Arbëri

Rugovasit skeptikë për premtimin për hapjen e ambulancës në Haxhaj

Komuna e Pejës serish ka premtuar se sivjet do ta funksionalizojë objektin e ambulancës në fshatin Haxhaj të Rugovës për nevojat e shërbimeve mjekësore për banorët dhe vizitorët, e cila ka munguar në vitet e pasluftës në këtë trevë.

Funksionalizimin i kësaj ambulance në orar të plotë të punës komuna e kishte premtuar së fundmi edhe verën e kaluar, por për shkak të situatës me pandemi, siç pohon drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci, plani kishte dështuar për vitin e kaluar. Objekti i kësaj ambulance në Haxhaj është rindërtuar pasluftës, por është shkatërruar pa punuar edhe një ditë të vetme.

“Këtë vit planifikojmë investimin për rehabilitimin e objektit ekzistues në fshatin Haxhaj, i cili nuk është në gjendje të mirë fizike dhe do ta funksionalizojmë. Kjo ambulantë do të përdoret për ofrimin e shërbimeve mjekësore për disa fshatra që frekuentohen edhe nga vizitorët”, tha Loci.

Rinovimi i kësaj ambulante në Haxhaj është planifikuar të bëhet në kuadër të investimeve kapitale për mirëmbajtjen e objekteve shëndetësore. Mirëpo, nga dimri ky objekt ka dal edhe më i dëmtuar sesa që ishte para dimrit. Bora e madhe që kishte rënë, ka rrëzuar disa drurë të lartë dhe ata i kanë rënë mbi kulm kësaj ambulante. Loci tha se tash komuna është duke shikuar mundësinë e riparimit të kulmit me ndonjë projekt tjetër.

“Kulmin e kësaj ambulante nuk e kemi pas të planifikuar në kuadër të planifikimeve të prokurimit për këtë vit dhe tash po shikojmë me ndonjë projekt tjetër që kemi për riparimin e kulmeve të shkollave me e fut në atë projekte edhe riparimin e kulmit të kësaj ambulante”, tha Loci.

Ai kësaj here shprehet i sigurt se kjo ambulantë gjithsesi do të funksionalizohet sivjet, më së voni në tremujorin e fundit të këtij viti.

“Besoj në shtator apo tetor ambulanca në Haxhaj do të funksionalizohet dhe do të jetë e gatshme edhe për sezonin e dimrit”, pohoi Loci.

Rinovimi i kësaj ambulance sipas Locit nuk do të jetë investimi i vetëm për shërbimet mjekësore në atë trevë. Në planin afatmesëm, sipas tij, do të investohen vitin e ardhshëm edhe në fshatin turistik Boge.

“Ne Boge do të ndërtohet qendra e re shëndetësore. Kjo do të ndodh vitin që vjen dhe aktualisht jemi duke shikuar që të sigurohet një parcelë e përshtatshme për ndërtimin e kësaj qendre që duhet të ketë qasje të lehtë për të gjithë”, tha Loci për KOHËN.

Mirëpo, rugovasit shprehen skeptik ndaj këtyre premtimeve të komunës për ambulancat në Rugovë, duke u bazuar në premtimet shterpe të viteve të kaluara, se së paku për sezonet e dimrit do të ketë shërbime mjekësore. Por dimrat kaluan njëri pas tjetrit pa shërbime mjekësore në Rugovë.

“Në Rugovë ka mungesë të një qendre të mjekësisë familjare. Kërkesat tona kanë qenë të vazhdueshme për funksionalizimin e një ambulance të përhershme. Unë dyshoj se kjo do të bëhet sivjet, se sa po e shoh veç ka nis një lloj fushate për zgjedhjet lokale të sivjetme që mbahen në vjeshtë. Dyshoj se do të bëhet, sepse ka pas premtime edhe më herët se do të funksionalizohet një ambulancë në Rugovë, por deri tash nuk ka ndodhur”, shprehë dyshimet e tij Flamur Rexhbogaj, kryetar i bashkësisë lokale “Rugova II”, që mbulon shtatë fshatrat e epërme të Rugovës.

Për shkak të rëndësisë së madhe që ka hapja e një ambulance në Rugovë, ai donë të shpresojë që të mos jetë vetëm premtim sa për fushatë.

“Kësaj here shpresoj se e kanë seriozisht sepse jemi lodh me premtime. Është shtuar numri i banorëve në fshatrat e Rugovës edhe me hapjen e bizneseve të shumta familjare e hoteliere është shumëfishuar edhe numri i turistëve ditorë e disa ditor. E të mos ketë mjek mjekë, madje as mobil, në asnjërin prej 14 fshatrave të kësaj treve, është absurde. Hapja e një ambulance të përhershme është mase e domosdoshme dhe e nevojshme, sepse jeta është kthyer në gjitha fshatrat”, thotë Rexhbogaj.

Para luftës Rugova kishte një ambulancë në Kuqishtë, të cilës i janë zhdukur themelet, dhe dy tjera, njëra në Drelaj dhe tjetra në Haxhaj. Të dy këto objekte janë rindërtuar pasluftës. Objekti i ambulancës në Drelaj nuk është në gjendje fort të keqe, por i pa shfrytëzuar dhe çdo vit është duke u degraduar. Objekti në Haxhaj është shkatërruar i tëri pa ofruar edhe një shërbim të vetëm mjekësor.

Në vitet e pasluftës shërbimi mjekësorë ka munguar në Rugovë. Në vitin 2009 Komuna kishte dërguar një ekip mjekësor në ambulancën në Drelaj, ku ka qëndruar prej fillimit të majit e deri në fillim të tetorit dhe më nuk kanë dalë. Herën e fundit kur kanë dal mjekët në Rugovë ishte vitin 2013, kur për tre muaj është dërguar ekipi mobil mjekësor në ambulancën në Drelaj, në kuadër të një pilot projekti më qëllim të funksionlizimit të mjekësisë primare. Por, ai projekt kishte dështuar, siç kishin thënë në komunë, për shkak të numrit të pamjaftueshëm të pacientëve të paraparë për të funksionuar një ambulancë e mjekësisë familjare.

Mirëpo, në vitet në vijim, Rugova gjithnjë e më shumë është populluar dhe numri i vizitorëve është shumëfishuar gjatë tërë vitit, por prapëseprapë, shërbime mjekësore më nuk janë ofruar në këtë trevë.