Rrahman Sylejmani, ish-kolonel i Policisë së Kosovës, e ka quajtur moment të rëndësishëm vizitën e sekretarit të NATO-s në Kosovë, Mark Rutte, teksa u shpreh se zhvillimet aktuale në botë duhet të reflektojnë edhe në institucionet vendore.
Ai ka thënë të hënën në “60 Minuta” të KTV-së, se vizita e Ruttes është momenti që të tërhiqet vërejtja për njerëzit që kanë marë guximin ta destabilizojnë rajonin, derisa tha se “zhvillimet në Bosnjë-Hercegovinë mund të kenë efekt edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”.
“Fakti për vizitën e rëndësishme e edhe administrata e re amerikane që ka nisur me shkurtime të agjencive e të bazave të veta në disa vende, do të reflektojnë jo mirë edhe në Kosovë...Raporti i aleancave me NATO-n do të bëjë të riplanifikohen shumë veprime”, ka thënë Sylejmani.
Ai ka shtuar se secili shtet, përfshirë edhe Kosova, duhet t’i kryejnë veprimet e duhura pasi “s’ka më kohë të zvarriten reformat dhe përmbushja e tyre”. Sylejmani foli edhe për angazhimin dhe plotësimin e forcave, duke thënë se beson që edhe KFOR-i në Kosovë “do të ketë plotësim dhe përgatitje të shtuara”.
Sylejmani ka shtuar se zhvillimet në botë dhe kërcënimet e sigurisë po trajtohen ndryshe nga Administrata Trump. Sipas tij, presidenti amerikan s’do të lejojë politika të ngadalta si në periudhën e Joe Bidenit, teksa shtoi se “do të hapen shumë tema pos shkurtimeve dhe vendet duhet t’i koordinojnë veprimet”.
“Në aspektin e Kosovës, sot mund të reflektojnë dhe të kenë qëllim që të theksohen ato dhe të ketë gatishmëri nga institucionet e Kosovës...Situata është stabile, NATO-ja e dinë dhe i ka planet e veta. Ajo sigurisht se është pjesë e aleancës së NATO-s, por ne duhet t’i kompletojmë forcat tona pasi çdo gjë duhet ta kemi të përgatitur. Të mos rrimë duarkryq pasi edhe aleanca do të ketë kërkesa ndaj nesh”, ka thënë Sylejmani.