Arbëri

Sabrije Sahiti, kurban i jetimëve të luftës

Dëshmitë e personazheve të librit “Mirupafshim në Kosovë” të Ana Exposito Valles (VI)

Ana Exposito Valle ende pa u nisur nga Spanja për në Kosovë e ka ditur se Sabrije Sahiti do ta priste krahëhapur.

“Dhe nuk kam gabuar”, thekson ajo. Por historia e tyre rrënjët i ka në pranverën e vitit 1999.

Gazetarja Valle do të lidhej menjëherë me gruan nga Jashanica e Klinës në të martën e 1 qershorit derisa reporterja nga Spanja po realizonte te Pishinat e Tiranës një storie në Ditën e Fëmijëve.

“Po mundohesha të realizoja një kronikë për fëmijët që po i këndonin vendlindjes dhe po u recitonin poezi heronjve të tyre, dhe ajo ishte e etur që të më rrëfente historinë e katër nipave dhe mbesave të saj”, thotë Valle para se të niseshim nga Prishtina drejt fshatit kodrinor të Kosovës qendrore. Është paraditja e 15 dhjetorit të vitit të kaluar. Valle, gazetare e Television de Galicia, do të kthehej edhe një herë për t’i takuar të intervistuarit e kohës së luftës, të cilëve më 2001 pas do t’ua sillte librin galicisht, “Mirupafshim në Kosovë!” - të përkthyer e botuar në dhjetor edhe në shqip nga Botimet KOHA.

“Ishte Sabrija ajo që e gjeti gazetaren dhe jo e kundërta qysh ndodh zakonisht”, thotë Valle, shoqëruar me ekipin e KTV-së, që pasqyron kthimin e saj në dokumentarin televiziv me dy pjesë, të përkrahur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).

Qamili fitoi luftën për liri, por e mori mërzia për vëllezërit dhe gruan

Pllaka e zezë me portretet e shkronjat e bardha në murin ballor rrok vëmendjen e Valles me t’u ndalur makina para dyerve të familjes Sahiti. Musa Sahiti ishte 25 vjeç e Demë Sahiti 22 vjeç kur më 29 mars 1999 ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës. Musa la pas vetes vetëm gruan shtatzënë, e cila pasi lindi Musën doli nga shtëpia. Sabrija jeton me të. Atë ditë dhjetori Musa ishte në ligjërata në një kolegj privat në Prishtinë, tregon Sabrija.

“Me gjakun tuaj erdhi liria. Jeni lule të Kosovës. Ushtarë dhe djem të saj deri në amshim”, shkruan në lapidarin ngritur nga nëna Ajmane, e cila vjet ka ndërruar jetë. Sabrija ende e mban shaminë e bardhë.

Në radhët e UÇK-së ishte edhe vetë Sabrija dhe vëllai tjetër, Qamili, i cili do të vdiste pas luftës nga sulmi në zemër, duke lënë katër fëmijë. Pa babë e pa nënë.

“Qamili nuk dukej më burrë i fortë. Dukej shumë i pikëlluar”, i thotë Valle para lapidarit kur merr vesh për vdekjen e tij. “Po qysh mos me u dok i pikëlluar kur me dy durt e veta i ka nxjerrë prej dheu dy vllaznit”, ia kthen Sabrije Sahiti. Dëshmorët në luftë ishin varrosur në oborr për t’ua zhvendosur në paqe eshtrat në varrezat në krye të fshatit.

Në xhirimet arkivore të Television de Galicia, që janë përdorur për “Mirupafshim në Kosovë!” që do të transmetohet edhe në televizion publik të rajonit të vetëqeverisur të Spanjës perëndimore, Sabrija flokëkuqe rrëfen se si nëpërmjet lajmeve televizive kishte marrë për vrasjen dhe masakrimin e kunatës, gruaja e Qamilit.

Image
Gjashtë mijë marka do t’i merrte kredi për gurët e varreve të vëllezërve dëshmorë, por mërzia iu shtua edhe më shumë kur ish-krerët e UÇK-së nuk iu përgjigjën ftesës për t’ua shpalosur gurët me krahë shqiponje

Vogëlushja që pa masakrimin e nënës

Egzona, 8 vjeçe, Basrija 6, Egzoni 4 dhe Jetoni 2 ishin me nënën kur natën do të dëgjonin trokitjet në derë. Kishin menduar se ishte kthyer baba Qamili nga Shqipëria, ku shkonte herë pas here për të marrë armatim për UÇK-në. Egzona me vrull kishte hapur derën. Por nuk ishte babai. Ishin forcat serbe që po flisnin shqip.

