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit. E njëjta përmes një aktvendimi të datës 27.10.2023, ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e paditësit ‘Erisi’ Sh.P.K. me seli në Mitrovicë. Përmes këtij aktvendimi gjykata ka vërtetuar edhe një herë si të ligjshëm dhe të drejtë, vendimin e datës 23.09.2021. Në lidhje me këtë, si Ministri e Drejtësisë, patëm dorëzuar edhe kallëzim penal kundër ish-ministrit të drejtësisë dhe ish-drejtorit të Shërbimit Korrektues. Natyrisht, Prokuroria Speciale ka vendosur ta hedh poshtë kallëzimin penal edhe pse përveç posedimit të paligjshëm, aty është rrënuar edhe prona publike në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, mirëpo, lufta dhe ballafaqimi ynë në mbrojtje të publikes asnjëherë nuk do të ndalet”, ka shkruar Sallahu në Facebook.