126 mijë euro do t’i nevojiteshin regjisorit të filmave dokumentarë në KTV, Fatmir Lamës, për t’i marrë tre nga dokumentarët që kishte përgatitur në kohën kur punonte në Radio Televizionin e Prishtinës.
Kjo pasi prona intelektuale e RTP-së është duke u menaxhuar nga Radio Televizioni i Kosovës.
Rreth 400 euro për minutë i kërkuan Lamës zyrtarët e RTK-së, në momentin kur kërkoi të ketë qasje në shiritat filmikë.
Fisnik Durguti është shef i Arkivit në RTK dhe thotë se çmimi është caktuar sipas një rregulloreje të miratuar nga Bordi i RTK-së, vitin e kaluar.
Pagesa thotë se bëhet për shkak të çmimit të lartë që ka mirëmbajtja dhe digjitalizimi i shiritave filmikë.
Rrregullorja në të cilën thirret Durguti është për dhënien në shfrytëzim të materialeve arkivore të RTK-së.
Dhe, çmimi i arkivit për shiritat filmikë në Kosovë është 350 euro, për shtetet e rajonit 450, derisa për vendet e BE-së është 550 euro minuta.
Për Lamën çmimi është i papranueshëm pasi atij, si autor i dokumentarëve edhe në Televizionin e Kroacisë, arkivi iu lejua pa pagesë. Derisa, për pak para thotë të ketë blerë edhe disa minuta nga arkivi i Televizionit italian.
Ky fakt rrëzon idenë e RTK-së se çmimi është i konkurrueshëm me tregjet e rajonit.
Por, Zyra e Ligjore Abolivier dhe bashkëpuntorët që mbrojnë të drejtën e ish-punëtorëve të RTP-së, kanë theksuar se shitja e pronës intelektuale të RTP-së nga ana e RTK-së është e kundërligjshme.
Madje, për rastin e shfrytëzimit të Arkivit së RTP-së, ish-punëtorët e tij kanë një padi në Gjykatën Themelore, për çka Besim Osmani thotë të jetë i zhgënjyer me sistemin gjyqësor dhe politik në vend.
Që nga viti 2000, të gjitha pronat e palujtshme dhe ato intelektuale të RTP-së janë duke u shfrytëzuar nga Radio Televizioni i Kosovës.