“Atëherë janë hi, ua kanë kapë nanën për floksh dhe i kanë thënë ku e ke burrin”, kujton në xhirime Sabrije Sahiti dëshminë e mbesës, tani të martuar. “Atëherë i kanë ra plumb në anën e djathtë, atëherë ajo u rrëzue, ia kanë ba masakrën, dy gjinjtë ia kanë hjekë, edhe e kanë therrë n’fyt. Çikës i ka humb vetëdija, gjashtë orë nuk ka ditë ku është ma”, thekson ajo.

Në shtëpi, në Jashanicë, Sabrija i tregon përsëri Valles se si kishte hequr dorë nga lufta si pjesëtare të UÇK-së dhe e maskuar si grua rome, i kishte shoqëruar fëmijët deri në Shqipëri pas një rrugëtimi të lodhshëm e të frikshëm. Pa njërën veshkë. “Edhe pse s’e kam nji veshkë, që e kam hupë prej dajakut që ma kanë dhanë serbët njiherë që më arrestun, kur i gjeta fmijtë në mal, i qita n’shpinë dhe ika me ta“, i kishte thënë në Shqipëri.

“Mendoja, nuk e di nga e nxjerr fuqinë kjo grua e rrallë mes kosovareve, për vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë e saj, porse e ndiej se këtë që ma thotë është e vërtetë dhe e di se ka mbërritur në Shqipëri në këmbë”, shkruan Valle në librin “Mirupafshim në Kosovë!”

“Më ka marrë malli me lu edhe me pa babën”, thotë Egzona në xhirime në kampin e refugjatëve në Tiranë.

Sabrije Sahiti ia kishte kthyer shpinën edhe burrit që t’i shpëtonte fëmijët e vëllezërve. Kurrë nuk u martua më.

“Është një pyetje paksa personale, porse dua ta di, a do të ishte jeta e jote e mirë po të mos ishte lufta?” – e pyet Valle në siklet në sallonin e shtëpisë së saj. Me dy duart ia mban të sajat në prehër.

“Ma t’mirë e kisha pasë se ku jam kanë unë e martune, ata janë kanë miliardera”, thekson Sabrije Sahiti.

Mishërim i gruas shqiptare, e fortë guri

Sabrija po përballej me vështirësi edhe në vitet e para të lirisë. Kur Valle ishte kthyer më 2001, Sabrija po punonte në administratën komunale të Klinës. Ëndërronte që një ditë të vishte uniformën e Policisë së Kosovës, atëherë e njohur si Shërbimi Policor i Kosovës nën komandën e UNMIK-ut.

Valle thotë se Sabrija mishëron fuqinë dhe dashamirësinë, porse tani po mundohet me mish e me shpirt t’i lumturojë jetimët që përjetuan tmerre. Edhe kur s’i mban dot lotët, menjëherë mbledh forcën dhe me humor i thotë Valles: “Çoma vizën e po vij qatje me ty në Spanjë”. Qeshen të dyja, ama vragat e luftës kanë lënë shenjë në shpirtin e Sabrijes.

“Qeshja e saj e ngrohtë fsheh mërzinë, jo vetëm për kunatën, por edhe për dy vëllezërit që ranë dëshmorë në luftën e UÇK-së, por edhe për të tretin, Qamilin, babanë e fëmijëve”, më shkruan Valle përshtypjet nga takimi me Sabrijen pas kthimit në Spanjë. Dhe kur Egzoni kujton sytë e gjelbër të babait, Sabrija nuk i përmbahet prapë. Ajo është kthyer në nënë e baba për pesë jetimët.

Valles nuk i duhet shumë kohë për të gjetur në celular fotografinë e Qamilit, shkrepur më 2001, me Jetonin mbështetur për krahun e tij të majtë. Në anën e djathtë ishin fotografitë e dy vëllezërve dëshmorë.

“Ku, qy fotografia e babës”, thotë i habitur Egzoni, teksa ia merr Valles celularin nga dora. “Po, po, kjo krejt i ka se ma ka pru edhe librin”, shton Sabrija, derisa Valle qeshet. I bëhet qejfi që Egzoni po çmallet me fotografinë e babait të ndjerë. “Duket se e kishte mposhtur lufta”, thotë Valle, teksa kujton thyerjen shpirtërore të Qamilit pas vrasjes së vëllezërve dhe gruas. Edhe vëllai tjetër Xhelili ndërroi jetë për shkaqe natyrore. Tani të gjithë, sytë i kanë kah Sabrija.

