Arbëri

Salihu: Raporti i Ministrisë së Ambientit evidentoi shkeljet për hidrocentralet e Deçanit, por s’po ndërmerr hapa

Hulumtuesi në organizatën GLPS, Liridon Salihu, ka thënë se pavarësisht se në raportin e Ministrisë së Ambientit rekomandohet anulimi dhe shfuqizimi i të gjitha vendimeve lidhur me lejet dhe licencat për tri hidrocentralet në Deçan – “Belaja”, “Deçani” dhe “Lumbardhi”, kjo ministri nuk ndërmerr asnjë hap për t’i shfuqizuar ato. 

Pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme për çështjen e procedurave dhe vendimet për lejet ujore e mjedisore për këto hidrocentrale, Salihu ka thënë se interpretimi i Ligjit për Ujërat po bëhet në mënyrë të gabuar. 

“Çështja e lejeve dhe licencave për tri hidrocentralet në Deçan kanë shkuar në procedurë jo të duhur siç parashihet me Ligjin për Ujërat. E drejta për ta shfrytëzuar ujin e Lumbardhit është dashur të shkohet me koncesion dhe jo me leje ujore. Pra, gabimi i Ministrisë së atëhershme të Ekonomisë dhe Ambientit ka qenë që lejet ujore dhe mjedisore për tri hidrocentralet e Deçanit kanë shkuar përmes procedurës së lejes ujore. Janë një mori shkeljesh që edhe vetë raporti i Ministrisë e evidenton këtë dhe rekomandon që të anulohen e shfuqizohen të gjitha këto vendime. Pavarësisht një raporti të tillë, ministria nuk ndërmerr asnjë hap për t’i shfuqizuar ato. Duke marrë parasysh që ministria nuk ka ndërmarrë asnjë hap, ne kërkuam nga ana e gjykatës që t’i anulojë”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së. 

Ai tutje ka shtuar se vlerëson se Gjykata Kushtetuese do ta aprovojë kërkesën dhe të njëjtën ta kthejë në rivendosje në Apel. 

“Në momentin kur është dorëzuar padia për anulimin e këtyre vendimeve, ne kemi dorëzuar edhe kërkesën që të pezullohet edhe puna në këto hidrocentrale. Është e mirë që Supremja pati vendosur të pezullohet operimi i tyre deri në vendosjen meritore, pasi thuhet se nga operimi i tyre mund të shkaktohen dëme në mjedis që mund të jenë të parikuperueshme. Vlerësojmë se Kushtetuesja do ta aprovojë këtë kërkesë dhe të njëjtën do ta kthejë në rivendosje në Apel fillimisht. Edhe pse deri vonë, deri në mars kur edhe e kemi pranuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme ka qenë në fuqi çështja e pezullimit të hidrocentraleve në Deçan, por pas këtij aktgjykimi që është i formës së prerë ato sërish operojnë”, ka thënë ai. 

GLPS-ja dhe Pishtarët kanë vlerësuar se Apeli dhe Supremja kanë interpretuar gabimisht nene të Ligjit për Ujërat dhe kanë shpërfillur dëmet e dukshme mjedisore.