Në një kundërpërgjigje adresuar autoriteteve në Shqipëri, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e ka quajtur të gabuar vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për të miratuar rezolutën kundër raportit të ish-raportuesit të Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës
Autoritetet ruse kanë insistuar të martën se të gjithë personat e përfshirë në krimet e listuara në raportin e ambasadorit zviceran, Dick Marty, duhet që të përballen me dënim të ashpër dhe të drejtë.
Në një kundërpërgjigje adresuar autoriteteve në Shqipëri, zyrtarë nga Rusia e kanë quajtur të gabuar vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për ta miratuar rezolutën kundër raportit të ish-raportuesit të Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Kuvendi i Shqipërisë e ka miratuar gjatë korrikut rezolutën kundër raportit të Martyt, i cili ngërthen pretendime për trafikim të organeve nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me votën unanime të 125 deputetëve.
Në një reagim ndaj veprimit në rrjetin social Twitter, Ministria e Jashtme ruse ka insistuar që të ketë ballafaqim me drejtësinë lidhur me krimet megjithëse Parlamenti në Shqipëri i kundërshtoi akuzat e ngritura në raport.
“Parlamenti shqiptar ka miratuar një rezolutë, që i kundërshton akuzat në lidhje me trafikimin e organeve në Kosovë dhe në Shqipëri. Mbetemi të vendosur në qëndrimin tonë se personat e përfshirë në këto krime duhet të përballen me një dënim të ashpër dhe të drejtë”, ka shkruar Maria Zakharova, zyrtare për shtyp në ministrinë e Jashtme ruse, në postimin në Twitter.
Raporti i vitit 2011 i Martyt, i cili asokohe ishte anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka ngritur pretendime për trajtim çnjerëzor të personave dhe për trafikim të jashtëligjshëm të organeve njerëzore që dyshohen të jenë kryer nga pjesëtarë dhe drejtues të UÇK-së. Megjithëkëtë, për pretendimet e ngritura në raport, hetuesit ndërkombëtarë nuk kanë gjetur prova.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka akuzuar opozitën se më 2011 e kishte votuar raportin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Rama ka thënë se Gjykata Speciale e Kosovës ishte derivat i këtij raporti dhe se rezultoi që të dërgohen padrejtësisht në burg komandantët e UÇK-së.
Nga Partia Socialiste në Shqipëri është bërë e ditur se pas 10 vjetësh hetime është konstatuar që raporti i Martyt “për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm, të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë”, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova, dhe se për rrjedhojë duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Akuzave të adresuara nga Rama rreth votimit të raportit të Martyt u është kundërpërgjigjur ish-kryeministri, Sali Berisha. Ai ka theksuar se hetimi ishte kërkuar nga udhëheqja në Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe të gjithë partnerët, teksa ka shtuar se kundërshtimi i hetimit do të nënkuptonte marrjen përsipër të fajësisë.
“Ajo rezolutë kërkonte hetim dhe hetimi është kërkuar nga vetë udhëheqja politike e Kosovës. I them këtij tradhtari se hetimi është kërkuar nga SHBA-ja, BE-ja dhe të gjithë partnerët, dhe se kundërshtimi i hetimit do të thotë marrje përsipër e fajësisë, në ato kushte. Do të ishte hetimi që do të provonte pafajësinë. Mbi bazën e rezolutës për hetimin, Kosova ka votuar në Parlament ligjin për gjykatën. BE-ja ka rënë dakord me Kosovën për ngritjen e gjykatës së Kosovës në Hagë. Gjatë qeverisë së tij dhe gjatë qeverisë sime, në Shqipëri janë zhvilluar hetime intensive. Është një marrëveshje në parlamentin shqiptar për të lehtësuar çdo hetim. Së pari, në asnjë rast nuk më shkon ndërmend të marr në mbrojtje krime lufte. Unë jam i vetmi shqiptar, që e kam denoncuar raportin e Dick Martyt në OKB. E kam denoncuar atë në çdo samit. Por, nuk i jam kundërvënë një kërkese të vendosur ndërkombëtarisht për hetimin e raportit”, ka thënë Berisha.
Votimi i rezolutës kundër raportit të Martyt në seancën plenare të Parlamentit të Shqipërisë më 21 korrik ishte propozuar nga Grupi Parlamentar i PS-së. Në rezolutë kërkohet që të konsiderohen të paargumentuara pretendimet e ngritura nga Marty mbi “vrasjen e personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe\apo në Kosovë”.