Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se si shef i Aleancës Veriatlantike nuk komenton mbi marrëveshjen trepalëshe të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë për aleancë ushtarake.
Në një konferencë për media në Bruksel, Rutte ka thënë se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është shqetësim i madh për NATO-n andaj edhe janë prezentë me forcat e KFOR-it.
Mirëpo, ai ka thënë se marrëveshjet trepalëshe mes vendeve aleate janë cështje të cilat ato vendosin individualisht.
“Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është shqetësim i madh. Kjo është arsyeja pse NATO-ja është e pranishme në Kosovë dhe gjithashtu në Bosnje dhe Hercegovinë. Ne kemi pesë aleatë, Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kroacinë dhe Slloveninë, dhe të gjithë po punojmë ngushtësisht së bashku, por ju lutem kuptoni që për mua, nuk duhet... Duhet të përmbahem pak nga komentimi në çdo zhvillim në çfarëdo pjese, përfshirë Ballkanin Perëndimor, kjo është vërtetë për aleatët që individualisht të vendosin për marrëveshje bilaterale ose trelaterale mes aleatëve. E di që Holanda dhe Belgjika punojnë së bashku për shumë çështje dhe natyrisht kjo është krejt diçka tjetër nga ajo që po adresoni, por gjithsesi mendoj se nuk duhet të komentoj vetë”, ka thënë ai.