Në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Holandës, Mark Rutte, shprehu shqetësimin për rritjen e influencës së Rusisë dhe të Kinës në rajon dhe për dhunimin e Marrëveshjes së Dejtonit nga serbët e Bosnjës. “Ne jemi të interesuar që perspektiva e Bashkimit Evropian të jetë e pranishme këtu e jo perspektiva e Rusisë dhe Kinës”, ka deklaruar Rutte
Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, ka shprehur besimin se do të ndryshojë qëndrimi i Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut dhe se kjo e fundit bashkë me Shqipërinë shumë shpejt do të bëjnë hapin e radhës drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Rutte, që të mërkurën vizitoi Shqipërinë, duke komentuar zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, është deklaruar i shqetësuar për situatën në Bosnjë-Hercegovinë.
“Unë jam vërtet i shqetësuar për Bosnjë-Hercegovinën pasi duket sikur serbët e Bosnjës po dhunojnë hapur Marrëveshjen e Dejtonit dhe Kushtetutës së Bosnjës. Po punojmë shumë në nivelet e BE-së për të stabilizuar situatën dhe për të parandaluar sistemin politik të ndahet në atë vend përgjatë vijave etnike. Kjo thekson rëndësinë e dialogut, por po kështu edhe të udhëheqjes së politikanëve të lartë në Ballkan”, ka deklaruar kryeministri holandez, Mark Rutte, nga Tirana, ndërsa ka nisur një turne në Ballkan.
Ai është pritur me ceremoni shtetërore nga kryeministri Edi Rama dhe më pas mbajtën konferencë të përbashkët për media. Rutte ka shprehur shqetësimin për rritjen e influencës ruse dhe të Kinës në rajon.
"Shqetësimi ynë është se ajo çfarë vjen si anë negative e saj është influenca në rritje e gjithë Rusisë dhe Kinës, dhe ne jemi të interesuar që perspektiva e Bashkimit Evropian të jetë e pranishme këtu e jo perspektiva e Rusisë dhe Kinës”, ka deklaruar Rutte.
Në fjalimin e tij ai la të kuptojë se shteti i tij po ndërmjetëson me Bullgarinë për të hequr veton dhe për t’ia hapur dritën jeshile Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në integrimin drejt BE-së.
“Është e drejtë të niset zyrtarisht konferenca e parë ndërqeveritare. Është thelbësore të zgjidhet bllokimi nga ana e Bullgarisë, shpresojmë ta bëjmë. Do të ketë zgjedhje të dielën. Do të jetë e drejtë rigoroze çelja e negociatave. Është bërë progres i duhur”, ka theksuar kryeministri holandez Mark Rutte.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nënvizoi se Holanda ashtu si Franca dhe Gjermania mbështesin integrimin e Shqipërisë, mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, por shtoi se problem mbetet vetoja bullgare.
“Holanda e ka mbështetur hapur hedhjen e hapit të mëtejshëm për Shqipërinë dhe thirrjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Kjo marrëdhënie shkon përtej procesit tonë të integrimit evropian. Ne kremtuam 50 vjet marrëdhënie diplomatike vitin e shkuar me Holandën dhe kemi një marrëdhënie pune shumë pozitive. Impakti i Holandës në Shqipëri rritet vit pas viti. Nga ana tjetër, për arsye të rritjes së pranisë së biznesit holandez në Shqipëri deri tek arkitektët holandezë që janë të përfshirë në zhvillimet e reja në Shqipëri. Kemi një rritje të përvitshme të turistëve nga Holanda dhe shpresojmë se do të vazhdojë”, ka theksuar Rama.
Ai tregoi se me kryeministrin e Holandës ka biseduar për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe luftës kundër krimit të organizuar.
“Kemi folur edhe për mundësinë dhe unë e kam kërkuar nga kryeministri që Holanda të mbështesë një përafrim më të shpejtë të universiteteve tona me universitetet evropiane. Kemi folur edhe për një qasje më të hapur ndaj të rinjve në zonat rurale për t'i përfshirë në programe të mëtejshme të mbështetjes për sipërmarrjen në fshat. Kemi folur edhe për momentin ku jemi. E dimë shumë mirë që Franca, Holanda, Gjermania dhe të gjithë janë gati për t’u ulur në Konferencën e Parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por duhet zgjidhur ngërçi i krijuar nga vetoja e Bullgarisë”, tha Edi Rama.
Pas Tiranës kryeministri i Holandës pritet të vizitojë dhe Maqedoninë e Veriut.