Blerim Sallahu i Lëvizjes Vetëvendosje ka deklaruar se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje nëse edhe të hënën (21) prill dështon të zgjidhet kryetari i Kuvendit.
Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë ka shkruar në Facebook se Albulena Haxhiu është propozuar për kryeparlamentare pasi “është në pesëshen më të votuar në parti dhe gruaja më e votuar në Republikën e Kosovës”.
Sallahu ka shtuar se pret që legjitimiteti dhe legaliteti të jetësohen në Kuvend, në mënyrë që siç u shpreh ai, të parandalohet shkelja e serishme e Kushtetutës.
“Ndryshe, nëse Kuvendi mbahet i bllokuar atëherë e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet. Pra, marrëveshje për konstituim dhe shpërndarje të Kuvendit, sepse mungesa e vullnetit opozitar për moskonstituim të Kuvendit nënkupton mospranim të rezultateve zgjedhore”, ka deklaruar Sallahu.
Lëvizja Vetëvendosje synon që edhe në vazhdimin e katërt të seancës konstituive të Kuvendit ta propozojë emrin e deputetes Albulena Haxhiu për kryeparlamentare.
Sekretari organizativ i LVV-së, Alim Rama, e ka hedhur poshtë mundësinë që në vend të saj partia ta propozojë një emër tjetër.