Arbëri

Rusia e indinjuar nga “provokimi i ashpër i Prishtinës”

22:57 - Ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Çepurin, vlerësoi sonte se arrestimi i Marko Gjuriqit, i cili hyri pa leje në Kosovë, paraqet “provokim të ashpër të Prishtinës zyrtare”.

“Ne jemi të indinjuar me provokimin e ashpër të Prishtinës. Jemi plotësisht solidarë me Marko Gjuriqin dhe Serbinë”, shkruan diplomati rus në Twitter.


Vuçiq: Dy serbë u ndihmuan forcave speciale të Kosovës të arrestojnë Gjuriqin

21:37 - Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka vlerësuar sonte se Kosova “ka ndërmarrë aktin brutal dhe më të vështirë kriminal duke arrestuar Marko Gjuriqin, me sa duket me mbështetjen e vendeve individuale”.

Vuçiq, pas seancës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, tha se Marko Gjuriq “nuk ka shkuar në mënyrë të paligjshme në Kosovë, siç po pohon rrejshëm Prishtina se ai kishte dërguar njoftimin 75 orë para nisjes për Kosovë”, edhe pse sipas marrëveshjes ajo duhet të bëhet 24 orë përpara vizitës.

“Derisa neve përfaqësuesit ndërkombëtarë na thoshin të jemi të qetë, se ne do të zgjidhim gjithçka.... në atë moment ata ndërmarrin një aksion të gjerë në të cilën ajo bandë terroriste godet Mitrovicën Veriore, hedhin shok bomba, nisin të rrahin këdo që e takojnë, nuk e rrahën vetëm Marko Gjuriqin, dhe për këtë do të kemi një raport special. Ajo bandë ka hyrë brenda dhe ata terroristë arrestuan Marko Gjuriqin”, ka thënë Vuçiq, transmeton Koha.net.

Ai tha se kjo “bandë e terroristëve”, pas arrestimin, u fotografuan me të sikur të ishte trofe.

Presidenti serb tha se, të gjithë pjesëmarrësit në këtë aksion, përfshirë edhe disa serbë, do të përgjigjen para organeve serbe.

“Marko i mbijetoi kësaj, do t’u mbijetojë edhe gjërave edhe më të rënda në jetë, por ne nuk do ta kapërcejmë këtë. Të gjithë që morën pjesë në arrestimin e Marko Gjuriqit, do të përgjigjen para organeve serbe, përfshirë edhe dy pjesëtarë të nacionalitetit serb që morën pjesë në logjistikë”, ka thënë Vuçiq.

Tutje, ai u deklarua edhe për propozimin e Listës Serbe për të dalë nga Qeveria e Kosovës, duke thënë se ata do të vendosin vetë.

“Ata do të vendosin vetëm për këtë, me kokë të ftohtë”, tha Presidenti serb.


Dodik: Republika Srpska i siguron mbështetje Serbisë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Kosovë

20:49 - Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, ka thënë se arrestimi i drejtorit të të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, është “akt i papranueshëm dhune nga ana e autoriteteve të Kosovës së vetëshpallur, i cili me siguri nuk do të kontribuojë në përmirësim e marrëdhënieve ndëretnike në atë krahinë jugore serbe”.

Siç transmeton RTRS, përcjell koha.net, Dodik ka thënë se “Republika Srpska siguron mbështetje të fortë për autoritetet shtetërore serbe për të bërë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe Metohi, përkundër pengesës së vazhdueshme të pushtetit në Kosovë”.


Serbia ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare

20:35 - Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thirrur seancë urgjente të Këshillit për Siguri Kombëtare, pas arrestimit dhe dëbimit nga Kosova të të ashtuquajturit shef i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, pasi kishte hyrë pa leje në Kosovë.

Arrestimi i Gjuriqit ka ndodhur në Mitrovicën Veriore ku kishte ardhur pa leje të Prishtinës, për të marrë pjesë në debatin për dialog të brendshëm të Serbisë rreth Kosovës.

Pas arrestimit, Gjuriq është dëbuar nga Kosova.

Në takimin e Këshillit për Siguri nacionale të Serbisë po marrin pjesë presidenti Vuçiq, kryeministrja Ana Brnabiq, shefi i BIA-s, Bratisllav Gashiq dhe ministrat e qeverisë serbe.


Vuçiq i telefonon Putinit, thërret takim urgjent të sigurisë kombëtare

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thirrur për në orën 19:30 një takim urgjent të Këshillit të Sigurisë Kombëtare pas arrestimit të Marko Gjuriqit në Mitrovicë.

Seanca ishte caktuar për të martën paradite, mirëpo për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme ajo do të mbahet sot, transmeton Koha.net.

Mediat në Serbi raportojnë se presidenti serb Vuçiq menjëherë pas arrestimit të Gjuriqit i ka telefonuar presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.


Vulin: Kosova s’është shtet që të kryejë arrestime

Kosova“nuk është shtet” që të mund të kryejë arrestime, tha ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, duke reaguar ndaj arrestimit të të ashtuquajturit drejtor të Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq nga Policia e Kosovës.

“Ju mund të përdorni forcën, por jo të drejtën që justifikon dhe nxit forcën. Ju kurrë nuk do të merrni një njohje prej nesh", tha Vulin, raporton Kosovapress.


Selakoviq: Skandal dhe terrorizëm ndaj popullit duarthatë

Sekretari i përgjithshëm i presidencës së Serbisë, Nikolla Selakoviq nuk është arrestuar në Mitrovicë.

Ai thotë se arrestimi i Marko Gjuriqit është skandal dhe “terrorizim i popullit duarthatë”.

Portali Kossev raporton se Nikolla Selakoviq pret që Gjuriq të lirohet së shpejti.