Image
Valle do ta fotografonte Qamilin dhe të birin e tij, Jetonin, më 2001. Qamili pas masakrimit të gruas dhe vrasjes së dy vëllezërve bashkëluftëtarë do ta merrte teposhtën. Vdiq pas një sulmi në zemër, duke i lënë katër fëmijët edhe pa baba

”Na për qët liri i kishim dhanë edhe kejt....”

“Ky Egzoni, ai në fotografi Jetoni”, i tregon gëzueshëm Valle, derisa Egzoni fytyrëqeshur nuk ia ndan sytë fotografisë së babait. Jetoni nuk pranon assesi të flasë e të dalë para kamerës. Rri në qosh të sallonit. Në ballë fotografia e madhe e Musës dhe Demës ushtarë. Familjarët thonë se Jetoni është më i ndrojtur. Musa, në ligjërata në Prishtinë.

“Na për qët liri, na i kishim dhanë edhe krejt nashta, por mas lufte e kanë keqpërdorë të drejtën, lirinë, si familja jonë për shembull që kena dhanë shumë, kena pas vuajtje t’rana, ma nuk i intereson kërkujt për këto sene”, thotë Egzoni.

Sabrije Sahiti, derisa po punonte në Komunën e Klinës, ishte detyruar të merrte gjashtë mijë marka kredi për t’ua ndërtuar vëllezërve dëshmorë gurët e varreve me krahë shqiponje e me një pëllumb të bardhë ndërmjet dy kokave të shpendit të shenjtë për shqiptarët. Dhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do t’i përgjigjeshin ftesës së Sabrijes për të marrë pjesë në ditën e shpalosjes së lapidarit të bashkëluftëtarëve dëshmorë. Sabrija refuzon të flasë nga frika se do të thotë fjalë të rëndë për bashkluftëtarët.

“Ajo që më pëlqen më së shumti Sabrije është se je shumë krenare me ta dhe se po përpiqesh shumë që ata të mbesin në kujtesën e njerëzve”, i thotë Valle para varreve në shpatin e kodrës sipër shtëpisë të fshatit pasi Sabrija e zhgënjyer shkrehet në vaj. “Por gjithashtu je grua më shumë sens humori dhe grua e hapur, dhe besoj se kjo është ana juaj më e mirë që duhet ta shpalosësh”, i jep zemër Valle.

“Po, por ku jemi kanë me humor ma t’mirë jemi kanë pak ma t’forta, po tash po vjen tu na u ranu fati përditë”, thotë mes lotësh Sabrije Sahiti para varrit të katër vëllezërve, nënës e kunatës. “Niher këta, tani dy, tani kunata e tani nana e!. Këto po të.....” nuk nxjerr dot më asnjë fjalë nga goja. Me dorën e djathtë nga lart-poshtë mundohet të tregojë peshën e vuajtjeve të familjes.

“Pra, le t’ia hedhim një shikim Kosovës, Sabrije. Mjafton ta shohim këtë”, thekson Valle duke e rrokur Sabrijen përdore e kthyer kah bjeshkët e buta që zgjaten në drejtim të fshatrave të Skënderajt.

“Po çka me këqyrë Kosovën”, thekson Sabrija, e zhgënjyer me mungesën e kujdesit institucional për jetimët e dëshmorëve dhe luftëtarëve të lirisë.

“Të shohim këtë vend, këtë bukuri. Jam e bindur se gjithmonë do të jetë kështu”, thotë Valle, duke e puthur në kokë Sabrijen shamibardhë. Shaminë e mërzisë.

Valles i vjen keq që Sabrijes, dikur ushtare e UÇK-së, nuk iu përmbush ëndrra që të vishte edhe uniformën e Policisë së Kosovës. “.... ajo dhe shumë ëndrra tjera nuk iu përmbushën”, më shkruan Valle. “Sabrija u desh të hiqte dorë prej dëshirave të jetës së saj që të rriste nipat e mbesat”, thotë Valle pas vizitës te Sabrija, që dëshmon karakterin e gruas së fortë guri edhe atëherë kur sertë, por me dashamirësi, më paralajmëron ekipin “që tjetër herë mos me ardhë pa më thirrë” – që t’i përgatisë një drekë të mirë reporteres së luftës e të paqes që është kthyer ta shoh si po ia del mbanë Sabrija. “Dhe nuk është çudi që nipat dhe mbesat e adhurojnë atë”, thotë Valle.