Arbëri

Rugovasit duan rrugë që i lidh me Malin e Zi, e shohin mundësi për zhvillim turizmi

Për dekada të tëra, Treva e Rugovës ka qenë e lidhur me Malin e Zi nëpërmjet segmentit rrugor të magjistrales M9.

Kjo rrugë, që kalon nëpër fshatin Kuqishtë në drejtim të Malit të Zi, përmes Qafës së Çakorrit, është e mbyllur që prej pasluftës.

Meqenëse rruga nuk hapej, rugovasit nisen të shpresojnë që së paku do të hapej ajo e vjetra për në Rozhajë, gjithashtu e mbyllur pas luftës.

Shpresat u shtuan kur nisi ndërtimi i një rrugë me financim të Ministrisë së Infrastrukturës, nga fshati Bogë në drejtim të kësaj pike kufitare.

Mirëpo, pronari i operatorit të kontraktuar tregon se ky projekt ka qëllim tjetër.

“Qëllimi i kësaj rruge është me i lidhë fshatrat Boge me Shkrel. Edhe vazhdon edhe 150 metra në drejtim të ‘Gropës së Madhe’, por jo deri në kufi”, ka thënë Idriz Kurtbogaj.

Popullata rugovase ka vite që kërkon të hapet një rrugë që lidh Rugovën me Malin e Zi, në të cilën rrugë ata shohin mundësinë e zhvillimit më të madh të kësaj treve.

“Nëse kjo do të hapej, do të kishte rëndësi tepër të madhe, sepse trevës së Rugovës do t’i sillte një zhvillim të madh turistik”, ka thënë Flamur Rexhbogaj, përfaqësues i Trevës së Rugovës.

E në kërkesat e tyre nuk ka fort rëndësi se cila rrugë do të hapej.

“Të paktën njërën ndër pikat kufitare. Qoftë këtë këtu në ‘Qafën e Dasmorëve’, qoftë të Çakorrit, për ta hapur pra që qarkullimi të jetë i lirë midis Kosovës dhe Malit të Zi, por gjithçka ka rënë në vesh të heshtur dhe nuk është bërë asgjë”, ka shtuar ai.

Kërkesat e tyre rugovasit ia kanë adresuar institucioneve komunale të Pejës dhe atyre qendrore.

Por në komunë thonë se hapja e një kalimi kufitar është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës.

Në komunë janë shprehur skeptikë rreth mundësisë që ndonjë rrugë të hapet rishtaz.

“Është temë që duhet të bisedohet me Malin e Zi, dy ministritë kompetente të jashtme së bashku me ministrinë e brendshme të gjejnë një zgjidhje, por unë për momentin nuk shoh ndonjë zgjidhje se ata e kanë riktualizu komisionin dhe me gjasë do të luhet prapë me lojën e njëjtë qysh ka qenë”, ka deklaruar Jeton Abazaj, drejtor i Financave në Komunën e Pejës.

Për kërkesat e rugovasve, KOHA ka drejtuar pyetje edhe në Qeveri, por nuk ka marrë përgjigje.