Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skënder Sadiku, ka thënë se qytetarët në këtë komunë, përfshirë të komunitetit serb, janë për hapjen e Urës së Ibrit.
Të premten në “60 Minuta” të KTV-së, Sadiku ka thënë se ndonëse janë për normalitet, komuniteti serb në këtë komunë është nën presion dhe frikë.
“Gjithmonë është momenti që të merren veprime të mira, por edhe vetë ideja jonë duhet të merret si veprim i mirë. Kjo urë shfrytëzohet nga biciklistët, këmbësorët, nga nënat me karroca, kjo urë nuk ka pasur ndonjëherë telashe, nuk e mbaj mend kur ka pasur probleme në urë. Shpresoj se kjo të jetë sinjal i mirë dhe pa pompozitet të hapet një ditë dhe mos të bëhet e madhe. Nga kontaktet e përditshme që kam, qytetarët – përfshirë komunitetin serb – janë për hapjen e urës, janë për normalitet, por në anën tjetër janë edhe nën presion dhe frikë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se shpreson që në një të ardhme të afërt të ketë miratim për hapjen e urës që i bashkon të dy komunat.
“Ka lëvizje të madhe të komunitetit serb nga brendia e Kosovës që në baza ditore vijnë në veri të Mitrovicës për nevoja të ndryshme dhe është edhe në interes të tyre që të hapet qyteti. Unë BE-së dhe Qeverisë së Kosovës u them t’i kryejnë detyrat e tyre, ne si Asamble dhe si qytetarë po e mbajmë qetësinë dhe e kemi dhënë një vendim, nëse pyetemi ne, e kanë aprovimin tonë”, ka thënë ai.
Sadiku ka shtuar se hapja e urës duhet të ndodhë, pasi ka edhe ura të tjera në komunat veriore që shfrytëzohen nga qytetarët pa asnjë problem.