Arbëri

Ruge: NATO pret që Serbia të ndihmojë në sigurimin e llogaridhënies për sulmet në Zveçan e Banjskë

Boris RUge me Aleksandar Vuçiqin

Ndihmëssekretari i përgjithshëm i NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge, ka thënë se NATO pret nga Serbia që të ndihmojë të sigurohet llogaridhënie e plotë për sulmet e majit dhe shtatorit të vitit të kaluar. 

Ruge ia ka thënë këto presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një takimi në Beograd të martën.

“Një bashkëbisedim i mirë me presidentin Aleksandar Vuçiq për marrëdhëniet NATO – Serbi që shpresojmë t’i shohim të thellohen. Po ashtu kemi diskutuar çështjet rajonale, përfshirë sigurinë e qëndrueshme në Kosovë. NATO pret nga Serbia që të ndihmojë të sigurojë llogaridhënie e plotë për aktet e dhunshme të majit dhe shtatorit të vitit 2023”, ka shkruar Ruge në platformën “X”, duke iu referuar sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan në maj dhe sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. 

 

 

Për takimin me Rugen ka shkruar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. 

Vuçiq ka thënë se është diskutuar për situatën në rajon dhe “implikimet e mundshme të vendimeve të njëanshme të regjimit të Kurtit”. 

Ai ka thënë se ndër të tjera ka përmendur edhe formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.