Arbëri

Rutte: Anëtarësimi në NATO proces i gjatë, për veriun kërkohet koordinim

Pasi përfundoi takimet me liderët e shtetit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, në një bashkëbisedim me gazetarë, ka folur për domosdoshmërinë që të ketë stabilitet dhe përpjekje për normalizim të marrëdhënieve përmes dialogut, për mundësinë e largimit të trupave amerikane në Kosovë, si dhe gjendjen në veri të vendit

NATO-ja ia njeh aspiratën Kosovës për të qenë pjesë e saj, por që të arrihet deri atje ka ende sfida, ka thënë sekretari i përgjithshëm i aleancës politiko-ushtarake, Mark Rutte. Në një bashkëbisedim me gazetarë pasi përfundoi takimet me liderët e shtetit, të martën, Rute ka folur për domosdoshmërinë që të ketë stabilitet dhe përpjekje për normalizim të marrëdhënieve përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.

“E dimë se Kosova dëshiron të lëvizë drejt anëtarësimit në NATO. Kemi bashkëpunim të mirë me institucionet e Kosovës, KFOR-i është këtu. Ambicia e Kosovës për të qenë në NATO ekziston, do të jetë proces i gjatë. Para së gjithash duhet ulja e tensioneve dhe të shfrytëzohen mundësitë që ofron dialogu i ndërmjetësuar nga Brukseli”, ka thënë Rutte.

Tek foli për situatën në veri të vendi, Rutt e përsëriti se vazhdon të vlejë zotimi i Kosovës se FSK mund të zbarkojë në veri me leje të posaçme të komandantit të KFOR-it.

“Për aq kohë sa nuk ka një marrëveshje të re duhet të respektojmë marrëveshjen ekzistuese. Marrëveshja thotë se nëse FSK-ja dëshiron të dislokohet diku, veçmas në veri, duhet të ketë dakordim paraprak me KFOR-in. Kur bëhet fjalë për Policinë e Kosovës nëse janë afër kufirit, është e rëndësishme që të paktën ata të njoftojnë në kohë KFOR-in”, ka thënë ai.

Për urën qendrore të Ibrit në Mitrovicë, Rutte shtoi se nuk janë krijuar kushtet për hapjen e saj, tek shtoi se KFOR-i do të vijojë të jetë i përfshirë aty.

“Kemi trefishuar trupat në veri të Kosovës, ka patrullime të shpeshtuara për t’u siguruar se situata është e qetë. Por ne presim edhe nga institucionet e Kosovës që të ketë koordinim dhe informim me kohë për aksionet që lidhen me atë pjesë”, ka potencuar ai.

Rutte është pyetur edhe për mundësinë e largimit të trupave amerikane nga rajoni, përfshirë kontingjentin në kuadër te KFOR-it.

“SHBA-ja është shumë e përkushtuar në NATO dhe shohim potencial të madh me administratën e Trumpit. Presidenti Trump para dy javësh në Zyrën Ovale u takua me presidentin francez dhe kryeministrin britanik dhe u përkushtua për nenin 5 dhe NATO-n.  Tash fokusi ynë është në Ukrainë. Sa i përket KFOR-it gjithmonë kemi diskutime në NATO, por nuk ka vend për shqetësim në rajon”, është shprehur zyrtari i lartë i NATO-s.

Rishqyrtimi i pozicionit të Uashingtonit në Evropë u përmend pas deklaratave të bëra nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në shkurt të këtij viti, kur tha se evropianët nuk mund të presin që prezenca ushtarake amerikane në kontinent të zgjasë përgjithmonë.

I pyetur rreth mundësisë që mund të çojë në ndryshimin e pranisë së KFOR-it, nëse Evropa dërgon forca paqeruajtëse në Ukrainë, Rutte tha se ajo që nevojitet është fillimisht një marrëveshje paqeje në Ukrainë.

“Pastaj duhet të hartohet një mision për garancitë e sigurisë. Aktualisht, francezët dhe britanikët po marrin drejtimin e këtij debati. Më pas, duhet të shohim se çfarë do të thotë kjo për praninë e trupave në krahun lindor, por edhe këtu në Ballkanin Perëndimor. Por, deri atëherë do të kemi kaluar tre hapa përpara dhe nuk dua të flas për 'çka nëse'", ka theksuar Rutte. Sipas tij, administrata Trump ka tejkaluar ngërçin sa i përket luftës së Rusisë kundër Ukrainës, duke zhvilluar negociata për përfundimin e luftës me Rusinë dhe Ukrainën. Ai ka shtuar se ka mundësi që administrata amerikane të tentojë të kontribuojë edhe në zgjidhjen e ngërçit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Le të shohim se çfarë roli mund të luajë SHBA-ja në këtë rajon, në mënyrë që të kemi një zgjidhje afatgjate në rajon, ku do të kishte raporte të mira fqinjësore dhe normalizim të situatës”, ka deklaruar Rutte.

Ai e ka përsëritur edhe bisedën telefonike që ka pasur me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nga i cili tha se ka kërkuar që të angazhohet për stabilitet në rajon.