Radio Televizioni i Kosovës ka thënë se Inspektorati i Punës ka anuluar vendimin fillestar për gjobitjen e RTK-së dhe drejtorit gjeneral të saj, për “rastin e degradimit të Udhëheqësit të departamentit të Marketingut, për mos zbatim të vendimit të IP-së si dhe për mospërfilljen e zbatimit të dispozitave të ligjit të punës”.
Më 19 shkurt, Sindikata e Punëtorëve e RTK-së pati njoftuar se RTK-ja është gjobitur me 4900 euro dhe drejtori gjeneral, Shkumbin Ahmetxhekaj me 500 euro, për rastin në fjalë.
Ndërkaq, në një reagim të enjten (2 mars), RTK-ja ka thënë se vendimi është anuluar.
“Nuk ka gjobë nga Inspektorati për RTK-në dhe as për Drejtorin e Përgjithshëm. Lidhur me shkrimet e para disa ditëve që korresponduan me riciklim të një lajmi më të vjetër, në prag të debatit në Komisionin Parlamentar për Media, RTK njofton se Inspektorati i Punës ka marrë për bazë ankesën e RTK-së dhe e ka anuluar vendimin fillestar të Inspektorit të Punës, në lidhje me rastin e ish-udhëheqësit të Marketingut. Rrjedhimisht, RTK dhe drejtori i saj nuk janë dënuar për asnjë shkelje në rastin e ish-udhëheqësit të Marketingut dhe nuk do të paguajnë asnjë gjobë. Për më shumë, Inspektori i rastit e ka hedhur poshtë edhe ankesën e punëtorit lidhur me shkarkimin e tij”, thuhet në reagimin e RTK-së.
RTK-ja ka publikuar edhe vendimin i cili mban datën 23 shkurt, katër ditë pas njoftimit të Sindikatës.
Menaxhmenti i RTK-së ka thënë se ka reaguar për këtë rast duke vlerësuar se është përdorur që të sulmohej vendimmarrja në RTK.