Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, ka deklaruar se dukshëm më të mëdha nga sa paraqiten janë rastet e dhunimit të burrave gjatë luftës sesa gra, por siç ka thënë ajo, për shkak të stigmatizimit të madhe “ata nuk arrijnë të depërtojnë në organizata”.
Rushiti ka thënë të hënën në “60 Minuta” të KTV-së se stigmatizimi ndaj burrave për këtë çështje është më i thellë, derisa shtoi se “burrat po mbyllen në vetvete dhe po i bartin plagët”.
“Shoqëria jonë e pozicionin burrin të atillë si të paprekshëm e ata e kanë vështirë të kërkojnë ndihmë e mbyllen në vete. I bartin plagët e për këtë arsye kemi menduar se një histori burri i çliron këto zemra të ngrysura, të mbyllura...Mendojmë se numri i burrave është dukshëm më i madh, po për shkak të stigmatizimit shoqëror, ata nuk arrijnë të depërtojnë edhe në organizata”, ka thënë Rushiti.
Për Ramadan Nishorin, burrin e parë që bëri publik rrëfimin e tij si i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Rushiti ka thënë se ka qenë pjesë e organizatës nga 2018-a dhe është dashur të punohet shumë me të.
Ajo ka thënë se Nishori pos dhunimit kishte përjetuar edhe tortura të shumta dhe i kishte mbijetuar masakrës së Dubravës.
“Është dashur të punohet me familjen e tij, duke respektuar kërkesën që një ditë të jetë në gjendje të ndajë rrëfimin e tij. Ramadani ka qenë pjesë e aktiviteteve të shumta në organizatë. Ka realizuar shumë seanca me psikologen, ka qenë pjesë e forumeve...Edhe burrat janë atakuar gjatë luftës. Kemi dashur të sjellim në pah elementin familje. Kur janë atakuar burrat, çka ka mundur të ndodhë me gratë. Përkrahja e familjes është jetike për gjithë të mbijetuarit. Këtë e ka dëshmuar edhe familja Krasniqi...”, ka thënë Rushiti.