Nuk është miratuar këtë të enjte raporti i shpenzimeve të RTK-së për periudhën prill-qershor 2021 nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere .
Megjithatë anëtarët e kanë miratuar kërkesën e RTK-së për ndarjen buxhetore prej 2 milionë e 800 mijë euro për tre mujorin e tretë.
Por kësaj mbledhje i ka parapirë një debat i ashpër mes deputetëve të pushtetit dhe të opozitës.
Deputeti i AAK-së Pal Lekaj u ka thënë atyre të VV se po shtrojnë pyetje të përsëritura që nuk kanë të bëjnë me raportin tre mujor.
Ndërsa ai i VV-së Eman Rrahmani i ka thënë Lekajt se nuk e ka lexuar mirë raportin.
“Ti nuk je 24 orë me mu dhe nuk e dinë a e kam lexuar raportin, je ende praktikant, mos fol pa lidhje” i ka thënë Lekaj, Rrahmanit.
Raportimin në këtë komision e ka vazhduar drejtori i RTK-së Ngadhnjim Kastrati i cili ka dhënë detaje për veturat me qera të cilat janë në shfrytëzim nga stafi i RTK-së.
Kastrati tha kontrata është pesë vjeçare derisa tenderi ka qenë publik, raporton EO.
“Jemi munduar që të paraqesim të gjitha ato që janë dërguar në këtë raport mundet me pas ndonjë gabim, por jemi të gatshëm që ta për përmirësojmë. Gjatë tre mujorit të dytë ka qenë kampionati Evropian edhe marketingu sa është planifikuar është përmbushur. Over-drafti ka qenë i miratuar nga bordi i RTK-së dhe arsyet pse e kemi marr kanë qenë për shkak të borxheve, e kemi ngjarjen më të madhe që është Olimpiada pasi që na kanë dërguar online kërkesën për pagesën për çështje teknike. Autmojetet me qera kontrata është pesë vjeçare” ka thënë Kastrati.
Kastrati tha se janë paguar të gjitha kontributet ndaj punëtorëve.
“E them me përgjegjësi të plotë që janë paguar të gjitha kontributet deri tash. Sa i përket çështjeve gjyqësore përmbarues, sigurisht që ka pasur lëndë për të cilat janë lëndë të cilat i ka fituar RTK dhe në bazë të asaj që kam informata nuk është se rrezikohemi prej ndonjë lënde, ndërsa numrit të punëtorëve RTK prej vitit në vit është duke ulur numrin e punëtorëve, RTK ka ligjin e vet këta me kontrata dhe shërbime e kanë të rregulluar me ligjin e punës, momentin që bëhet Bordi dhe e ndryshojnë rregulloren ne punojmë sipas asaj rregullore”.
Deputeti i VV-së Visar Korenica ka kërkuar nga përfaqësuesit e RTK-së që raportin ta elaborojnë më në detaje.
Ndërsa kryesuesi i Komisionit, Armend Muja tha se shumica e borxheve të RTK-së janë ndaj institucioneve publike, e që shuma e tyre është afër 2 milionë.