As sivjet nuk do të dëgjohet zilja e shkollës fillore “Përparimi” në fshatin Drelaj të Rugovës.
Në mungesë të nxënësve në këtë shkollë, që ka mbuluar gjysmën e fshatrave të poshtme të trevës së Rugovës, vitin e kaluar nuk u mbajt mësimi për herë të parë, prej kur është hapur, para 75 vjetësh.
Sivjet shpresohej që së paku ndonjë nxënës do të regjistrohej në klasë të parë, por, siç tregon drejtori i kësaj shkolle, një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
“Treva si trevë ka pas nxënës deri këto-dy-tri vitet e fundit, Ka pas disa familje të cilat kanë kaluar dimrin në Rugovë, kështu që ndërkohë fëmijët e atyre familjeve e kanë përfunduar shkollën fillorë këtu dhe vitin e kaluar dhe sivjet nuk ka fëmijë të cilët i vijojnë mësimet”, ka deklaruar Ramiz Qorraj, drejtor i shkollës fillore "Përparimi" në Drelaj.
Qorraj tregon se deri para fillimit të luftës së fundit, mësimin e kanë ndjekur mbi 120 nxënës. Por menjëherë pas luftës popullata nisi të shpërngulej.
Që do vijë dita e t’i vihet dryni kësaj shkolle u duket e pabesueshme Shehrije dhe Isë Qorrajt, të cilët e kanë kryer filloren në atë shkollë.
“Shumë shumë ndiej një far dhimbje, zemra të therr kur kalon andej. E sheh oborrin, e sheh shkollën e mbyllur, nuk shesh as arsimtarë, nuk sheh... krejt qetësi në atë vend shumë është. Vdekje për atë vend, vdekje edhe për krejt Rugovën”, ka thënë Shehrije Nikçi-Qorraj, ish-nxënëse e shkollës “Përparimi” në Drelaj.
Mungesa e shkollës më shumë prek bashkëshortin e saj, i cili përveçqë ishte nxënës, më vonë atje kaloi mbi 20 vjet të jetës.
Së pari ai ishte sekretar i shkollës e pastaj për disa vjet edhe si mësues deri në pensionim.
“Ehh... ndjenja... çka tha bashkëshortja ... shumë emocione, shumë të mëdha ka. Kur e sheh njëri atë shkollë pa nxënës pa... shumë, shumë... keq. Objekti i thatë tash ma”, ka potencuar Isa Qorraj, ish-nxënës e mësues në shkollën “Përparimi” në Drelaj.
Kësisoj, edhe kjo shkollë mund ta përjetojë fatin e objekteve të shkatërruara të shkollës në fshatrat Haxhaj dhe Bogë, të cilat ishin rindërtuar pas luftës dhe pas vetëm një vit pune ishin mbyllur në mungesë të nxënësve.
E jo vetëm shkollat, por edhe objektet e ambulancave që kanë qenë në disa fshatra të Rugovës janë rrënuar nga mosshfrytëzimi dhe mirëmbajtja e tyre.
Në Komunën e Pejës pohojnë se për të gjitha këto objekte, para se të nisë pandemia, kanë pasur në plan që nëpërmjet ankandeve t’i japin në shfrytëzim, kryesisht për hotelieri dhe turizëm.
“Me funksionalizimin e tyre të vetëmbahen si objekte, që të mos ketë nevojë komuna të investojë dhe ato të demolohen apo amortizohen pa u shfrytëzuar. Mirëpo, të jepen në shfrytëzim për periudha të caktuara siç janë të parapara me rregullore komunale dhe me ligjet në fuqi", ka theksuar Fatmir Asllani, nënkryetar i Komunës së Pejës.
Thirrja publike për dhënien në shfrytëzim të këtyre objekteve, Asllani tha se do të bëhet pasi të kalojë pandemia.